BB: Mijëra shqiptarë jetojnë me më pak se 2 mijë lekë në ditë

Bukë me kripë. Kaq është mbijetesa e mijëra shqiptarëve sot, të cilët në rastin më të keq i garantojnë vetes këto produkte minimale jetese e në rastin më të mirë për pjesën e mijëra shqiptarëve të tjerë kanë mundësi të blejnë edhe një produkt tjetër shtesë. Pa dyshim minimalist e në kufijtë e varfërisë ekstreme. Ky është realiteti sot, i konfirmuar me shifra ekzakte nga Banka Botërore. Shifra, të cilat sjellin një imazh dëshpërues të Shqipërisë, e cila nga ana shtetërore përkufizohet me fuqinë e krimit dhe drogës dhe nga ana tjetër nga pikëpamja e popullit përkufizohet me luftën për mbijetesë.
Varfëria, skamja dhe papunësia po përball familjet shqiptare me vështirësi të shumta ekonomike, ku pjesa më e madhe e tyre ka degraduar në luftë për mbijetesë. Në kushte tejet të rënda pamundësie e vetmja shpresë e tyre për të siguruar të paktën bukën e përditshme mbeten borxhet me lista në dyqanet ushqimore. Ndërsa varfëria e moderuar, një matje e nivelit të jetesës me 5.5 dollarë në ditë është mjaft e përhapur në vendin tonë. Institucioni Financiar Ndërkombëtar përllogarit se 32.8% e popullsisë ose rreth 1 milion persona i financojnë nevojat e tyre të jetesës me rreth 5 dollarë në ditë.
Pavarësisht se në nivele më të larta se rajoni, varfëria në Shqipëri është një fenomen në ulje. Mirëpo teksa rënia ka qenë më e shpejtë në shtresën e popullsisë që jeton me 5 dollarë në ditë në grupin që jeton në varfëri ekstreme, rënia ka qenë më e ngurtë. Në krahasim me rajonin, Shqipëria edhe më 2017 është pozicionuar mjaft dobët në treguesit e varfërisë.
Përqindja e popullsisë që jeton me rreth 5 USD në ditë është shumë më e ulët në Serbi, Maqedoni, Bosnjë. Madje edhe në Kosovë, përqindja e popullsisë që jeton në varfëri ekstreme është më e ulët se në Shqipëri me vetëm 0.2% të totalit të popullsisë. Banka thotë se rritja ekonomike e Shqipërisë u forcua në 3.4% më 2016 dhe parashikohet të jetë mesatarisht 3.5% gjatë vitit 2017-19. Rritja ekonomike ka përmirësuar tregun e punës, duke forcuar shanset për uljen e mëtejshme të varfërisë.
BB në të ardhmen sheh me risk eksportet e Shqipërisë dhe flukset e investimeve të huaja, duke i përkthyer më tej në të ardhura më të ulëta tatimore, më pak investime publike dhe për rrjedhojë me një rritje më të ulët ekonomike. Për të siguruar stabilitetin makroekonomik, vendit i nevojitet më shumë reforma strukturore dhe përmirësimi i klimës së biznesit.

Lista të gjata të borxheve në dyqanet ushqimore

Shumë nga familjet që deri para katër vitesh merrnin asistencë ekonomike, sot nuk e marrin më atë. Mijëra familje shqiptare marrin bukë dhe ushqime me listë në dyqanet e lagjeve ku banojnë, ndërsa e kanë të vështirë t’i shlyejnë huatë e marra në kohë të shkurtra. Gjendja e vështirë ekonomike i ka detyruar kryefamiljarët të marrin veresie, duke hyrë në borxh përditë e më shumë. Huamarrja është një fenomen i përhapur në ekonominë shqiptare, më shumë se gjysma e familjeve shqiptare kanë aktualisht një borxh për të shlyer, ose 62 për qind e tyre, e kanë marrë atë prej burimeve informale jashtë sistemit bankar dhe kryesisht tek persona të tjerë fizikë, që mund të jenë të afërm apo të njohur. Familjet shqiptare marrin borxhe tek të afërmit për blerje ushqimesh. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë në 6 muajt e parë të këtij viti, kjo formë e huamarrjes zë 40% të rasteve. Në 38% të rasteve të huamarrjes, familjet i janë drejtuar burimeve formale banka dhe institucione jobankare në formën e produkteve të kredisë dhe në 62% të rasteve i janë drejtuar burimeve joformale, kryesisht në cash që i marrin tek të afërmit ose tek miqtë. Krahasuar me një 6-mujor më parë, vihet re një tendencë drejt formalizimit të borxhit. Në raportin e stabilitetit financiar konstatohet se familjet shqiptare fitojnë më pak sesa shpenzojnë.

Artikulli paraprakNga pasuria, tek makinat dhe cigaret, taksat që do paguajmë pas 1 janarit
Artikulli tjetërCR7, lojtari më i mirë i vitit