Bora, rrugë të bllokuara dhe fshatra të izoluara dhe pa energji

Bora e këtij funddimri shkaktoi probleme në shumë zona të Shqipërisë, por duket se rekordin e mban Puka. Reshjet e shoqëruara me stuhi e kanë çuar trashësinë e borës në dy metra lartësi në Qafë Mali. Ndërsa në qytetin e Pukës dhe në pjesën më të madhe të fshatrave, ka rënë rreth 80 cm dëborë.
Segmentet problematike janë: Vau i Dejës-Pukë; Pukë-Fushë Arrëz-Qafë Mali dhe Qafe Mali-Fushë Dukagjin. Në segmentin Q/Laç-Koman ka rreth 5 cm borë, qarkullimi rekomandohet pjesërisht me zinxhirë, pasi ka prani ngricash. Koplik-Bogë-Dedaj–Razëm rreth 5 cm borë qarkullimi pjesërisht me zinxhirë.
K/Hadroj-Q/Bene-Rrëshen rreth 10 cm borë, rekomandohet qarkullimi pjesërisht me zinxhirë. Qafë Mali-Fierzë rreth 40 cm borë, qarkullimi rekomandohet me zinxhirë. Vazhdon puna për pastrimin dhe kriposjen e këtyre akseve, qarkullimi kryhet me zinxhirë.
Në Veri dhe Veri-Lindje prej orëve të para të mëngjesit të sotëm vijojnë reshjet e dendura të dëborës, në jug shi intensiv, ndërsa pritet dëborë. Të paktën 15 fshatra në njësitë Administrative Zejmen dhe Kolsh kanë mbetur pa energji elektrike.

Shumë fshatra të izoluar dhe pa energji

Bora që ra gjatë ditës së djeshme dhe vazhdon ende, ka izoluar disa fshatra në Verilindje dhe Juglindje. Po kështu një pjesë e madhe e rrugëve kalohen vetëm me zinxhirë. Situata është më problematike në Dibër, Kukës dhe Korçë.
Në Peshkopi kanë rënë gjithë natën reshje bore, dhe për pasojë rruga Peshkopi-Qafa e Buallit është e kalueshme me zinxhirë. Mjaft njësi administative janë bllokuar si Selishtë, Reç, Zall Dardhë, Lurë, Aras, Luzni, disa fshatra të Kalasë së Dodës e Sllovës. Ndërsa në Juglindje të gjitha rrugët duhet të kalohen me zinxhirë. Në Qafën e Qarrit, Qafë Ploçë, Qafë Thanë, trashësia e borës arrin në 30 cm. Në Vosokopojë ka rënë mbi 40 cm borë, në Dardhë 70 cm. Zonat e thella malore të Korçës, Devollit, Kolonjës e Pogradecit mbeten të izoluara si pasojë e sasisë së konsiderueshme të borës që vijon të bjerë.

Artikulli paraprak82 shkolla pa mësim për shkak të borës
Artikulli tjetërStudentët e Mjekësisë, protestë kundër manipulimit të zgjedhjeve