Rama, 165 mijë euro për dy udhëtimet me avion çarter

Kryetari i opozitës Basha ka denoncuar shpërdorimin e parave të takspaguesve për luksin e Kryeministrit. Në një takim me strukturat e PD në Tiranë, Basha deklaroi se vetëm në dy udhëtime për të cilat Rama ka përdorur avionët privat ka shpenzuar shumën prej 165 mijë eurosh. “Dy herë vetëm muajin që sapo lamë mbrapa ka marrë çarterin, 80 mijë euro për Bruksel, 85 mijë euro për në Hamburg. Në qoftë se vendi duhet të shohë një ditë të bardhë kushti numër një është largimi i kësaj qeverie, largimi i këtij Kryeministri”, tha Basha.
Aferat korruptive të Ramës shoqërohen në të njëjtën kohë me inkriminimin e strukturave qeveritare. Binomi krim-korrupsion është ajo çfarë Rama ka ofruar gjatë këtyre tre viteve. Të gjitha këto afera janë publike. Ndërsa skontot bankare të Ramës mbushen sikurse pohon edhe raporti konfidencial i OSBE, duke arritur shuma të çmendura prej 200 milionë eurosh, 46% familjeve shqiptare sipas raportit të OKB jetojnë me vetëm 500 lekë në ditë.

Përplasja mes Policisë së Lezhës dhe Mirditës

Përplasja mes Policisë së Lezhës dhe Mirditës për drogën në Rrëshen dhe shkarkimet në bllok të oficerëve të policisë që kryen operacionin, janë treguesi më i qartë se ku ka degraduar shteti i Edi Ramës, dhe se kush është padroni i vërtetë i drogës në Shqipëri. Këtë ka deklaruar kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në takimin me drejtues të strukturave të PD në degën 12 në Tiranë. Mbi 3 tonët e drogës të kapur në Mirditë janë një tjetër fakt i kanabizimit të vendit nga Edi Rama.
“Ky është një shtet i banditizuar në çdo qelizë, për pazaret e drogës nuk po luftojnë më vetëm bandat me njëra-tjetrën, por po lufton edhe shteti brenda shtetit. Mbi tre tonë drogë kanë kapur në ish-pularinë në Rrëshen, jo në majë të malit, por në qytet. Prej katër apo pesë orësh e mbanin të rrethuar dhe nuk guxonte të hynte policia. Policia e Rrëshenit kishte braktisur operacionin, Policia e Lezhës nuk guxonte të hynte. Është treguesi më i qartë i kriminalizimit të shtetit e të policisë nga Edi Rama, e ka vënë në funksion të padronëve të drogës. Ka tregues më të qartë se kush është i zoti i drogës?! E kush tjetër përveç Edi Ramës”.
S’ka punësim, s’ka investime, s’ka para për fermerët, sepse paratë shkojnë tek miqtë e Edi Ramës. Vetëm gjatë vitit 2016, nga janari deri në shtator, 14 kompani me lidhje miqësore, politike dhe klienteliste me Edi Ramën kanë përfituar 42.2 milionë dollarë. Me këto para mund të hapeshin 55 mijë vende pune në një vit.
“Droga, krimi, hajdutëria qeveritare, këto janë tre përgjegjësitë kryesore për gjendjen e vendit. Subvencione jo, vende pune jo, investime jo. Pse?! Sepse kjo është zgjedhja e Edi Ramës. Jo se nuk ka lekë, siç gënjen lart e poshtë, se lekë për miqtë e vet ka. Pse paske lekë ti për t’i dhënë Vilma Nushit 1.7 miliardë, 134 milionë dollarë  të tjera i ka marrë 11-sha, kombëtarja e korrupsionit. Dy herë vetëm muajin që sapo lamë mbrapa ka marrë çarterin, 80 mijë euro për Bruksel, 85 mijë euro për në Hamburg. Në qoftë se vendi duhet të shohë një ditë të bardhë kushti numër një është largimi i kësaj qeverie, largimi i këtij Kryeministri”.

E. DACI

Artikulli paraprakSa do të jetë rritja e re e taksave dhe tarifave në 2017?
Artikulli tjetërVjedhja me rimbursimin, Beqaj zhvat 11 milionë euro të tjera