Vjedhja me rimbursimin, Beqaj zhvat 11 milionë euro të tjera

Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë një inspektimi në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor gjeti abuzime miliona euro me faturat e rimbursimit të ilaçeve më 2015.
Në programin DEPO, i cili shërben për regjistrimin e inventarëve, faturat hyrëse dhe faturat dalëse u konstatuan se janë deklaruar më shumë shitje se sa hyrje të barnave të rimbursueshme, si nga depot, ashtu dhe nga rrjeti i hapur farmaceutik, gjithsej në shumën 1,627,500 mijë lekë.
Konkretisht, nga auditimi i të dhënave të regjistruara në këtë program, Kontrolli i Lartë i Shtetit evidentoi këto problematika:
– Depo farmaceutike që rezultojnë të kenë mbyllur vitin 2015 (dhjetor 2015) me gjendje negative për 14 barna të rimbursueshme në shumën 1,086,307 mijë lekë, çka do të thotë që referuar të dhënave të sistemit janë deklaruar shitje të barnave drejt rrjetit të hapur farmaceutik më shumë se sa deklarimi në hyrje i tyre.
– Nga përpunimi i të dhënave është konstatuar, se në 10 raste në bilancin shitje, konsum, gjendje të barnave të rimbursuara, rezulton një diferencë, ku vlera e rimbursuar është më e madhe se vlera e barnave të shitura nga depot dhe rrjeti farmaceutik me 541,192 mijë lekë.
– Në 16 raste janë regjistruar shitje me minus, të cilat rezultojnë të jenë kthime të barnave nga qendrat spitalore në drejtim të depove farmaceutike brenda datës së skadencës në shumën 7,731 mijë lekë, për barna si Ketosteril, Mircera syringe, Renvela, Zelboraf, etj., me argumentimin e nevojës për barna të tjera.
– Regjistrohen fatura shitjeje, kur sasia e barnave në faturë është më e madhe se gjendja e tyre.
– Nuk regjistrohen të dhëna për barnat që shkojnë tek subjektet që nuk kanë kontratë me FSDKSH për depo apo farmaci.
– Nuk ekzistojnë kontrolle për sasinë e barit, të cilën subjekti blen dhe sasinë po për të njëjtin bar që i njëjti subjekt kthen, ku kthimi i tij regjistrohet si shitje me minus.
– Nuk rezulton të jetë bërë ndonjëherë gjatë vitit 2015, automatikisht apo manualisht kryqëzimi i të dhënave për hyrjet e barnave që depot deklarojnë, me të njëjtin informacion që ka Agjencia e Kontrollit të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM).
– Përditësimi i listës së farmacive dhe depove që gjenden në program bëhet vetëm dy herë në vit, një herë në lidhje të kontratës në fillim të vitit dhe herën tjetër me hyrjen në fuqi të listës së barnave, duke mos i update-uar në kohë këto subjekte për kontratat e reja, duke krijuar kushtet për regjistrime jo të sakta në këto raste.
– Nuk rezulton të ketë ndonjë krahasim të subjekteve farmaceutikë regjistruar në sistemet Depo, Recetat Offline, E-farmacia me të dhënat për këto subjekte nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit (QKR).

Si u zbulua skandali?

Si u zbulua megaskandali i recetave falso që bënin kthimin e parave nga fondi i rimbursimit të ilaçeve? Pas gjithë kësaj afere nuk qëndron një rastësi. As një zbardhje si pasojë e një kërkimi rutinë. Ajo ç’ka ka ndodhur është më komplekse. Lajmet e para krijuan konfuzion. Fillimisht Prokuroria njoftoi se do të fillonte hetimin për 4 farmaci inekzistente, të cilat merrnin paratë e ilaçeve që gjoja u jepnin pacientëve. Fjala është për ato medikamente që shteti ua paguan pacientëve me sëmundje të rënda si kanceri. Por nuk kaloi pak kohë dhe skandali rezultoi të jetë më i madh, sepse dyshohet se nuk kanë qenë 4, por plot 47 farmaci që kanë marrë pjesë në këtë lojë të grabitjes së parave publike. Gjithçka ka nisur kur për 4 farmacitë e para, të cilat morën një shumë prej 420 mijë eurosh rimbursim, filloi një hetim nga auditi i zyrës së antikorrupsionit në Kryeministri. Rezultatet në të cilat ata arritën qenë të frikshme. Ata hartuan një raport rreth 50 faqe ku zbulohet qartë se përmasat e abuzimit janë shumë më të mëdha. Ato shkojnë në disa miliona euro. Pikërisht këto konkluzione ata ia dorëzuan edhe zyrtarëve të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Bëhej fjalë për rimbursim të lekëve për mijëra ilaçe që kushtojnë nga 350 deri në 800 mijë lekë për copë. Abuzimi qe alarmant. Por si për çudi këtë abuzim, i cili përshkruhej në raportin e auditit zyrtarët e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore e mbajtën të fshehtë. “Në vend që t’ia përcillnin Prokurorisë, ata zgjodhën një manovër tjetër. Bënë denoncim vetëm për 4 farmaci duke u munduar të zvogëlonin përmasat e skandalit, me shpresën se ai do të shuhej”, tha një burim i Prokurorisë. Pikërisht kështu shpjegohet fakti se fillimisht u fol për 4 farmaci mashtruese, ndërsa rezultoi se ishin plot 47 të tilla. Hetimet e Prokurorisë do të përfshinin rimbursimin e ilaçeve që nga fillimi i vitit 2014, ndryshe nga sa parashikohej në denoncimin e bërë nga Fondi i Sigurimeve, që përfshinte periudhën nga nëntori 2014 deri në prill të 2015.
Hetimet çuan në disa arrestime. Të gjithë të lidhur me fije politike në qeveri. I pari ishte Skura, një drejtues politik, i cili u la i lirë brenda pak muajsh me ndërhyrjet e forta të qeverisë. Më pas u arrestua një tjetër peshk i madh si pronari i “Omega Pharma” që vazhdon të fitojë tenderat e ministrit Beqaj.

Skandali, gjykata pezulloi dënimin

Gjykata e Tiranës ka urdhëruar lirimin nga burgu të grosistit të ilaçeve Nadir Çausholli, administrator i kompanisë farmaceutike “Omega Pharma”. Biznesmeni u arrestua më 31 tetor të 2015, ku akuzohej nga Prokuroria si i përfshirë në skandalin e rimbursimit të ilaçeve përmes recetave fiktive. Gjykata urdhëroi shuarjen e masës “Arrest me burg” në vendimin përfundimtar të gjykimit të tij ku u deklarua fajtor për falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim.
Gjykata pezulloi ekzekutimin e dënimit me burg duke e lënë në liri me kusht për një periudhë 2 vjet e gjashtë muaj. Gjatë kësaj kohe ai duhet të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës.

“Monitor”

Artikulli paraprakRama, 165 mijë euro për dy udhëtimet me avion çarter
Artikulli tjetërNë pranga biznesmeni, i la në tavolinë 5 milionë lekë gjyqtares