Sfidat globale të ditëve të sotme

Bryan Lufkin

Përveç sfidave të njohura globale siç është grohja globale dhe rritja në nivele të larta të varfërisë, ka edhe sfida të tjera të mëdha me të cilat bota do të përballet gjatë këtij viti dhe viteve të ardhshme. Një sërë ekspertësh dhe studiuesish kanë evidentuar problemet më të mëdha të botës së ditëve të sotme dhe janë përpjekur të japin përgjigjet e tyre për secilën.

Si mund të ruajmë ujin nga urbanizimi
Një nga sfidat më të mëdha që do të na shkaktojë probleme të shumta është urbanizimi, i cili rrezikon drejtpërdrejt sigurinë e ujit. Që tani kemi nisur të shohim shenjat e para të këtij problemi në vendet në zhvillim për shkak të degjenerimit të cilësisë së ujit të lumenjve dhe ujërave sipërfaqësore, për shkak të mungesës së burimeve të mjaftueshme të ujërave sipërfaqësorë dhe nga rritja e vazhdueshme e varësisë nga uji i detit si burim ujor. Na duhet të sjellim inovacion në menaxhimin e ujërave. Teknologjia e trajtimit të ujit, hartat e akuiferevem, riciklimi dhe ripërdorimi i ujërave të zeza dhe rritja e investimeve në sektorin e ujërave do të jenë qëllimet madhore të viteve në vazhdim.

Si të luftojmë “fake news”
Sfida thelbësore me të cilën po përballemi tani është menaxhimi i një mjedisi teknologjik ku çdokush mund të përhapë këndvështrimet e tij pa pasur nevojë për ndërmjetës dhe pa hasur asnjë pengesë. Duhet të krijohet në njëfarë mënyre një proces kolektiv që të përcaktojë atë që mund të besohet dhe ato që mund të konsiderohen fakte të vërteta kundrejt spekulimeve. Shumica e individëve nuk arrijnë dot të verifikojnë personalisht atë që lexojnë ose dëgjojnë. Disa nga gjërat që besoni se janë fakte në fakt nuk mund të verifikohen si të tilla. Duke qenë se njerëzit e kanë tepër të vështirë të verifikojnë gjithçka që lexojnë personalisht, do të nevojitet patjetër një proces seleksionimi dhe identifikimi të lajmeve të “fake news”, por në epokën e teknologjisë dhe mediave sociale ku informacioni shpërndahet me shpejtësinë e dritës, diçka e tillë është tepër e vështirë, për të mos thënë e pamundur.

Sëmundjet globale
Sasia e madhe e udhëtimeve ndërkombëtare, rritja e ubanizimit dhe ndryshimi i klimës ka bërë që viruset të kapërcejnë kufijtë shtetërorë dhe të udhëtojnë në të gjithë globin njëlloj si ne. Përhapjet e viruseve si SARS, Ebola dhe Zika kanë treguar se sa e papërgatitur është bota për t’u përballur me një epidemi potenciale. Për të pasur mundësi që të frenojmë këtë kërcënim, duhet të kemi vaksina, sisteme më të forta të kujdesit shëndetësor dhe kundërpërgjigje më të koordinuar globale.

Si do ta frenojmë mbipopullimin?
Përmirësimet teknologjike, edhe pse janë tepër rë rëndësishme për reduktimin e impaktit të ndryshimit të klimës, nuk janë plotësisht të mjaftueshme nëse nuk arrijmë të frenojmë rritjen në numër të popullsisë globale dhe të reduktojmë konsumin mesatar teksa punojmë njëkohësisht për të ngushtuar hendekun ndërmjet të pasurve dhe të varfërve të planetit. Deri tani, burime jo të rinovueshme të energjisë janë ato që kanë ushqyer planetin tonë, por duke qenë jo të rinovueshme, këto burime janë duke u reduktuar me shpejtësi dhe mund të mos i gjejmë në sasinë aktuale gjatë shekujve të ardhshëm. Duhet të planifikojmë sa më shpejt mbijetesën njerëzore falë energjisë së rinovueshme, por duke ruajtur njëkohësisht biodiversitetin që e bën planetin tonë të banueshëm.

Epoka e Big Data dhe Inteligjencës Artificiale
Sfida jonë madhore lidhet me aftësinë tonë për të dixhitalizuar qeniet njerëzore. Përmes biosensorëve, sekuencës së ADN-së dhe imazherisë, ne mund të përkufizojmë esencën mjekësore të çdo individi. Problemi është që kjo gjeneron të dhëna të jashtëzakonshme. Përpunimi i këtyre të dhënave që përftojmë nga burime të ndryshme, me algoritme dhe inteligjencë artificiale është një procedurë shumë e vështirë. Kur të arrijmë ta perfeksionojmë këtë, do të nisë një epokë e re trajtimi mjekësor virtual. Telefoni do të mund të japë të dhëna në kohë reale të shëndetit tuaj dhe do t’ju parandalojë sëmundjet.

Si të rrisim jetëgjatësinë
Kërkimet e fundit kanë treguar se norma e shëndetit në një vend dhe shërbimet sociale janë faktorët kryesorë të parashikimit të kushteve shëndetësore si jetëgjatësia, norma e vdekshmërisë së foshnjeve dhe vdekjet nga lindja. Gjenetika dhe kujdesi shëndetësor luajnë një rol thelbësor, por faktorë socialë, ambientalë dhe të sjelljes kanë gjithashtu impakt të madh në shëndetin e përgjithshëm të një popullsie. Disa shembuj të investimit në shërbimet sociale përfshijnë trajnimet për punë, strehimi dhe ushqim të shëndetshëm.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakItalia, Franca, Portugalia e Spanja në Copa America?
Artikulli tjetërBrexit, po tani çfarë ndodh?