Vota kundër SHBA, Trump: Identifikuam kundërshtarët

Në fjalimin mbi gjendjen e vendit, që zgjati 1 orë e 20 minuta, Presidenti Donald Trump theksoi gjendjen e mirë ekonomike dhe bëri thirrje për përpjekje dypalëshe lidhur me emigracionin.

Fjalimi i tij përpara të dyja dhomave të Kongresit, që u transmetua drejtpërdrejt në televizion, vjen një vit pasi zoti Trump mori detyrën e Presidentit dhe rreth një javë pas debateve mbi buxhetin dhe politikën që duhet ndjekur ndaj një grupi emigrantësh që kanë ardhur në Amerikë ilegalisht në moshë të mitur. Debatet çuan në mbylljen për tre ditë të qeverisë.

Në fillim të fjalimit, Presidenti tha: “Gjatë vitit të fundit, bota ka parë atë që e kemi ditur gjithmonë: se asnjë popull mbi Tokë nuk është aq i patrembur, aq i guximshëm apo i vendosur sa amerikanët. Nëse ka një mal, ne ngjitemi. Nëse ka një kufi, ne e kalojmë atë. Nëse ka një sfidë, ne e përballojmë atë. Nëse ka mundësi, ne nuk e lemë të na ikë. Pra, le të fillojmë sonte, duke pohuar se gjendja e vendit tonë është e fortë, sepse njerëzit tanë janë të fortë. Dhe së bashku, po ndërtojmë një Amerikë të sigurt, të fortë dhe krenare. Që nga zgjedhjet, ne kemi krijuar 2.4 milion vende të reja pune, duke përfshirë 200,000 vetëm në prodhim. Pas viteve të stanjacionit në paga, më në fund po shohim paga në rritje.”

EKONOMIA DHE PUNËSIMI

Presidenti Trump foli për punësimin, zhvillimin e ekonomisë dhe reformën e taksave, të miratuar kohët e fundit.

“Ne shkurtuam normën e tatimit mbi biznesin nga 35 për qind në 21 për qind, që kompanitë amerikane të mund të konkurrojnë dhe të fitojnë kundër çdokujt në botë. Vetëm këto ndryshime vlerësohet se do të rrisin të ardhurat mesatare të familjeve me më shumë se 4.000 dollarë. Bizneset e vogla do të kenë gjithashtu një shkurtim masiv të taksave dhe tani mund të zbresin 20 përqind të të ardhurave të tyre të biznesit,” tha Presidenti.

Ai u kërkoi ligjvënësve të miratojnë planin e tij prej triliona dollarësh për infrastrukturën. Ky plan parashikon riparimin e rrugëve dhe urave, si dhe modernizimin e aeroporteve.

REFORMA E IMIGRACIONIT

Presidenti Trump foli për planin e tij të reformës së emigracionit duke thënë se ky plan ofron një rrugë për marrjen e shtetësisë nga 1.8 milionë emigrantë të paligjshëm të sjellë në SHBA nga prindërit e tyre në një moshë të re. Sipas këtij plani, tha Presidenti, ata që plotësojnë kërkesat për arsim dhe punë dhe shfaqin karakter të mirë moral, do të mund të bëhen shtetas amerikanë.

Presidenti Trump tha se pjesë e këtij plani është ndërtimi i një muri në kufirin jugor, si dhe dhënia fund e lotarisë së vizave, një program që ofron kartat e gjelbra pa marrë parasysh aftësitë, meritat ose sigurinë e popullit amerikan. “Është koha të fillojmë të lëvizim drejt një sistemi imigrimi të bazuar te merita – një sistem që pranon njerëz të aftë, që duan të punojnë, cilët do të kontribuojnë në shoqërinë tonë dhe që do ta duan dhe respektojnë vendin tonë,” tha Presidenti Trump.

Ai foli gjithashtu për çështje të sigurisë kombëtare, si aktiviteti bërthamor dhe programi i raketave të Koresë së Veriut, si dhe nevojën për politika të drejta tregtare, pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nën administratën Trump, nga Marrëveshja e Partneritetit të Transpaqësorit, TPP, dhe nisma për rinegociimin e Marrëveshjes për Tregtinë e Lirë të Vendeve të Amerikës Veriore me Meksikën dhe Kanadanë, të njohur si NAFTA.

MPOSHTJA E ISIS-IT

“Jam krenar të raportoj se koalicioni për të mposhtur ISIS-in ka çliruar gati 100 për qind të territorit të mbajtur dikur nga këta vrasës në Irak dhe Siri. Por ende ka shumë punë për t’u bërë. Ne do të vazhdojmë luftën tonë derisa ISIS të mposhtet,” tha Presidenti Trump.

“Terroristët nuk janë thjesht kriminelë. Ata janë luftëtarë të paligjshëm të armikut. Dhe kur kapen jashtë shtetit, ata duhet të trajtohen si terroristë që janë.”

“Në të kaluarën, – tha Presidenti, – ne kemi lëshuar pa arsye qindra terroristë të rrezikshëm, të cilët janë kthyer përsëri në fushën e betejës, duke përfshirë udhëheqësin e ISIS, al-Baghdadi. Prandaj, sot po mbaj një premtim tjetër. Sapo nënshkrova një urdhër që udhëzon Sekretarin e Mbrojtjes Mattis të rishikojë politikën tonë të paraburgimit ushtarak dhe për të mbajtur hapur objektet e paraburgimit në Gjirin e Guantanamos.”

NJOHJA E JERUZALEMIT DHE NDIHMAT PËR JASHTË

“Muajin e kaluar, – tha Presidenti Trump, – ndërmora një hap të miratuar njëzëri nga Senati vetëm pak muaj më parë: Njoha Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit. Pak më vonë, dhjetëra vende votuan në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kundër të drejtës sovrane të Amerikës për ta bërë këtë njohje.

Taksapaguesit amerikanë u dërgojnë me bujari këtyre vendeve miliarda dollarë ndihma çdo vit. Kjo është arsyeja përse sonte po i kërkoj Kongresit të miratojë një ligj që dollarët amerikanë për ndihmat e huaja t’u shërbejnë gjithmonë interesave amerikane dhe t’u shkojnë vetëm miqve të Amerikës. Ndërsa forcojmë miqësitë në mbarë botën, ne gjithashtu po rikthejmë qartësinë se cilët janë kundërshtarët tanë,” tha Presidenti Trump.

NJË FJALIM OPTIMIST

Viti i parë në detyrë i Presidentit Trump është karakterizuar nga sulmet e tij të vazhdueshme në Twitter kundër kundërshtarëve të tij politikë, ligjvënësve demokratë dhe ndaj atyre republikanëve që kanë ngjallur zemërim tek ai, ngaqë nuk kanë qenë dakord me disa politika të tij.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, edhe në kushtet kur Uashingtoni është i përçarë, fjalimi i zotit Trump është optimist,me thirrje për bashkëpunim si ndaj republikanëve, edhe ndaj demokratëve, për zgjidhjen e çështjeve të diskutueshme.

Zoti Trump e mbajti fjalimin e tij për gjendjen e vendit në kushtet kur mbështetja e vouesve për të është në nivelin më të ulët, krahasuar me presidentë të tjerë amerikanë në të njëjtën periudhë të mandatit 4-vjeçar në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas anketave të zhvilluara kohët e fundit nga firma Gallup, 58 për qind e amerikanëve nuk janë dakord me drejtimin prej të tij të vendit. Pas 9 muajsh në Shtetet e Bashkuara do të mbahen zgjedhjet për në Kongres, ku do të votohet për 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe një të tretën e 100 vendeve të Senatit.

HETIMI MBI NDËRHYRJEN E RUSISË

Fjalimi për gjendjen e vendit u mbajt ndërkohë që ka një proces hetimi për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 dhe kontaktet e fushatës së zotit Trump me operativë rusë. Hetimi zhvillohet nën drejtimin e prokurorit special Robert Mueller, i cili është duke hetuar gjithashtu nëse Presidenti Trump është përpjekur të pengojë drejtësinë, kur shkarkoi nga puna ish drejtorin e FBI-së James Comey, në kohën kur ai drejtonte hetimin nga agjencia e zbulimit për ndërhyrjen e mundshme të Rusisë.

Për muaj me radhë, zoti Trump ka mohuar të ketë patur një marrëveshje të fshehtë me Rusinë dhe javën e kaluar ai tha se nuk bëhet fjalë për “pengim të drejtësisë”. Presidenti tha se ai do që t’u përgjigjet pyetjeve të juristëve të zotit Mueller nën betim, por deri tani nuk është caktuar ndonjë datë për intervistë.

Presidenti Trump e përmendi vetëm një herë Rusinë në fjalimin e tij.

PËRGJIGJEN DEMOKRATËT

Në emër të demokratëve u përgjigj anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve Joe Kennedy III. Ai iu drejtua të ashtuquajturve “ëndërrimtarë”, atyre që kanë hyrë ilegalisht në SHBA bashkë me prindërit e tyre kur ishin fëmijë, por që tani e kanë të ardhmen të pasigurt, për shkak se programi qeveritar për ndihmën ndaj tyre është pezulluar.

“Ju jeni pjesë e historisë sonë. Ne do të luftojmë për ju. Ne nuk do të largohemi,” tha zoti Kennedy. “Ju mbushët Uashingtonin vitin e kaluar që asnjë prind të mos shqetësohet për jetën e fëmijës së tyre,” tha ligjvënësi demokrat. “Politikanët, tha ai, – mund të gëzohen për premtimet që bëjnë. Por vendi ynë do të gjykohet nga premtimet që mbajmë. Kjo është ajo që mat karakterin tonë,” tha ai.

Të paktën 14 anëtarë demokratë të Kongresit thanë se do ta bojkotonin fjalimin e presidentit.

Artikulli paraprakRama emëron Majlinda Bregun Presidente të RCC në Sarajevë
Artikulli tjetërBregu: Kandidova vetë në RCC, por kërkesa u bë nga Ministria e Jashtme