Boko Haram: Terrori islamist në Nigeri

I lindur si një lëvizje politike, Boko Haram ia ka hyrë luftës së armatosur, duke radikalizuar thëniet islamike dhe duke zbatuar logjikën e terrorit – pas represionit të shtetit nigerian.

Me 180 milion banorë, Nigeria është shteti me popullsinë më të madhe i Afrikës. E përbërë nga 36 shtete federale, ka rreth 250 grupe etnike, midis të cilave ato kristiane Yoruba e Ibo, të ndodhura në jug të vendit, dhe ato myslimane Hausa, Fulani e Kanuri, të ndodhura në të gjithë veriun përgjatë kufirit me Nigeri. Praktikisht, Nigeria është një vend i ndarë më dysh, me ndarje të shënuara etnike e fetare dhe me qeveri të dobëta.

Historikisht, kristianizmi në versionin katolik u fut në Nigeri gjatë ‘800 me ardhjen e misionarëve të Shoqërisë së Misioneve Afrikane; ndërsa protestanizmi nisi të përhapej më shumë kur vendi u bë protektorat i Mbretërisë së Bashkuar. Përpara ardhjes së europianëve, në rajon praktikohej animizmi dhe, më shumë, islami. Jugu i Nigerisë “lundron” mbi arin e zi të çmuar, naftë me cilësi shumë lartë, që përbën 95% të eksportit kombëtar. Megjithatë, lakmia e shumëkombësheve të mëdha të naftës është shumë e fortë. Paqëndrueshmëria e lartë politike, që i detyrohet një serie të gjatë grushtesh shteti nga 1960, viti i pavarësisë së vendit, dhe shpërndarja e keqe e të ardhurave të siguruara nga shitja e naftës, kanë krijuar në fakt një përjashtim të fortë social të pjesës më të madhe të nigerianëve, duke favorizuar kështi shfaqjen e radikalizmave fetare. Një prej këtyre grupeve radikale, Boko Haram, ruan nga viti 2002 monopolin e terrorit në vend.

Boko Haram është një togfjalësh që identifikon Jamā‘a Ahl as-Sunnah li l-Da‘awa wa l- Jihād (Njerëz të përkushtuar ndaj përhapjes së mësimeve të Profetit dhe në Xhihad), grup ekstremist islamik operativ më shumë në veri. Termi “boko” ka origjinë koloniale. Kur britanikët vendosën një sistem shkollor joislamik, popullsia vendase u rebelua duke i konsideruar shkollat perëndimore si “ilimin boko”: ilimin do të thotë edukim apo arsimin fals (në kuptimin joislamik), boko është ka mundësi korruptimi i fjalës anglisht book (libër). Kurse harām është në fakt një fjalë që në islam perëdoret për t’ju referuar çdo gjëje, sjellje apo situatë e ndaluar nga feja, prandaj tregon një ndalim ligjor.

Kështu Boko Haram do të thotë “arsimi perëndimor është mëkat” dhe, për pasojë, edhe të jetuarit sipas një stili jetese të tipit perëndimor është shkelje. Ky emër nuk përdoret nga vetë anëtarët e grupit radikal, që preferojnë Jamā‘a Ahl as-Sunnah li l-Da‘awa wa l- Jihād. Megjithatë, qëllimi i lëvizjes së armatosur është pikërisht që të ndalojnë çdo gjë të tipit perëndimor, nga arsimi tek sjellja, për të favorizuar rrënjosjen e thënieve të pastra të islamit. Boko Haram lind si lëvizje lokale, e nënvlerësuar nga autoritetet qendrore, për t’u transformuar më pas në një organizatë rajonale, duke pasur baza dhe kampe stërvitore jashtë kufirit, që i kanë mundësuar të realizojnë me sukses aksione të armatosura dhe rrëmbime edhe në Kamerun, Niger e Çad.

Origjina e Boko Haram gjendet në grupin islamist e mbiquajtur “Yan Tatsine”, aktiv në vitet ’80 të ‘900 në Nigerinë veriore, në shtetin Kano. Rreth vitit 1945, Mohammed Marwa, një kamerunas i transeferuar në Kano, kryeqytet i shtetit me të njëjtin emër, nis në fakt një predikim të zjarrtë kundër kulturës perëndimore. Shumë shpejt Marwa tërheq armiqësinë e Emirit të Kano, Al-Haji Sanusi, që e përzë nga shteti i tij. Kështu që është i detyruar të dalë në mërgim nga autoritetet koloniale britanike. Kthehet në Nigeri pak pas pavarësisë së vendit, duke e rifilluar predikimin e tij të tërbuar.

Marwa lëshon mallkime kundër “mënyrave” perëndimore, duke ndaluar leximin e çdo libri me përjashtim të Kuranit të shenjtë, ndalon edhe radion e orët, sulmon myslimanët e moderuar. Themelon shkolla të shumta kuranore besnike ndaj predikimit të tij, duke u bërë thirrje të rinjve të shumtë që ta ndjekin në çdo lloj ndërmarrjeje, përfshi ato të dhunshme. Largimi i tij nga ortodoksia islamike vjen kur refuzon profetizmin e Muhamedit, duke u vetëshpallur nabī, profet. Marwa e përfundonte çdo predikim të tij publik me shprehjen «Hausa Wanda bata yarda ba Allah tatsine» (Zoti im mallkon këdo që nuk është dakord me mua), për këtë mbiquhet “Maitatsine”, domethënë “ai që mallkon”. Sekti i tij quhet “Yan Tatsine”, domethënë “ata që mallkojnë”. Marwa arrestohet më 1975 për shpifje ndaj autoriteteve politike. Mbasi lirohet, rifillon predikimet, duke nxitur ndjekësit e tij që të kryejnë aksione të dhunshme kundër jobesimtarëve.

Më 26 nëntor 1980 Guvernatori i Kano e urdhëron Marwa që të largohet nga shteti. Në kundërpërgjigje, më 26 të po atij muaji ndjekësit e tij sulmojnë rajone të shumta policie, duke vënë në zjarr e hekur qytetin Kano. Ndërhyn ushtria, që pas 13 ditësh dhe me mbi 4000 të vdekur, rimerr kontrollin e qytetit. Maitatsine është i plagosur rëndë dhe vdes pak pas arrestimit të tij. Kufoma e Marwa është kremuar dhe tani mbetjet e tij gjenden në një shishe të ruajtur në një laborator policie në Kano. Autoriteti i Marwa merret nga Musa Makaniki që vazhdon predikimin e dhunshëm deri më 1985, kur arratiset në Kamerun. Në vitin 2002, në shtetin Borno shfaqet një grup tjetër fondamentalist islamik i drejtuar nga Ustaz Mohammed Yusuf.

Ekzistojnë versione të ndryshme mbi rrugëtimin e të riut Yusuf, por ajo që është e sigurtë është se më 2002 themelon me disa ndjekës të tij një bazë politiko – fetare në Maiduguri, në shtetin nigerian Borno. I formuar nga një xhami dhe nga një shkollë fetare, e quan “Afghanistan”, prej admirimit të thellë ndaj Usama bin Laden, guida politiko – fetare e al Qaedas. Për të ndërtuar këtë kompleks fetar, Yusuf merr financime nga Guvernatori i shtetit Kano dhe ai i shtetit Borno.

Qëllim i këtij entiteti është ai i krijimit të një territori të pavarur pastërtisht mysliman. Si nëpërmjet vetëfinancimit të anëtarëve, ashti edhe nëpërmjet derdhjes së një takse ditore, si nëpërmjet të ardhurave të aktiviteteve të vogla, ashtu edhe nëpërmjet shantazhit dhe gjobitjes së politikanëve lokalë, grupi arrin që të mbahet. Në vitin 2004 Yusuf e sposton selinë e tij në fshatin Kanamma, afër kufirit me Nigerin. Falë një pune kapilare prozelitizmi midis shtresave më të varfëra të popullsisë, Yusuf bën shumë ndjekës midis talakawa (njerëzve të thjeshtë), më shumë midis të rinjve dhe jo vetëm në Nigeri, por edhe në shtetet fqinj të Çadit e të Nigerit. Ky rekrutim masiv bëhet i mundshëm falë një sistemi welfare ndaj anëtarëve të lëvizjes. Lëvizja bëhet një strukturë parazitare, duke kontrolluar pjesë të mëdha territori, duke administruar drejtësinë dhe arsimin.

Në vitet e tij të para, Boko Haram është joaktiv nga pikëpamja ushtarake, duke u kufizuar në një predikim të pamëshirshëm antisistem. Natyrisht, gjithçka që ka të bëjë me Perëndimin, nga arsimi tek kultura, konsiderohet si haram. Në vitin 2009 ndodh hopi i rebelimit, pasi vendoset që të refuzohet bindja ndaj të gjitha ligjeve në fuqi në shtet të konsideruara antiislamike. Arrestimi i Yusuf dhe ekzekutimi i tij shënon një kthesë në lëvizje që bëhet jashtëzakonisht e dhunshme me ardhjen e pasuesit të Yusuf: Muhammad Abubakar Shekau.

Akoma më i vendosur se Yusuf, Shekau shpejt bën të flitet për veten. Në një video të shpërndarë në 2010, Shekau vetëshpallet Imam i Boko Haram, duke njoftuar se dëshiron edhe të hakmerret për vdekjen e paraardhësit të tij. Deri më 2011 Boko Haram godet më shumë rajonet e paolicisë, burgjet dhe politikanët vendorë, më pas nis t’i zgjerojë objektivat e tij, duke përfshirë shkolla, dyqane, spitale dhe, sidomos, kisha kristiane. Edhe zona e veprimit zgjerohet: nga shtetet Yobe dhe Borno, shtyhet në shtetet Adamawa, Kaduna, Katsina, Abuja, Plateau dhe në Niger. Por është strategjia e re e adoptuar nga grupi që zyrtarizon terrorin e grupit: më 16 qershor të atij viti një atentator vetëvrasës në bordin e një makine plot me eksplozivë godet selinë qendrore e e Policisë nigeriane në Abuja, kryeqyteti federal nigerian. Për herë të parë Boko Haram përdor një martir për kauzën e tij, duke imituar grupet e tjera ekstremiste myslimane.

Akoma më i bujshëm është atentati i 26 gushtit të po atij viti kundër selisë qendrore të Kombeve të Bashkuara në Abuja. 27 vjeçari Mohammed Abul Barra, me një makinë me portobagazh rrëzon portat e selisë, duke u përplasur kundër vetratave të recepsionit përpara se të shpërthejë eksplozivët. Bile është shpërndarë një video e xhiruar nga vetë shoferi në bordin e makinës të përdorur si bombë. 23 janë të vdekurit, dhjetëra të plagosurit. Atentatet vazhdojnë me ritëm javor, këtyre u shtohen prerjet publike të kokave në grupe jobesimtarësh, disidentësh dhe myslimanësh të konsideruar si mëkatarë. Më 25 dhjetor, Ditën e Krishtlindjeve, shumë kisha kristiane në Niger dhe në Plateau e Yobe vihen në shënjestrën  e  tentateve të ndryshme me shumë besimtarë të vrarë. Vetëm ditën e fundit të vitit Presidenti nigerian Goodluck Jonathan shpall gjendjen e jashtëzakonshme në shtetet Borno, Yobe, Plateau dhe Niger.

Më 2012 regjistrohet një tjetër hop cilësor strategjik. Më 20 janar Boko Haram realizon një sulm të bujshëm me seri në Kano, me 19 bomba të vendosura në rajone policie, kazerma, seli institucionale dhe ndërtesa publike: regjistrohet një masakër me rreth 200 të vrarë e 1000 të plagosur. Me atentatet në Kano, i konsideruar kryeqyteti i Nigerisë Veriore, Boko Haram demonstron jo vetëm se mund të godasë kudo, por edhe se midis radhëve të tij ka luftëtarë ekspertë. Më të shumtat që vihen në shënjestër janë kishat kristiane, sidomos në shtetet Kaduna, Plateau, Bauchi e Adamawa, rregullisht të sulmuara e të djegura me plot besimtarë në to.

Pasojnë shkollat publike, të shkatërruara sistematikisht pse qendra jomyslimane arsimimi. Në vitin 2013 Boko Haram vazhdon ngjitjen e tij jo vetëm në territorin nigerian, por edhe jashtë kufirit: më 19 shkurt është rrëmbyer një familje franceze në Kamerun, 3 të rritur dhe 4 fëmijë. Rrëmbyesit kërkojnë një shumë dhe lirimin e disa milicëve të mbajtur në Nigeri dhe në Kamerun. Familja është liruar 2 muaj më pas, zyrtarisht pa pagimin e shumës së kërkuar. Në nëntor qeveria e Shteteve të Bashkuara e shpall Boko Haram si “Foreign Terrorist Organizations”. Në kundërpërgjigje, me 24 gusht 2014, nga Gwoza (Borno), Muhammad Abubakar Shekau njofton lindjen e Shtetit Islamik të Afrikës Perëndimore. Pavarësisht represionit të urdhëruar në maj të atij viti nga Presidenti nigerian, Boko Haram vazhdon ekspansionin e tij territorial. Shekau krijon në territoret e kontrolluara nga Boko Haram një sistem welfare, duke i siguruarf shërbime popullatës, arsim, punë në aktivitete të vogla.

Është një kidnapim që e ka bërë më të njohur Boko Haram në Perëndim: më 14 prill 2014 milicët bokistë rrëmbejnë nga shkolla femërore e Chibok (Borno) 276 nxënëse kristiane midis 15 dhe 18 viteve. Vetëm 53 prej tyre arrijnë të arratisen në ditët në vazhdim. Të tjerat janë stërvitur në luftën e armatosur, të detyruara që të martohen me milicë, të përdhunohen sistematikisht. Në një video Shekau njofton se të gjitha janë konvertuar në islamin e vërtetë dhe, për lirimin e tyre, kërkon lirimin e bokistëve që mbahen në burgjet e shtetit. Boko Haram e bën terrorin e tij të ndjehet edhe në rastin e zgjedhjeve presidenciale të 2015 me një seri atentatesh, midis tyre ai i kryer në Baga (Borno) më 3 janar, që shkakton vdekjen e 2000 njerëzve. Boko Haram përdor edhe strategji të ndryshme që nuk shihen me sy të mirë nga myslimanë të tjerë radikalë: sigurisht tregëtia e drogës për t’u vetëfinancuar konsiderohet “mëkat”, por është sidomos përdorimi i vajzave midis 5 dhe 15 vjeçëve si kamikaze që ka krijuar pështjellim midis vetë  myslimanëve. Nga viti 2015 janë 83 minorenët e detyruar që të hidhen në erë në zonën verilindore të Nigerisë, prej tyre 55 qenë vajza nën 15 vjeç, bile njëra prej tyre mbante një të sapolindur në krah.

Në vitin 2015 vjen hopi i madh cilësor për grupin”më 7 mars Shekau shpall aderimin në Shtetin Islamik të Kalifit Abu Bakr al Baghdadi, i cili, nëpërmjet zëdhënësit Abu Muhammad al-Adnani, e njeh zyrtarisht si “zgjerim të Kalifatit të tij”. Kështu, Shekau ndryshon emrin e grupit, që bëhet Wilāyat ad-Dawla al-Islāmiyya fī Gharb Ifrīqiyya, domethënë Guvernatoriati i Shtetit Islamik në Afrikën Perëndimore.

Më 2 gusht 2016 Shteti Islamik tregon tek Abu Musab al-Baaëi, ish zëdhënës i Boko Haram, guvernatorin e ri të Shtetit Islamik në Afrikën Perëndimore. Por pak ditë më pas vjen mohimi i i Shekau. Në një video të 7 gushtit Shekau vetëshpallet Imam i grupit Boko Haram në Nigeria. Personaliteti tejet i paparashikuar i Shekau nuk i ka mundësuar njohjen nga ana e Shtetit Islamik. Me sa duket, ka dy grupe që veprojnë në emër dhe për llogari të Boko Haram. Është pikërisht copëzimi ai që e bën Boko Haram të vështirë për t’u investiguar dhe mundur. Qysh midis viteve 2011 dhe 2012 nga Boko Haram del një krah më pak ekstremist i grupit më i afërt me ideologjinë e al Qaedas, që merr emrin Ansaru ose më mirë Jamatu Ansaril Muslimana fi Biladis Sudan (Pararoja për Mbrojtjen e Myslimanëve në Tokat e Zeza). Pastaj, prania e celulave të shumta të pavarura, që veprojnë në shtetet të ndryshme federale nigeriane dhe në vendet fqinje, e bëjnë shumë të vështirë të përcaktohet se cilat dhe sa sulme janë realishti të urdhëruara nga nivelet drejtuese.

Kështu, në ditët e sotme ekzistojnë dy fraksione, njëri i lidhur me Shtetin Islamik, me në krye Abu Musab al-Barnawi, që kontrollon zonën veriore e Shtetit Borno dhe brigjet e Liqenit të Çadit, të tërhequr në Pyllin Sambisa, në verilindje të Nigerisë. I pari ka objektiva kombëtare dhe ndërkombëtare, i dyti avancon një konflikt lokal kundër kristianëve të pranishëm në zonë, kundër ushtrisë nigeriane dhe kundër ekonomisë së vendit, në tentativën e prishjes së kohezionit kombëtar. Ka mundësi që sot Boko Haram ka një lider të ri apo të paktën regjistron një ndarje të mëtejshme të grupit. Në fakt, në një video të publikuar tashmë prej kohësh, një person i identifikuar si Mahamat Daoud, thotë se ka zëvendësuar Abubakar Shekau dhe se dëshiron të negociojë me qeverinë nigeriane. Lidhur me Shekau nuk ka lajme të sigurta, dikush thotë se është plagosur rëndë apo se ndoshta është vrarë pas ndonjë inkursioni të trupave nigeriane, apo deri edhe se është shkarkuar përfundimisht. Ngjitja e Boko Haram nuk varet vetëm nga besimi fetar. Sigurisht, konflikti midis myslimanëve dhe kristianëve ka peshën e tij, por edhe paqëndrueshmëria politike, interesat tribale dhe një shpërndarje e pabarabartë e pasurisë, që krijon varfëri të përhapur, i ka mundësuar Boko Haram që t’i shtojë milicët e tij dhe të përhapë terror në këtë pjesë të poshtëruar të Afrikës.

(nga Storica)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Artikulli paraprak“Gjithçka paralajmëron fundin e shpejtë të Ramës”, Basha për mbështjen brenda dhe jashtë vendit
Artikulli tjetërHistoria sekrete e L’Oréal