Bomba e Berluskonit

Silvio Berlusconi ka folur për mundësinë që sërish ta blejë skuadrën e Milanit. Presidenti legjendar, Silvio Berlusconi gjatë prillit të këtij viti shiti Milanin te grupi kinez i udhëhequr nga Yonghong Li. Mediaset është duke tentuar ta padisë kompaninë franceze, Vivendi, e cila ishte tërhequr nga marrëveshja 800 milionëshe për blerjen e Premium Mediaset.
Berlusconi tashmë po kërkon 3 miliardë euro në kompensim, por Vivendi dëshiron të arrij një marrëveshje, duke paguar 500 milionë euro, për të ndaluar kështu procesin gjyqësor. Pas kësaj, Berlusconi me shaka tha se me këto para do ta blejë sërish Milanin. “Me këto para, ndoshta do ta blejë sërish Milanin”, tha Berlusconi për “Il Messaggero”.
Pas disa rezultateve negative radhazi, Milani u rikthye te fitorja në Serinë A, këtë mesjavë, pasi arriti të mposhte me rezultatin 4-1 Chievon në transfertë. Tashmë radhën e ka Juventusi. Misioni për të bërë një figurë të mirë të shtunën në “San Siro” ndaj bardhezinjve nuk do të jetë aspak i thjeshtë për skuadrën e Montellës. Megjithatë, një nga lojtarët më në formë te Milani në këto momente, Suso, është optimist për vazhdimësinë e sezonit të Milanit. Autori i golit të parë në fitoren ndaj Chievos theksoi se është shumë e rëndësishme që kuqezinjtë të mos humbasin përballë bardhezinjëve. “Deri tani kemi qenë të bllokuar, por mendoj se kthesa ka ardhur, do të jetë e rëndësishme të mos humbasim ndaj Juves. Nëse i shënoj Buffonit? Do ta bëj rrugën në këmbë deri në shtëpi”, deklaroi spanjolli i cili shtoi gjithashtu se edhe nëse Milani nuk kualifikohet në Champions League, ai do të qëndrojë gjatë te kuqezinjtë.
Milan-i duket se funksionon mirë pa Leonardo Bonucci-n. Shiriti i kapitenit, presioni i ambientit të ri kanë ndikuar në uljen e rendimentit të ish-mbrojtësit të Juventus-it. Të mbetur me 10 lojtarë për pjesën dërrmuese të ndeshjes ndaj Genoa-s (0-0) dhe pa të gjatë gjithë transfertës së fituar 4-1 ndaj Chievo-s, kuqezinjtë janë shfaqur më të qartë, kompaktë dhe të përgjegjshëm.
Edhe pse është herët të thuhet, skuadra ka luajtur më mirë dhe ka fituar me kapitenin e saj në tribunë. Më me këmbë në tokë është shfaqur edhe Romagnoli, i cili në qendër të mbrojtjes ka bërë më mirë se sa në qendrën e majtë: “Nuk është e vërtetë që pa Bonucci-n luajmë më mirë, ka thënë mbrojtësi i Milan-it, secili prej nesh ka përgjegjësitë e tij dhe në këto orë kanë dalë gjëra të pavërteta”.
Vincenzo Montella për momentin e ka shpëtuar veten. Në sfidën kundër Juventus-it do ta udhëheqë ai Milan-in, dhe në rast humbje, do të shihet më pas se si do të mund t’ia dalë të rezistojë në stolin e përvëlues të Djallit. “Shpresoj që Juventus-i të na nënvlerësojë, por kam marrë përgjigje të bukura nga skuadra. Tani dua të shikoj këtë sjellje edhe në “San Siro” kundër Zonjës së Vjetër”.
Arlind RAMA

Artikulli paraprakRodriguez: Në Itali, më e vështirë se në Gjermani
Artikulli tjetërTifozët-Venger: “Largohu gjakpirës!”