Zbardhet kërkesa e prokurorisë për të ndaluarit e sherrit te Kepi i Rodonit, gjyqi nesër

Prokuroria e Durrësit pritet të kërkojë masën “Detyrim paraqitje” për 8 të arrestuarit gjatë konfliktit të ndodhur të dielën te “Kepi i Rodonit” në Durrës, ku i përfshirë ishte dhe ish-deputeti Mark Frroku.

Arrest me burg në mungesë pritet të kërkohet vetëm për shtetasin Besnik Toma, kushëririn e ish-deputetit, i cili dyshohet se është personi që qëlloi në ajër me armë zjarri.

Seanca për dhënien e masave të sigurisë pritet të mbahet të enjten 2 nëntor, në orën 11:50.

Konflikti ndodhi mes përfaqësuesve të kishës dhe banorëve të zonës në lidhje me një pronë mbi të cilën të dyja palët zotërojnë certifikatë pronësie.

Si përfaqësues të kishës, u arrestuan shtetasit Mark Frroku, Antonio Lazari, Pal Doda dhe Martin Lazeri.

Nga pala tjetër u arrestuan shtetasit Bajram Kaculi, Erjon Reka, Orgito Reka, Ylli Reka.

Konflikti mes dy grupeve nisi si përplasje fizike me sende të forta dhe agravoi deri në përdorimin e armës.

Banorët tentuan të ndalonin përfaqësuesit e kishës të rrethonin truallin shumë pranë detit, në një nga zonat më të lakmuara në Durrës.

Kundërpërgjigjja e tyre solli përshkallëzimin e konfliktit.

Në lidhje me ngjarjen u procedua në gjëndje të lirë shtetasi Ndue Sokoli për veprën penale “Moskallzimi i krimit”.

Mark Frroku dhe përfaqësuesit e kishës akuzohen për veprat penale “Kanosja”, “Moskallzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike.

Ndërkohë të arrestuarit nga pala tjetër akuzohen për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “ Vetëgjyqësia”.

Njoftimi i Prokurorisë:

Në përgjigje të interesit të shprehur dhe të e-maileve tuaja, drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës me nëpërmjet së cilës, në bazë të Ligjit Nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”, në kuadër të informimit për çështje që konsiderohen me interes publik, lidhur me çështjen e ndodhur tek Kepi i Rodonit të raportuar paraprakisht në media, parashtrojmë si më poshtë:

Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës është depozituar Kërkesa Penale me Nr. 732 Akti, datë 31.10.2023 regjistrimi, me objekt:

“Vleftësimin e ligjshëm të arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasve B.K., E. R., O. R., Y. R., P. D., A. L., M. Fr., M. L., B. T. akuzuar për veprat penale te parashikuar nga neni 300,277,302 të Kodit Penal”.

Kjo çështe është në shqyrtim pranë trupit gjykues Znj. Entela Shedula.

Seanca gjyqësore e ardhshme është caktuar më datë 02.11.2023, ora 11:50.

(VO: Sjellim në vëmendjen tuaj se krahas të drejtës për informim, të dhënat e mësipërme, veçanërisht për nga karakteri që bartin, ndër të tjera, janë edhe objekt i Ligjit Nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” (I ndryshuar) ku çdo abuzim me të dhënat që përmbajnë këto manteriale passjell përgjegjësi sipas ligjit. Për këtë shkak, kërkohet që përveç zbatimit të legjislacionit në fuqi të tregohet kujdes i shtuar nga subjektet që disponojnë të dhënat në fjalë.)

Duke vlerësuar veprimtarinë e medias dhe bashkëpunimin e deritanishëm, me qëllim shmangien e ngatërrimit apo keqinfromimit publik, lutemi të vijoni me transmetimin korrekt të informacioneve nëpërmjet komunikimit zyrtar.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, shpreh gatishmërinë maksimale në kuadër të bashkëpunimit me Median, si dhe mbetemi të gatshëm për çdo sqarim apo eventualitet të mundshëm.

Duke ju falënderuar për mirëkuptimin,

ZMP

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës

Artikulli paraprakCDU/CSU përgënjeshtron pretendimet e Rithemelimit dhe mediave pranë tij, Krichbaum flet në emër të grupit tonë parlamentar
Artikulli tjetër“Reagimi opozitar për të mbrojtur familjen Berisha”, Kadilli: Disa ‘deputetucë’ duan t’i bien në sy ish-kryeministrit. E turpshme!