800 mijë eurot dhe patenta e Tahirit për anije 100 tonëshe

Dy leje qarkullimi për mjetet motorike ujore (skaf) të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe një shumë prej 800 mijë eurosh janë gjendur në makinën e një të riu biznesmen, 25-vjeçar, i cili teksa po përpiqej t’i shpëtonte postbllokut të policisë sot është nën arrest. Prej tre ditësh, me urdhër të Ramës, policia ka mbajtur të fshehtë këtë skandal në të cilin përfshihet direkt Saimir Tahiri.
Denoncimi i bërë publik dje nga kreu i PD, Lulzim Basha solli dhe konfirmimin e policisë për ngjarjen e më pas të vet biznesmenit Sota për lidhjet e tij me Tahirin.
Më datën 1 nëntor, ditën e martë, postblloku i policisë teksa po kryente kontrolle rutinore është përpjekur të ndalojë një makinë të tipit “Land Rover”, e cila nuk iu bind urdhrit të saj, duke mos ndaluar. Kjo shtoi më shumë dyshimet e policisë për ta ndjekur deri në kapjen e tij.
Drejtuesi i automjetit ishte Orest Lefter Sota, dhe gjatë kontrollit të makinës së tij u gjetën një shumë e madhe parash prej 800 mijë eurosh e pa shoqëruar me dokumentat përkatës si dhe dy patenta për drejtim mjetesh motorike lundruese në emër të Saimir Tahirit. E gjendur përballë një situate të tillë, policia ka arrestuar dhe ka shoqëruar menjëherë të riun, por nga ana tjetër asnjë komunikatë nuk u shpërnda në media në lidhje me skandalin në fjalë.
Menjëherë forcat operacionale kanë urdhëruar eprorët, dhe këta të fundit ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në lidhje me ngjarjen ku u sekuestruan në flagrancë 800 mijë eurot dhe dy patentat e Tahirit. Xhafaj ka informuar Ramën dhe ky i fundit i ka dhënë urdhër atij që policia të mbajë të fshehtë ngjarjen dhe të mos nxjerrë asnjë njoftim për shtyp.
Mbrojtja fanatike e Ramës ndaj Tahirit në vijim të skandalit të hapur të tij në dosjen Habilaj tregon qartë për panikun e kryeministrit dhe zbardhjen e lidhjeve të tij me bandat e drogës.

Policia reagoi pas deklaratës së Bashës

Policia ka regauar me dytë vonesë nga dita kur ka noddhur ngjarja. Arsyeja pse policia reagoi publikisht me vonesë ka pasur ë bëjë me faktin se policia e inkriminuar ka shpresuar se ngjarja nuk do të binte në sytë e publikut dhe në këtë rast ishte më e lehtë për ta mbyllur me një dalje të thjeshtë në gjykatë.
Çfarë tha Basha në reagimin e tij: “Burime të sigurta informojnë se: “Me datë 01.11.2017 është arrestuar nga Policia e Elbasanit shtetasi Orest Lefter Sota, sepse nuk i ka ndaluar postbllokut të policisë. Gjatë kontrollit në automjet i janë gjetur dhe sekuestruar 800 mijë euro dhe dy dëshmi aftësie për drejtim automjeti në emër të Saimir Tahirit.
Ky rast nuk është bërë publik në njoftimet që bën policia. Duke dënuar ashpërsisht fshehjen e kësaj ngjarje kriminale nga Haki Çako dhe Fatmir Xhafa me urdhër të Edi Ramës, i kërkoj Prokurorisë të hetojë e të mos shmangë nga përgjegjësia autorët dhe urdhëruesit e këtij akti mafioz.

Çfarë fshehu policia në ngjarje?

Policia nuk jep emrin e të arrestuar, por vetm inicialet. Policia fsheh patentat e Tahirit për drejtim anijesh 100 tonëshe. Policia palë me mafien fesh edhe shumën e parave të kapuar në makinën e Orest Sotës.
Pas akuzës së Bashës, Policia konfirmon ngjarjen por fsheh patentat e Tahirit
Pasi kreu i PD nxorri në media skandalin e kapjes në flagrancë të 800 mijë eurove dhe dy patentave të Tahirit, policia zyrtarisht konfirmoi ngjarjen në fjalë, por sërish përmes një njoftimi gjysmak. Policia konfirmon se Orest Sotës iu sekuestrua një shumë e madhe eurosh.
Zyrtarisht, Policia njofton se: Më datë 02.11.2017, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit O.S 25 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti privat sh.p.k, pasi më datë 01.11.2017, në rrugën nacionale, në fshatin Balldren, u kap duke drejtuar pa leje drejtimi mjetin “Land Rover” dhe nga kontrolli në mjet ju gjetën e bllokuan një sasi e madhe eurosh, i cili pretendonte se do t’i përdorte për likuidimin e faturave, por të pa shoqëruara me dokumentin e origjinës. Materialet në ngarkim të këtij shtetasi u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, për Veprat Penale parashikuar nga nenet 291, 242 e 180 të Kodit Penal”.
Po përse policia mban ende të fshehtë ngjarjen dhe e zbardhi dje e detyruar pjesërisht atë? Përse nuk përmendi në komunikatën e vonuar për shtyp edhe dy lejet e qarkullimit të Tahirit për skafin, i cili është akuzuar me dhjetëra për përdorim për trafik droge drejt Italisë.

Dëshmia e biznesmenit: Kam lidhje me Tahirin

Pas bërjes publike të skandalit, lidhjet e tij me Tahirin i ka pohuar vetë biznesmeni 25-vjeçar, Orest Sota në dëshminë e dhënë për policinë. Mediat zbardhën dje detaje të kësaj dëshmie, sipas të cilës, Sota ka pranuar lidhjet e tij me Tahirin megjithëse në mënyrë indirekte.
Ai ka rrëfyer në polici se paratë ishin të babait të tij për një pagesë. Në lidhje me dy patentat e Tahirit, biznesmeni ka thënë se i kishte harruar shoferi i tij, që ishte mik me të. “Paratë ishin të babait tim për një pagesë për blerje hekuri në Elbasan. Ndërsa për sa iu përket patentave në emrin e ish-ministrit, ato i harroi shoferi i tij, që është mik i imi. Ne lëvizim shpesh bashkë”, ka rrëfyer biznesmeni.

Nga audi tek anija, skema e Tahirit për trafikun e drogës

Ku i mori kaq shumë para një djalë 26 vjeç edhe pse ia ka vënë emrin vetes ‘biznesmen’? Kush e lejon të mbajë rreth 1 milionë euro të pa deklaruara dhe në mënyrë informale? Cili është burimi i parave?… Të gjitha ‘hetimet’ të çojnë te trafiku i drogës. Moisi Habilaj deklaronte se Saimir thahiri fiton 5 milionë euro në ditë… U çuditët? Ja që 1 milionë po i sillte me makinë ky djalosh elbasanas…
Biznesmeni 26 vjeç i arrestuar para dy ditësh, mbante me vete dy patenta në emrin e Saimir Tahirit, për ‘drejtim mjetesh lundruese’. Del në dritë edhe fakti që Saimir tahirit i duhej patenta për lundrim sepse kishte jaht ose edhe gomone. Këtë fakt e mohuan deri edhe para prokurorisë… Po pse vallë dy patenta? Njërën për jahtin, tjetrën për gomonen…, ndryshe nuk mund të regjistroheshin ën emër të tij dy mhyetet lundruese.
Ose edhe një arsyetim tjetër: Ministri Tahiri, si ministër, mund të nxirrte shumë patenta, sa të duash! Jo sa të duash!, por sa të duheshin për trafikantët… Ua ndante trafikantëve dhe i sigurionte se në det ‘po lundronte ministri’, askush nuk mund t’i ndalonte…
Sa shumë fakte dhe lidhje!…
Ka edhe më shumë. Siç ministri Tahiri u jepte makinën e tij për transport droge anëtarëve të bandës ‘Habilaj’, po kështu u jep lejen e lundrimit (patentë) disa trafikantëve të tjerë. Domethënë u jep lejen shtetërore për të trafikuar drogë dhe armë…
Ka lidhje të tjera:
Gjatë qëndrimit në qeli, Orest Sota po pyetet dhe po përgjigjet… Si u përgjigj kur i thanë ‘pse i ke patentat e Saimir tahirit?”. Edhe po të ketë gënjyer, përsëri nxori një provë. “I ka lënë këtu shoferi i Saimir Tahiri, sepse e kam mik, rrimë shumë bashkë”. Domethënë ministri Tahiri i jep në përdorim shoferit dokumentet e tij të identifikimit… Domethënë edhe se njeriu i 800 mijë euorve, i arrestuar, është shok i ngushtë me shoferin e Tahirit.
Dhe lidhja e fundit!… Do t’u duket ‘kulmore’, do t’u duket se ‘sa u mbush kupa!”, se ‘paska qenë mahisur keq puna!”. Ja prova: I ndaluari Orest Sota, ka deklaruar se avokati i tij është Artan Hajdari. Artan Hajdari është avokat i përbashkët edhe me Saimir Tahirin… E keni parë në seancën hetimore në Komisionin Parlamentar?…

Dy patentat e Tahirit

Të dyja patentat e sekuestruara në makinën e të riut me emrin e Saimir Tahirit janë të dyja leje drejtimi për anije me tonazh të rëndë 100 tonësh. Dy patentat e Tahirit në makinën e Sotës ishin leje qarkullimi për mjetin e tij lundrues (Skafin) rrëzojnë deklaratat e bëra publike disa herë të Tahirit mbi mos pasjen e një automjeti lundrues. “Lapsi.al” publikoi dje foto të dy lejeve të drejtimit për mjet lundrues që disponon Saimir Tahiri. Burime thonë se këto patenta për mjet lundrimi, ku Tahiri ka nivelin ‘Skipper’ (kapiten) u gjetën në makinën e një personi me emrin Orest Sota, i cili u arrestua nga Policia e Elbasanit dy ditë më parë. Sotës iu gjetën në makinë edhe 800 mijë euro. Për këtë ngjarje denoncoi i pari kreu i PD-së, Lulzim Basha. Sipas tij, Policia e Shtetit me urdhër të Edi Ramës e mbajti të fshehtë ngjarjen. Pak pas këtij denoncimi të Bashës, ka reaguar Policia e Shtetit përmes një njoftimi për media, ku konfirmohet ngjarja, por nuk përmenden fare dy lejet e drejtimit në emër të Saimir Tahirit, që u gjetën në makinën e shtetasit Orest Lefter Sota dhe as shuma prej 800 mijë eurosh. Policia thotë vetëm që iu gjet një shumë e madhe parash, por pa bërë publike vlerën e saktë. Siç shihet në foton e publikuar janë dy leje drejtimi, tek të cilat Tahiri ka nivelin ‘Skipper’ (kapiten)’. Ato ndryshojnë nga njëra-tjetra tek tonazhi i lejuar i mjetit. Nuk është e qartë ende se çfarë donte në makinën e Orest Sotës patentat e Saimir Tahirit dhe shuma prej 800 mijë eurosh. A është në dijeni ish-ministri i Brendshëm se këto patenta i kishte Orest Sota? Kujtojmë që në deklarimet e ditëve të fundit, Saimir Tahiri është shprehur se nuk kishte pasur mjet lundrues, por pa saktësuar nëse kishte apo jo leje drejtimi për këto mjete.

Xhaxhai i Orest Sotës, komandant i RENEA¬-s

Në makinë e biznesmenit 25-vjeçar, Orest Sota është gjendur edhe patenta e bashkëshortes së Saimir Tahirit, po ky fakt nuk është publikuar nga policia. I ndaluari Sota ka shpjeguar në polici se ka raporte miqësie me shoferin e Tahirit dhe se ky i fundit i ka harruar këto dokumente në makinën e tij. Përsa i përket shumës së madhe të parave prej 800 mijë eurosh, ai ka deklaruar se i ka marrë nga i ati për të blerë hekur në Elbasan.
Tahiri ka patur njohje të hershme me biznesmenin Orest Sota. Sota është pronar i firmës “Eco Construction & Parntners” shpk, e cila është themeluar në vitin 2015 në Tiranë dhe ka rikonstruktuar Komisariatin Nr.6 të Policisë në Tiranë.

Jahti 600 mijë euro që trafikantët i blenë Tahirit

Një denoncim i publikuar dje nga ish-kryeministri Berisha nxjerr të dritë të dhëna tronditëse mbi faktin se, skafi në pronësinë e Saimir Tahirit ka qenë një dhuratë që trafikantët i kanë bërë atij dhe ky mjet ishte nën kujdesin e Policisë së Durrësit për t’u mirëmbajtur. Ish-Kryeministri Berisha i ka bërë thirrje Prokurorisë të hetojë për këtë akuzë të bazuar të qytetarit dixhital’
Ja mesazhi i plotë: “Doktor Berisha, ajo që thua për gomonen e Saimir Tahirit s’është asgjë. Sajmja ka mbi një vit që ka ble jaht ultra që pa frikë ka kushtu 500-600 mijë euro. Ia kan ble ushtarët e vet që ka te Kufiri në Durrës dhe të tjerë që janë edhe ushtarët e Gjushit.
Kanë shti paret dhe ja kan ble në Mal të Zi thuhet. Jahti megjithëse nuk e kishte në emër të tij rrinte te Kalata Zero e portit në Durrës, aty ku rrijnë vetëm skafet e policisë dhe anijet e Mimit. Eshtë ai jahti që denoncoi Lul Basha me foto. Kamerat e sigurisë të portit me siguri e kanë filmu Sajmen dhe të shoqen se vinin personalisht me inspektu punimet e mirëmajtjes së jahtit. Nuk ka rob në port që nuk e di këtë punë. Nuk ka shonc njeri tjetër me majt as një gomone aty te Kalata Zero jo mo jaht veç Sajmes. Ia runte policia e vet.
Me atë Saimiri ka pas dal edhe vet jashtë vendit thojnë,por kushërinjtë e përdornin rregullisht për transport droge. Sa e nxorri Basha foton e jahtit, e hoqën menjëherë me trajl, natën për gjithë natën. Me siguri është filmu e gjitha nga kamerat, po qe se si kanë fshi. Ku është kjo Prokuroria mër Doktor? Njerëzve të shkret i bi bretku gjithë ditën, del ky Saje Qorri dhe bohet me jaht. Të lutem shumë mos ma nxirr emrin se me këta është bela e të fluturojnë nga puna”.

Berisha publikon foton e Tahirit me biznesmenin Orest Sota

Ish-kryeministri Berisha ka publikuar një foto të qytetarit dixhital ku shfaqet biznesmeni Orest Sota së bashku me ish ministrin Saimir Tahiri. Sipas mesazhit të qytetarit dixhital, fotoja është bërë në komisariatin numër 6 në Tiranë. “Sajmir Tahiri me Orestin e 1 milion dollareve cash! Lexoni mesazhin dhe shikoni foton e qytetarit dixhital.”, shkruan Berisha në Facebook.
“Foto e fundit Sajes me Orestin në komisariati nr.6. I kapur me mbi 1milion dollar kesh në Elbasan dhe dy patenta të Saimir Tahirit e që policia e mban të fshehtë. Administratori përftues i tenderave për të pastruar paratë e krimit. Nuk justifikon dot burimin e parave”, shkruan qytetari. Biznesmeni Orest Sota ishte ndaluar më 1 nëntor nga policia por vetëm dje, arrestimi i tij u bë publik nga kreu i PD-së Lulzim Basha, i cili akuzoi policinë për fshehjen e ngjarjes dhe i kërkojë Prokurorisë të hetojë. 25-vjeçari deklaroi në polici se paratë i kishte për likuidimin e faturave për blerje hekuri nga babai i tij dhe se patentat i kishte harruar në makinën e tij shoferi i Tahirit. Orest Sota deklaroi se ishte mik me Tahirin dhe udhëtonin shpesh bashkë.

Dosja që solli në Tiranë ministri i Brendshëm Italian

Marko Miniti solli në Tiranë një dosje të detajuar, me të dhëna konkrete për kokat e trafikut të drogës nga brigjet shqiptare drejt Italisë. Fatmir Xhafaj preferoi ta presë i vetëm në zyrë homologun italian. Informacioni u mbajt i fshehtë për Haki Çakon.
Mosbesimi për Policinë e Shtetit nuk është risi. Ra në sy edhe në aksionin e Babicës, kur u godit magazina e kanabisit të Habilajve. Përgjimet iu dërguan ekskluzivisht Prokurorisë.
Mbetet për t’u parë si do të reagojë qeveria shqiptare pasi u njoh me materialet që solli Marko Miniti në Tiranë.
Dilema për t’i goditur apo jo kokat e trafikut të drogës, që mbushën Italinë me kanabis u vu re edhe në fjalimin e Fatmir Xhafajt sot. Ministri ynë i Brendshëm i tha italianëve se fajin për trafikun e miliona eurove drogë, e kishin fermerët e gënjyer dhe policët që heshtën.
Vetë Edi Rama nuk preferoi të njihet me materialet që solli Marko Miniti në Tiranë. Kryeministri fluturoi në Marok, për “në edicionin e 10-të të Konferencës së Politikave Botërore”.
Por mungesa e Ramës ka qenë e parashikuar. Lulzim Basha u ftua në rezidencën e ambasadorit italian në Tiranë. Një kopje e dosjes ishte përgatitur edhe për kreun e Partisë Demokratike.
Loja është e qartë; Nëse qeveria nuk vepron, në media priten të dalin të tjera përgjime dhe prova që implikojnë njerëz të rëndësishëm pranë Ramës.
Pikërisht për këto foli edhe Marko Miniti para policëve shqiptarë kur i tha se “në Europë, Itali, Shqipëri, nuk ka të paprekshëm”

Tahiri nuk pranon që të flasë për skandalin e ri

Ish-ministri i Brendshëm është mjaftuar evtëm me një fjali pyetjes së bërë nga televizioni Klan se cili ishte komenti i tij për dy patentat e jahteve dhe të anijeve që u kapën në automjetin e mikut të tij se bashku me 800 mijë euro. “Nuk kam gjë për të thënë tani|” është përgjigjur Tahiri, i cili duket se po pret zhvillimet e mëtejshme të hetimeve.
Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda është shprehur se është informuar për rastin e arrestimit të biznesmenit në Elbasan, por nuk pranoi që të japë më shumë detaje.
“Nuk kam asnjë koment derisa të zbardhet dhe të kuptojmë realisht. Sot ka qenë një ditë e ngarkuar për mua për shkak të aktiviteteve. Jam informuar shumë shkurt, por nuk mund të jap detaje”, – u shpreh Voda në emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv
Orest Sota u arrestua Elbasan, pasi iu sekuestruan 800 mijë euro dhe dy patenta emër të Saimir Tahirit.

Sot masa e arrestit për Sotën

Orest Sota, biznesmeni i arrestuar në Elbasan pritet të dalë nesër para gjykatës për t’u njohur më masën e sigurisë.
Sipas policisë, Orest Sota akuzohet për 3 vepra penale: Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt; Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik; Fshehja e të ardhurave.
Sota nuk i ndaloi postbllokut dhe pastrim parash, pasi për shumën 800 mijë euro që iu gjet në makinë nuk kishte asnjë dokument.
Biznesmenit i janë gjetur përpos 800 mijë eurove edhe dy lejet për drejtim të mjete lundruese në emër të ish¬ministrit, ku Tahiri ka nivelin ‘Skipper’

Arben SHAHINI

Artikulli paraprakKy është biznesmeni 25 vjeçar që u kap me 800 mijë euro në xhep dhe dy patentat për anije të Tahirit
Artikulli tjetër500 euro për person, asgjesohet rrjeti që trafikonte shqiptarët