De Kanio me “mik të fortë”

Xhixhi de Kanio është emri më i mundshëm për të marrë drejtimin e kombëtares shqiptare të futbollit, jo vetëm për faktin që është një trajner që plotëson pak a shumë vijueshmërinë e Xhani de Biazit. Sugjerimi për të nuk i ka ardhur nga ndonjë menaxher, siç ndodh rëndom në këto raste, por nga persona brenda Federatës italiane të Futbollit. Persona të FIGC i kanë sugjeruar Dukës që të afrojë De Kanion, duke ia prezantuar si një kandidat shumë serioz dhe që ishte një nga emrat më të përshtatshëm për të mbuluar këtë rol, i aftë të punonte me skuadra si Shqipëria.
Ai plotëson edhe kushtet financiare të FSHF-së, duke mos pasur pretendime shumë të larta për pagën e tij dhe për momentin, mes trajnerëve italianë, ai është i pari në listën e atyre që ka kontaktuar pala shqiptare.
Megjithatë, Duka nuk ka mbyllur ende bisedimet me kandidatët italianët dhe këtë javë do të kontaktojë me dy të tjerë. I pari është Alberto Malezani, një emër i njohur në kampionatin italian ku ka drejtuar shumë ekipe, ndërsa suksesin më të madh e kishte në stolin e Parmës me të cilën ka fituar edhe një Kupë UEFA. Ndërsa tjetri është Xhuzepe Pilon, i cili gjithashtu ka drejtuar shumë klube italiane gjatë karrierës së tij, në Serinë A dhe në Serinë B.

Artikulli paraprakPerformanca negative në ekonomi
Artikulli tjetërAnaliza e FMN: Investimet publike të kopsitura në letër, po shumë të dobëta në realitet