Analiza e FMN: Investimet publike të kopsitura në letër, po shumë të dobëta në realitet

Në një vlerësim të investimeve publike për cilësinë e praktikave të menaxhimit, që është kryer nga FMN gjatë vitit 2016, konkluzionet kryesore në lidhje me eficencën e investimeve janë përmbledhur në gjashtë gjetje kryesore.
Së pari, investimet publike të Shqipërisë të akumuluara rezultojnë të kenë qenë mbi mesataren e vendeve europiane në zhvillim, megjithëse kanë qenë shumë të paqëndrueshme dhe kanë kontribuar në borxhin e vendit.
Së dyti, me gjithë investimet e mëdha publike, Shqipëria ende mbetet prapa në mbulimin dhe efikasitetin e infrastrukturës.
Së treti, pjesa më e madhe e institucioneve publike të investimeve në Shqipëri janë të mesme dhe disa me fuqi të konsiderueshme “në letër”, por shumë më të dobëta “në praktikë”.
Së katërti, institucionet e planifikimit për investime kanë boshllëqe të konsiderueshme në dizajn dhe nuk kanë dhënë rezultate të kënaqshme fiskale.
Së pesti, sistemet për shpërndarjen e fondeve për investime kapitale vlerësohen të mira ose mesatare, me disa mangësi në zbatim.
Së gjashti, institucionet qeveritare për zbatimin e investimeve vlerësohen të moderuara mesatarisht, por përmbajnë dobësi në përputhje dhe në zbatimin praktik.
Konkluzionet e këtij raporti mësohet të jenë diskutuar me palët përkatëse dhe veprimet me afatet kohore për zbatimin e tyre tani janë pjesë e planit të veprimit të Ministrisë së Financave.
Fondi ka kërkuar përforcimin e mbikëqyrjes së ndërmarrjeve shtetërore që janë me humbje, mbartin rreziqe të mëdha fiskale dhe kërkojnë mbështetje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të buxhetit.
Në pjesën e rekomandimeve kërkohet klasifikimi të qartë i projekteve për të shmangur shpërndarjen e panevojshme të fondeve në shumë projekte. Ministria e Financave duhet të përforcojë funksionimin e mbikëqyrjes dhe të ketë gatishmëri fiskale në lidhje me vlerësimet e projekteve. Gjithashtu prioritizimi dhe përzgjedhja e projekteve të mëdha investuese bëhet në mënyrë sistematike.

Artikulli paraprakDe Kanio me “mik të fortë”
Artikulli tjetërFIFA, Shqipëria e 63-ta në renditjen e korrikut