Prokuroria e Tiranës i kërkon SPAK të marrë nën hetim drejtuesit e Bankës së Shqipërisë për skandalin e mikrokredive

Gazetarja Anila Hoxha ka deklaruar se Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë për skandalin e mikrokredive dhe çështjen ia ka kaluar për hetim Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Hoxha deklaroi në emisionin “Top Story” se ka me dhjetra denoncime të qytetarëve të cilët kanë humbur edhe banesat e tyre për mosshlyerjen e kësteve, edhe pse kanë marrë shuma të vogla kredi. Ajo deklaroi më tej se Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar SPAK-ut hetime të zyrtarëve të Bankës së Shqipërisë për mosveprimet e tyre.

“Zhvillimi më i bujshëm i javës së kaluar, lidhet me një hetim që besoj se nëse ecet me ritmet e duhura për moshpalljen e kompetencës nga Prokuroria e Tiranës për një çështje që ka përfshirë Bankën e Shqipërisë dhe i ka kërkuar hetime SPAK. Për një nga skandelet që Prokuroria e Tiranës e ka konsideruar që nuk është kompetente në lidhje me mikrokreditë. Ka me dhjetra denoncime të qytetarëve, të cilët janë përfshirë dhe janë viktimizuar nga skemat e mikrokredive duke marrë shuma të vogla edhe në fund ata kanë humbur edhe shtëpitë. Prokuroria e Tiranës kërkon që të hetohen zyrtarët e lartë të Bankës së Shqipërisë për mosveprim, përse nuk kanë ndërhyrë për të vendosur rregulla në tregun e kredive dhe i ka kaluar SPAK-ut. Kjo është një çështje shumë e madhe sepse ka zyrtarë të Bankës që kërkohen hetime.” – tha Anila Hoxha.

Në Shqipëri, aktualisht, një numër operatorësh të prezantuar si “mikrokredit” kanë lulëzuar falë injorancës së përgjithshme të qytetarëve mbi problemet financiare, por edhe mungesës deri në nivel të papërgjegjshmërisë, të veprimeve paralajmëruese dhe parandaluese nga ana e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe më gjerësisht, të autoritetit shtetëror.

Këto zyra që në Shqipëri janë prezantuar me termin e rrejshëm “mikrokredi” kanë natyrë zhvatëse dhe shënjestrim me marketing agresiv të qytetarëve më të pambrojtur nëpër zonat më të varfra e periferike të një vendi. Këto zyra japin kredi për shqiptarët naivë apo ata të gjendur në vështirësi me normë interesi mbi 100% në vit.

Kredi me norma të tilla interesi detyrimisht do të dështojnë të paguhen nga një pjesë thelbësore e huamarrësve. Dhe rrjeti ligjor shqiptar sot, në vend që të mbrojë huamarrësit, duket se është vënë në dispozicion të fajdexhinjve.

Sipas ekspertëve, kjo skemë nisi të aplikohet kryesisht pas vitit 2014, periudhë kur ekonomia globale hyri në një stanjacion ekonomik dhe kriza e likujditetit u bë gjithmonë e më pranishme, duke prekur bizneset dhe kreditë individuale. Kjo krizë u shfrytëzua me sukses edhe në Shqipëri, ku filluan të lindnin dhjetëra kompani. Këto kompani, pasi blinin kreditë e këqija nga bankat e nivelit të dytë, filluan ti mbledhnin ato duke shkelur rëndë të drejtat e këtyre kreditorëve. Situata arriti deri aty sa atyre u vendosej gjoba, duke shkuar në masën e 30 për qind.

Ky operacion duhej të kishte mblidhur kreditë e këqija nga kreditorë të mëdhenj, por në fakt përfundoi si një aksion për të grabitur të pamundurit, sidomos kreditorët e vegjël. Nismëtari i këtij operacioni ishte ish-zv. kryeministri i kohës, Arben Ahmetaj. Ai e pa si zgjidhje për problemet e borxhit që kreditorët kishin ndaj bankave, shitjen e këtyre kredive të cilat u konsideruan të këqija te institucione të licensuara për të mbledhur këto borxhe. Pas aprovimit të këtij megaoperacioni për pastrimin e kredive të këqija, në Shqipëri, brenda një periudhe të shkurtër, u shfaqën dhjetra institucione tagrambledhëse.

Artikulli paraprakVeliaj i tmerroi të gjithë
Artikulli tjetërVdekshmëria nga aksidentet, për çdo 100 ngjarje humbën jetën 9 persona