Eksperienca afër vdekjes, çfarë përjetoi Moorjani?

Ky është përshkrimi origjinal që Anita Moorjani ka paraqitur në Fondacionin e Eksperiencave Afër Vdekjes në gusht të vitit 2006. Doktori onkolog, Jeffrey Long, kontaktoi Anitën vetëm pak orë pas publikimit të historisë së saj duke i bërë një sërë pyetjesh të tjera që ndodhen pas përshkrimit të eksperiencës misterioze që ndryshoi jetën e saj. Historia u bë menjëherë e famshme në rrjet, duke u shpërndarë nga qindra mijëra njerëz në të gjithë botën.

Dita kur kalova në anën tjetër
“Vuaja nga një kancer i gradës së fundit (Limfoma Hodgkin) dhe kujdesin shëndetësor e merrja në shtëpi. Isha e lidhur me një bombol oksigjeni gjatë gjithë kohës dhe kisha një infermiere që kujdesej me mua 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Mëngjesin e 2 shkurtit 2006, nuk u ngrita nga gjumi. Kisha kaluar në koma.
Bashkëshorti im i telefonoi mjekut, i cili i tha se duhet të shoqërohesha menjëherë në spital. Një mjek onkolog mjaft i zoti më vizitoi dhe paralajmëroi bashkëshortin tim se ky ishte fundi dhe se organet e mia po degradonin një nga një. Ai tha se me siguri nuk do të rezistoja gjatë 36 orëve të ardhshme.
Edhe pse onkologu garantoi se do të bënte çdo gjë që ishte e mundur, ai i tha bashkëshortit tim të përgatitej, pasi mundësia që unë të mbijetoja ishte shumë e vakët, duke qenë se shumica e organeve në trupin tim nuk po funksiononin më. Mjekët arritën në këtë konkluzion për shkak se trupi im po fryhej dhe kisha plagë të shumta në lëkurë. Ata nisën të më trajtonin me një sërë ilaçesh të ndryshme intravenoze dhe më kishin lidhur me tuba për të më ushqyer dhe për të furnizuar trupin tim me oksigjen.

Qartësia e ndërgjegjes
Më dukej sikur isha herë e ndërgjegjshme dhe herë jo gjatë gjithë asaj kohe, sepse isha në fakt e ndërgjegjshme për gjithçka që po ndodhet përreth meje. Megjithatë, siç m’u konfirmua më pas nga familjarët dhe doktorët, unë isha në koma gjatë gjithë kohës. Pashë dhe dëgjova qartësisht bisedat ndërmjet bashkëshortit tim dhe doktorëve që zhvilloheshin jashtë dhomës ku isha shtruar, edhe pse ata ndodheshin pothuajse 12 metra larg në sallon.
Më vonë pata mundësinë të konfirmoja se ajo që kisha dëgjuar ishte vërtet biseda që bashkëshorti im kishte zhvilluar me doktorin. Ai ishte tërësisht i shokuar. Më pas mund të them me bindje se “kalova në anën tjetër”, në një tjetër dimension ku u mbusha me një ndjesi të plotë dashurie. Përjetova gjithashtu një gjendje absolute qartësie ku kuptova përse isha e sëmurë me kancer, përse kisha ardhur në këtë botë, se çfarë roli luante familja në jetën time, në skemën madhore të gjërave dhe kuptova se si funksiononin jeta në përgjithësi.
Qartësia dhe ndërgjegjësimi absolut që përftova nga gjendja në të cilën ndodhesha është e papërshkrueshme. Fjalët e kufizojnë shumë eksperiencën time. Ndodhesha në një vend ku mund të kuptoja plotësisht se sa gjëra ekzistojnë që ne në botën 3-dimensionale nuk arrijmë t’i perceptojmë. Kuptova se çfarë ishte dhurata e jetës dhe isha e rrethuar me qenie të jashtëzakonshme shpirtërore, të cilët ndodheshin gjithmonë afër meje, edhe atëherë kur nuk e dija.

Dhurata e jetës
Sasia e dashurisë që ndjeva ishte pështjelluese dhe nga kjo perspektivë, kuptova sa e fuqishme isha. Pashë mundësitë e jashtëzakonshme që ne si qenie njerëzore jemi të aftë të kapim në jetën tonë fizike. Zbulova se qëllimi i jetës time do të ishte të jetoja “parajsën në tokë”, duke përdorur këtë ndërgjegjësim të ri, si edhe të shpërndaja njohuritë e mia me sa më shumë njerëz të tjerë. Megjithatë, u përballa me zgjedhjen më të rëndësishme: të rikthehesha në jetë ose të ecja përpara drejt vdekjes.
Nga eksperienca që po përjetoja kuptova qartë se ai nuk ishte momenti i vdekjes time, megjithatë zgjedhja ishte përsëri e imja dhe nëse do të zgjidhja vdekjen, nuk do të mund të përjetoja shumë nga dhuratat që jeta akoma nuk m’i kishte ofruar. Në fillim nuk desha të rikthehesha në jetë, sepse trupi im ishte shumë i sëmurë dhe nuk desha të rikthehesha në një trup ku organet kishin rreshtur së funksionuari dhe të mbuluar me plagë të rënda. Megjithatë, kuptova pothuajse menjëherë se nëse do të zgjidhja jetën, trupi im do të shërohej shpejt. Do t’i shihja përmirësimet e para jo brenda pak muajve apo javëve, por brenda pak ditëve.
Më pas fillova të kuptoj se si sëmundjet e trupit lindin fillimisht në nivelin energjik përpara se të marrin formën e tyre fizike. Nëse do të zgjidhja të rikthehesha në jetë, kanceri do të zhdukej nga energjia ime dhe trupi fizik do të ripërtërihej shumë shpejt. Më pas kuptova se kur njerëzit marrin trajtime mjekësore për sëmundjet e tyre, trajtimet arrijnë të heqin sëmundjen vetëm nga trupi, por jo nga energjia e tyre dhe për këtë arsye, sëmundja rikthehet.
Kuptova se nëse rikthehesha, do të kisha një energji të shëndetshme. Më pas, trupi im do të ripërtërihej si gjendja ime energjetike përfundimisht. Kuptova se gjithçka në jetën tonë varet nga energjia përreth nesh, e krijuar prej nesh. Asgjë nuk ishte reale, ne e krijonim ambientin që na rrethonte, gjendjen tonë në varësi të energjisë. E dija se këtë do ta përjetoja menjëherë sapo të rikthehesha në jetë.
Ndjeja sikur pluskoja ndërmjet dy botëve, botës fizike dhe asaj shpirtërore, por sa herë kaloja në “anën tjetër”, dukej sikur futesha gjithmonë e më thellë dhe përjetoja më shumë “skena”. Në njërën prej tyre pashë se si jeta ime kishte prekur të gjithë njerëzit, pashë se si unë kisha ndikuar në gjithë njerëzit që kisha afër. Në një tjetër skenë pashë vëllain tim në avion që kishte marrë vesh lajmin se unë isha në prag të vdekjes dhe po fluturonte për të më parë për herë të fundit. Këtë e vërtetova menjëherë pasi u zgjova dhe pashë vëllain tim, i cili sapo kishte zbritur nga avioni. Kur e pashë në atë avion mendova: “Nuk mund t’ia bëj këtë, nuk mund ta lë të më shohë të vdekur”. Më pas pashë se qëllimi i jetës së bashkëshortit tim ishte i njëjtë me mua, pashë se si kishim vendosur ta përjetonim këtë jetë së bashku. Nëse unë do të vdisja, ai me siguri do të më ndiqte shumë shpejt.

Pushteti i zgjedhjes
Kuptova se analizat që ishin duke u bërë për të parë funksionimin e organeve të mia (rezultatet nuk kishin dalë akoma) do të ishin pozitive nëse do të zgjidhja të jetoja, rezultati pra do të tregonte se organet funksiononin normalisht. Po të zgjidhja vdekjen, rezultatet do të tregonin se vdekja ishte afër për shkak të kancerit që kishte shkaktuar mosfunksionimin e organeve. Unë kisha në dorë mundësinë për të ndryshuar rezultatet e analizave. Unë bëra zgjedhjen time dhe fillova të zgjohesha në një gjendje mjaft të hutuar pasi nuk arrija të kuptoja se në cilën botë ndodhesha. Doktorët u futën në dhomë me fytyra të buzëqeshura duke i thënë familjes time se analizat kishin dalë shumë mirë.

“Parajsa në tokë”
Më pas, fillova të përmirësohesha shpejt. Doktorët prisnin që unë të stabilizohesha pasi rezultatet e biopsisë tregonin se qelizat kancerogjene pothuajse nuk ekzistonin më, edhe pse isha dërguar me urgjencë në spital me masa të shumta tumorale të madhësisë së një limoni, që nga truri e deri në stomak. Ata arritën në konkluzionin se kemioterapia kishte filluar më në fund të funksiononte dhe për shkak se nuk e kuptonin se çfarë kishte ndodhur me trupin tim, më bënë analiza të shumta, të cilat i kaloja me sukses njëra pas tjetrës. Çdo analizë e suksesshme më fuqizonte gjithmonë e më shumë.
Më bënë një skaner të plotë të trupit dhe nuk arritën të gjenin më asgjë. I thanë radiologut ta përsëriste edhe një herë pasi dukej e pamundur. Për shkak të eksperiencës që përjetova, e di që mrekullitë ndodhin çdo ditë të jetës tonë. Pas asaj që kam parë, kam kuptuar se gjithçka është e mundur dhe se nuk kemi ardhur në këtë botë për të vuajtur. Jeta duhet të jetë e bukur. Mënyra se si e shikoj jetën ka ndryshuar dramatikisht dhe jam e lumtur që më është dhënë një mundësi e dytë për të jetuar “parajsën në tokë”.

Raporti i Dr. Peter Ko
Shpresoj ta konsideroni historinë e Anitës aq të mrekullueshme sa unë pasi kjo histori më ka ndihmuar të hap sytë mbi shumë çështje. Kur isha në Hong Kong muajin e kaluar, qëllimi im ishte të shqyrtoja me imtësi historinë e saj klinike dhe të provoja ose kundërshtoja pretendimet e saj. Pasi u binda nga detajet faktike, u intrigova gjithmonë e më shumë me eksperiencën e saj fantastike, veçanërisht me mesazhin që ajo përçon. Ndërsa detajet klinike mund të jenë të vështira për t’u kuptuar nga lexuesit e thjeshtë, dua të jap gjithsesi disa referenca që të gjithë të kuptojnë se sa e sëmurë ishte dhe çfarë shërimi dramatik ka përjetuar. Mendoj se vlerësimet e mia personale mund t’ju ndihmojnë të krijoni një bazë besimi për historinë e Anitës.

Të dhënat kronologjike të sëmundjes dhe shërimit të Anitës
Në pranverën e vitit 2002 ajo vuri re një ënjtje të ngurtë sipër kockës së qafës dhe ishte pa dyshim një shenjë alarmante për doktorin e saj. Në prill u krye biopsia dhe u diagnostikua sëmundja e Limfomës Hodkin. Në atë kohë u vlerësua si kancer i shkallës 2A (mesatare). Fillimisht ajo nuk pranoi trajtimin mjekësor dhe kërkoi kurim alternativ. Sëmundja e saj u degradua gjatë 2 viteve e gjysmë që kaluan. Në vitin 2005 filloi të ndihej shumë keq.
Kanceri evoluonte gjithmonë e më shumë dhe masat tumorale u rritën. Më pas iu krijua edhe enfuzioni pleural (mbledhje e lëngjeve) në kraharor dhe u kryen disa ndërthurje për të thithur lëngjet që po ndikonin në aftësinë e saj për të marrë frymë. Deri në dhjetor të vitit 2015, sëmundja e saj filloi të merrte të tatëpjetën. Kanceri në qafë dhe kraharor filloi të dilte në sipërfaqen e lëkurës duke shkaktuar ulçera të infektuara që nuk shëroheshin. Duke qenë se nuk kishte mundësi të hante dhe asimilonte ushqim, filloi të bjerë nga pesha, vuante nga lodhja kronike dhe humbiste masë muskulare. Funksionimi i veshkave filloi të komprometohej.
Në mëngjesin e 2 shkurtit ajo e pati të pamundur të ngrihej nga krevati. E gjithë qafa, kraharori dhe krahu i majtë ishin fryrë si tullumbac. Sytë ishin fryrë dhe nuk hapeshin për shkak të rritjes së madhe të masave kanceroze. Duke qenë se nuk arrinte të merrte frymë, u dërgua me urgjencë në spital ku onkologët diagnostikuan fillimin e mosfunksionimit të organeve të saj. Gjatë natës iu bënë një sërë analizash dhe trajtimesh të shumta, por mjekët paralajmëruan se sëmundja ishte tepër e avancuar dhe nuk mund të shërohej. Ky ishte momenti kur Anita përjetoi eksperincën e saj afër vdekjes.
Pas eksperiencës së jashtëzakonshme, Anita u zgjua më 3 shkurt, u ul në shtrat dhe deklaroi përpara familjes se ndihej mirë. Ajo u vizitua nga onkologët, të cilët u mahnitën nga aftësia e saj për të folur dhe njohur njerëzit që e rrethonin. Analizat e shumta që u bënë më pas treguan një nga një se masat tumorale të saj pothuajse ishin zhdukur plotësisht.
Shërimi i saj ishte diçka vërtet e jashtëzakonshme. Bazuar në eksperiencën time si mjek dhe opinionet e shumë kolegëve të tjerë, e kam të pamundur të them që shërimi i saj ka ardhur si pasojë e kemioterapisë së suksesshme. Bazuar në atë që kemi mësuar në sjelljen e qelizave të kancerit, mund të them se e vetmja mënyrë shërimi do të ishte si “diçka” të kishte shndërruar mutacionin gjenetik të qelizave kancerogjene, ose i ka “urdhëruar” ato të vdesin. Mekanizmi se si ka ndodhur kjo është i panjohur për ne dhe nuk mund t’i atribohet kemioterapisë.

Artikulli paraprakBrexit, po tani çfarë ndodh?
Artikulli tjetërNë botën e spiunëve