500 euro për person, asgjesohet rrjeti që trafikonte shqiptarët

Policia greke ka asgjesuar një grup kriminal të trafikut të emigrantëve klandestinë, kryesisht nga Shqipëria. Në zona të ndryshme të Janinës janë arrestuar deri tani 7 shtetas shqiptarë dhe 4 grekë.
Mes tyre, kreu i rrjetit, një shtetas shqiptar me moshë 40 vjeç si dhjetë pjesëtarë të besuar të tij. 6 shtetas shqiptarë, tre meshkuj dhe tri femra, si dhe katër shtetas grekë, tre meshkuj e një femër.
Dosja penale e hartuar përfshin dhe 11 persona të tjerë: 8 shqiptarë, një tjetër drejtuese të rrjetit, shtetase greke, si dhe dy grekë të tjerë që aktualisht ndodhen në burg për çështje të tjera.
Pjesëtarët e rrjetit gjenin persona që interesoheshin të kalonin në Greqi dhe pasi binin dakord për pagesën, që zakonisht ishte 500 euro për person, bëhej kalimi i tyre nëpërmjet pikave të caktuara të kufirit të gjelbër. Pasi kalonin me këmbë kufirin, ata hipnin në makina, që i çonin në destinacion, në zona të ndryshme të Greqisë.
Sipas komunikatës së policisë, janë verifikuar deri tani 77 raste, ku janë trafikuar 180 persona, kryesisht nga Shqipëria. Policia vlerëson gjithashtu se rrjeti ka gjeneruar në gjithë këto raste një shumë prej 90.000 eurosh.
Gjatë procesit të hetimeve janë gjetur dhe sekuestruar gjashtë automjete, një prej të cilave taksi, një pistoletë e kalibrit 8 mm, katër armë gjahu, 99 fishekë të kalibrave të ndryshëm, një radio dore marrëse dhënëse, një shumë parash prej 3.885 euro si dhe 217 USD, një shkop gome, tre thika dhe 15 telefona celularë.

Artikulli paraprak800 mijë eurot dhe patenta e Tahirit për anije 100 tonëshe
Artikulli tjetërNjë shqiptar kapet në Bari me 1 kg heroinë në makinë