Vuçiçi i zemëruar me Kroacinë, largohet nga Brukseli

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç bojkoton takimet në Bruksel, për shkak të bllokadës së Kroacisë. Vuçiçi kërcënon, ndërsa Berlini nuk është dakord me bllokadat.
Vuçiçi do të bojkotojë ceremoninë e hapjes së kapitujve në negociatat për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, në qoftë se Kroacia vazhdon me bllokimin e hapjes së kapitullit 26 (për arsim dhe kulturë), njofton agjencia gjermane e lajmeve “DPA”. “Mjaft më me kushtëzime”, tha Vuçiçi, i cili bëri të ditur se do të largohet nga Brukseli dhe do të kthehet në Beograd.
Zagrebi ka kërkuar përmirësimin e pozitës së minoritetit kroat në Serbi, në veçanti të lëndës mësimore në shkolla. Vuçiç e konfirmoi vendimin e tij pas takimit që zhvilloi me kreun e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.
“DPA” njofton se kancelarja gjermane, Angela Merkel në mënyrë indiskrete e ka “paralajmëruar” të hënën (11.12) kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç, se çështjet bilaterale duhet të zgjidhen me marrëveshje bilaterale mes vendeve dhe jo në nivelin e BE-së. Kështu është shprehur Merkel në konferencën për shtyp, pas takimit në Berlin me kryeministrin kroat.
“Vuçiçi ka humbur nervat”, e komentojnë mediat kroate sjelljen e kryeministrit serb në Bruksel, duke e quajtur atë si “hap të befasishëm”, shkruan “DPA”. Të martën (13.12) në Bruksel, në kuadër të negociatave të Serbisë me BE-në do të duhej të hapen kapitujt 5 (furnizimet publike) dhe 25 (shkenca dhe hulumtimet). Ndërsa kapitulli 26 sipas të gjitha gjasave nuk do të hapet.
Vuçiçi ka deklaruar para disa ditësh se llogarit me futjen e “vendit të tij të varfër” në BE deri në vitin 2025. Agjencia “DPA” deri tani është e vetmja nga hapësirat gjermanfolëse, të cilat i kanë kushtuar vëmendje kësaj çështjeje.

Artikulli paraprakSerbia, shteti i dytë në botë i armëve të jashtëligjshme
Artikulli tjetërDonald Trump fitues pas rinumërimit të votave