Alitalia arrin të nënshkruajë marrëveshjen për të parandaluar falimentin

Marrëveshja e minutës së fundit për të reduktuar vendet e punës dhe shkurtimin e pagave ka ende nevojë për miratimin e punonjësve. Alitalia, linja ajrore që ka simbolin e saj me ngjyrat e flamurit kombëtar të Italisë, ka arritur të nënshkruajë një marrëveshje me sindikatat për ta shpëtuar veten nga falimenti dhe njëkohësisht t’i hapë rrugën paketës rifinancuese prej 2 miliardë eurosh. Kjo marrëveshje e minutës së fundit mbikëqyret nga qeveria dhe është nënshkurar gjatë mbrëmjes së kaluar. Por kjo marrëveshje ende duhet të miratohet nga punonjësit e Alitalias, të cilët do të votojnë për miratimin e saj gjatë javës së ardhshme. Nëse ajo aprovohet edhe prej tyre, atëherë kompania ajrore me humbje, 49 për qind e së cilës është në pronësi të Etihadit të Emirateve të Bashkuara Arabe, do të mund të vazhdojë sërish aktivitetin e saj. Pasi Etihad kërkoi pjesën e aksioneve të tij të Alitalias në vitin 2014, shpresat në Romë ishin shumë të larta se kompania ajrore italiane ishte në fillim të një epoke të re rimëkëmbjeje financiare dhe industriale, gjë kjo që do të parandalonte falimimentin e saj. Por situata ishte më e komplikuar dhe më e vështirë se ç’mund të mendohej sepse Alitalia vazhdoi të dilte me humbje në krahasim me linjat e tjera ajrore si në destinacionet e ndryshme brenda vendit ashtu edhe në ato të vendeve të tjera në Europë. Gjatë këtij viti, Alitalia e pranoi se ajo duhet të ndërmerrte shkurtime deri në 1 miliard euro gjatë tri viteve të ardhshme, nga të cilat 30 për qind do të ishin shkurtime në pagat e pilotëve dhe të stjuardesave, ndërsa rreth 2,000 punonjës do të pushoheshin nga puna. Nëse kjo marrëveshje do të aprovohet, ajo do t’ia hapë rrugën Alitalias për të marrë financime të reja, jo vetëm nga Etihad, por edhe nga aksionerët e tjerë kryesorë italianë, duke përfshirë këtu edhe dy bankat më të mëdha në vend, UniCredit dhe Intesa Sanpaolo. Përveç këtyre trazirave, Alitalia po përfshihet edhe nga ndryshime të tjera në ristrukturimin e nivelit ekzekutiv, me Luigi Gubitosin, ish-menaxher i televizionit shtetëror Rai, në vend të Luca di Montezemolo, në pozicionin e drejtorit ekzekutiv.

Artikulli paraprakLugano beson te shqiptari
Artikulli tjetërManaj kthehet në verë te Interi