Berisha: Me Izraelin vendimtare

8 ndeshjet e fundit si titullar, 6 gola të pësuar, por në 6 sfidat e fundit ai e ka ndihmuar Atalantën të grumbullojë 16 pikë me 5 fitore dhe një barazim. Etrit Berisha po kalon një moment fantastik në aventurën e tij të re në Bergamo, ku ka arritur të fitojë besimin e trajnerit Gasperini, duke ulur në stol Sportiellon. Portieri i kombëtares shqiptare është kthyer në një pikë referimi për zikaltërit që pas 11 javëve të para renditen në vendin e 6 me 19 pikë. 27-vjeçari i lindur në Prishtinë e pranon se ndryshimi i ambientit në merkaton e verës e ka ndihmuar të rritet edhe më shumë profesionalisht.
Në një intervistë telefonike ai e pranon se mori vendimin e duhur. “Në Bergamo shkova me qëllimin për të treguar aftësitë e mia dhe të ndihmoja ekipin që të ngjitej sa më lart. Klubi dhe trajneri më kanë bërë të ndihem shumë mirë. Kemi nisur një aventurë të mirë dhe shpresoj të vazhdojmë sa më gjatë”, u shpreh Berisha.
Në vijim ai shton se ambicia e klubit ka qenë mesi i klasifikimit, por me kalimin e javëve situata ka ndryshuar dhe kualifikimi në Europa League do të ishte një arritje e madhe. I huazuar nga Lazio te Atalanta gjatë kësaj vere, Berisha ende nuk e di nëse skuadra bergamaske do të ushtrojë të drejtën e blerjes së kartonit, por ai shton se është i fokusuar vetëm te ndeshja e radhës kundër Sassuolos. Portieri kuqezi ndalet më tej edhe tek ndeshja e 12 nëntorit në “Loro Boriçi” kundër Izraelit.
“Me kombëtaren kemi një ndeshje deçizive. Mendoj që kemi mundësi të mira për të arritur në vendin e dytë. Për fat të mirë të gjithë lojtarët duken në formë të mirë dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne. Kjo ndeshje duhet të na gjejë në formën më të mirë të mundshme”, tha portieri i kombëtares.
Një lider i vërtetë. Berisha po shijon periudhën më të bukur të karrierës së tij dhe në fund të intervistës e pranon se ecuria në Bergamo e ka ndihmuar të fitojë më shumë besim pasi ajo që i mungonte te Lazio ishte vazhdimësia.

Artikulli paraprakTjetër fitore për Chelsin
Artikulli tjetërMemushaj: Nuk e meritonim humbjen me Milanin