Nga pasuria, tek makinat dhe cigaret, taksat që do paguajmë pas 1 janarit

Ministria e Financave ka hartuar Paketën Fiskale që do të shoqërojë buxhetin e vitit 2018 dhe pritet t’i dorëzohet Parlamentit këto ditë. Janë bërë disa ndryshime ligjore për të jetësuar këtë paketë, e cila do të ketë jo pak ndikim në xhepat e qytetarëve. Kështu në vitin 2018 do të rritet taksa e pronave, cilado qoftë ajo shtëpi, dyqan, etj. Do të rritet akciza e cigareve, do të ndryshojë taksa për automjetet luksoze, etj. Lehtësira do të kenë bizneset e mëdha, sidomos ato që investojnë në turizëm. Ndryshimi i mënyrës së taksimit të ndërtesave, duke ndryshuar metodologjinë e llogaritjes së kësaj takse nga taksa fikse që bazohet në sipërfaqen e ndërtesës, e shprehur në metër katror, në taksë në përqindje e cila aplikohet mbi vlerën e tregut të ndërtesës; Ngritja e Kadastrës Fiskale (regjistrit të të dhënave të pasurive të paluajtshme) e cila do të mbështesë dhe do të rrisë eficencën e mbledhjes së taksës së ndërtesës; Riklasifikim i taksës së tabelës, për të pasur një vendosje më të drejtë të taksës referuar llojit të tabelës (e thjeshtë, me ndriçim, elektronike); Përjashtimi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë e investimeve të kryera për ndërtimin e strukturave akomoduese me 4 yje ose 5 yje “status special” sipas përcaktimit në legjislacionin përkatës për fushën e turizmit.
Taksa mbi pasurinë e paluajtshme përbëhet nga tre lloje taksash:
a) Taksa mbi ndërtesën;
b) Taksa mbi tokën bujqësore;
c) Taksa mbi truallin.
d) Ky projektligj pritet të sjellë një efekt pozitiv në të ardhurat e buxhetit të shtetit me përafërsi 2.4 miliardë lekë.
2-Ndryshime në projektligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”
ü -Incentivimin për sektorin e turizmit duke ulur normën tatimore në 0% për 10 vitet e para fiskale, për Strukturat akomoduese “Hotelet me 4&5 yje, status special”, sipas përcaktimeve të ligjit të fushës së turizmit.
ü -Incentivimin në fushën e prodhimit të software-ve duke reduktuar normën tatimore nga 15% në 5%, si një instrument i rëndësishme për të incentivuar mbajtjen e kapaciteteve intelektuale brenda vendit si një faktor kyç për zhvillimin teknologjik dhe atë ekonomik.
ü -Efekti negativ në buxhetin e shtetit parashikohet të jetë rreth 93 milionë lekë.
3-Ndryshime në ligjin “Për miratimin e tarifës doganore”, nëpërmjet të cilit synohet reduktimi i disa tarifave doganore të aplikuara në import, të cilat kanë të bëjnë me produktet që përdoren në fushën e teknologjisë së informacionit. Ky projektligj shoqërohet me efekte financiare negative në buxhetin e shtetit në masën rreth 59 milionë lekë.
4- Ndryshime në ligjin për akcizat, i cili synon të ndryshojë nivelin e akcizës së cigareve që përmbajnë duhan, për vitin 2018.
Konkretisht, në kalendarin aktual akciza për cigaret që përmbajnë duhan, për vitin 2018 është parashikuar të jetë në nivelin 5 750 lekë/1 000 copë. Me këtë projektligj propozohet që akciza për cigaret që përmbajnë duhan për vitin 2018 të jetë në nivelin 5 850 lekë/1 000 copë.
Rritja e akcizës për cigaret është një nga politikat e përdorura për frenimin dhe uljen e konsumit të cigareve nga popullata si produkt me efekte negative në shëndet, duke rritur çmimin e shitjes së tyre.
Efekti në të ardhurat e buxhetit e shtetit parashikohet të jetë + 1,097 milionë lekë.
5-Ndryshime në ligjin për TVSH, ku propozohet aplikimi i shkallës së reduktuar të TVSH-së për furnizimet e ofruara në strukturat akomoduese hotele me 5 yje me status të veçantë, të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit, konkretisht në masën 6%.
Projektligji përbëhet nga 5 nene. Konkretisht shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar 6 për qind, aplikohet për çdo furnizim-shërbimi të ofruar brenda strukturave akomoduese të çertifikuara “Hotel me pesë yje, status special” sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit. Kushtet, kriteret dhe procedurat për zbatimin e kësaj pike përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave”.
6-Ndryshime në ligjin “Për taksat kombëtare” lidhur me aplikimin e taksës së regjistrimit fillestar dhe taksës së përvitshme për automjetet luksoze. Ky projektligj synon të ndryshojë kriterin e kapacitetit fizik të automjeteve që konsiderohen automjete luksi për qëllime të këtij ligji. Aktualisht me ligjin në fuqi, konsiderohen automjete luksi, autoveturat deri në 4+1, të cilat plotësojnë të paktën një nga kriteret:
a) cilindratën të barabartë ose më të madhe se 3000 cm3; ose
b) vlerën/çmimin të barabartë ose më shumë se 5 000 000 lekë.
Me ndryshimet e propozuara në këtë ligj, synohet që kriteri “4+1” të zëvendësohet me kriterin “6+1”.
Ky propozim ka ardhur nga DPTSHRR në cilësinë e agjentit që mbledh taksën e regjistrimi fillestar dhe taksën e përvitshme për automjetet luksoze. Projektligji parashikon efekte pozitive në masën 19 milionë lekë.

TV SCAN

Artikulli paraprakEkspertët: Rruga e “Arbrit” në Maqedoni, opsion jo i mirë
Artikulli tjetërBB: Mijëra shqiptarë jetojnë me më pak se 2 mijë lekë në ditë