Donald Trump fitues pas rinumërimit të votave

Rinumërimi i votave ka konfirmuar përfundimisht zgjedhjen e Donald Trumpit si president në shtetin e Uiskonsinit. U deklarua më në fund se kandidati republikan e ka mundur rivalen e tij demokrate Hillary Clinton me më shumë se 22 mijë vota, i njëjti numër i regjistruar në numërimin origjinal të votave.
Tre milionë vota të hedhura në të gjithë shtetin u riekzaminuan me kërkesë të Partisë Jeshile dhe kandidates Jill Stein, por sipërmarrja e jashtëzakonshme e rinumërimit solli një diferencë prej vetëm 0,06 për qind, në favor përsëri të presidentit të zgjedhur, të cilit i takonin edhe 162 vota të tjera. Auditi u finalizua në të njëjtën ditë që gjyqtari federal refuzoi kërkesën e mbështetur nga Partia e Gjelbërt për të rinumëruar fletët e votimit në shtetin e Pensilvanisë dhe që të skanoheshin një pjesë e sistemeve zgjedhore të disa konteve për të zbuluar gjurmë të hakimit të sistemit.
Stein, e cili pagoi për procesin e rinumërimit të votave duke mbledhur mbi 7 milionë dollarë nga donatorë të ndryshëm, bëri disa tentativa të ndryshme për të nxitur rinumërimin edhe në shtete të tjera si Pensilvania dhe Miçigani, të cilat u bllokuan menjëherë nga gjykata.
Kërkesa e saj për të kontrolluar çdo fletë të vetme votimi me dorë në të gjithë shtetin e Uiskonsinit, kërkesë e cila u mbështet edhe nga Hillary Clinton, u refuzua gjithashtu. Në një deklaratë të lëshuar ditën e hënë, zj. Stein falënderoi punonjësit shtetërorë të procesit zgjedhor pasi kishin punuar shumë për të mbyllur procesin e rinumërimit deri në afatin e ditës së martë të imponuar nga qeveria federale, datë në të cilët duhet të ishin zgjidhur të gjitha konfliktet zgjedhore.
Megjithatë, ajo tha se refuzimi i disa prej konteve për të zhvilluar procesin e rinumërimit ka ngritur shumë pikëpyetje në lidhje me integritetin e procesit. “Ky proces rinumërimi nuk u nis për të ndryshuar rezultatin zgjedhor, por për të vërtetuar votat dhe të rikthyer besimin e amerikanëve dyshues tek sistemi ynë zgjedhor. Rinumërimi në Uiskonsin ka ngritur shumë çështje të rëndësishme që lidhen me integritetin e procesit zgjedhor që kërkojnë vlerësime të mëtejshme dhe hapa konkretë për të garantuar atë integritet dhe besim në sistemin zgjedhor që kërkojmë të gjithë”, tha ajo gjatë deklaratës.
Një padi e ngritur nga fushata e zj. Stein pretendonte se kishte pasur parregullsi në numrin total të votave të zgjedhjeve të Uiskonsinit, që tregojnë se mund të ketë pasur manipulime potenciale në sistemin e votimit elektronik. Zj. Stein, e cila arriti të sigurojë vetëm 1 për qind të votave në çdo shtet ku Donald Trumpi ka pasur fitore të ngushtë, argumentoi se makineritë e votimit në të tre shtetet ishin të dobëta përballë një hakimi potencial.
Në Pensilvani, gjyqtari federal Paul Diamond tha se ekzistonin të paktën gjashtë arsyetime ligjore që e detyronin atë të refuzonte padinë e Partisë së Gjelbërt, e cila është kundërshtuar edhe nga presidenti i ri Trump, nga Partia Republikane e Pensilvanisë dhe zyra e prokurorit të Përgjithshëm të Pensilvanisë.
“Fakti më i rëndësishëm është se nuk ka asnjë provë të besueshme që mund të ketë ndodhur një hakim dhe nuk ka prova që të tregojnë se sistemi zgjedhor i Pensilvanisë është manipuluar në njëfarë mënyre”, shkroi gjyqtari Diamond në arsyetimin e tij. Ai tha gjithashtu se kishte pasur një pritje të pajustifikuar dhe paragjykuese nga ana e Partisë së Gjelbërt përpara se të ngrinte padinë, pra katër javë pas zgjedhjeve të 8 nëntorit.
Partia e Gjelbërt është përplasur me barriera të shumta në gjykatat e kontesë dhe shteteve të ndryshme që në kohën kur filloi të kërkonte rinumërimin e votave. Një avokat i Partisë së Gjelbërt tha ditën e hënë se ishin shumë të zhgënjyer dhe e kishin të pamundur të deklaronin nëse do ta apelonin apo jo vendimin e gjykatës.
“Një gjë është e sigurt”, tha avokati i partisë Ilann Maazel. “Sistemi zgjedhor i Pensilvanisë nuk është i drejtë për votuesit dhe votuesit nuk e dinë nëse vota e tyre vlen apo ajo. Ky është një problem i madh”. Në Pensilvani, Donald Trumpi e mundi rivalen Hillary Clinton me rreth 44 mijë vota nga 6 milionë të hedhura. Një gjyqtar federal e ndaloi procesin e rinumërimit në shtetin e Miçiganit javën e kaluar pas tre ditësh. Donald Trump ka fituar në Miçigan me më pak se 11 mijë vota nga 4,8 milionë të hedhura.

Artikulli paraprakVuçiçi i zemëruar me Kroacinë, largohet nga Brukseli
Artikulli tjetërKush do të jetë Sekretari i ri i Shtetit?