Në pranga biznesmeni, i la në tavolinë 5 milionë lekë gjyqtares

Ervin Braho është biznesmeni i arrestuar ditën e djeshme, pasi ishte shpallur në kërkim, pasi tentoi të korruptonte gjyqtaren që kishte në ngarkim një çështje të tij. Biznesmeni u shpall në kërkim nga efektivët si i akuzuar për korrupsion, pasi i la gjyqtares në zyrë një zarf me 5 milionë lekë për të dhënë një vendim në favor të tij. Braho, biznesmeni nga Pogradeci që prej gati dy vitesh po zhvillon një proces gjyqësor administrativ kundër Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjitikës, është shpallur në kërkim me një vendim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Nga të dhënat rezulton se Braho akuzohet për “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj gjyqtarit” dhe “Korrupsion”. Kjo pasi siç mësohet tre ditë më parë, Ervin Braho ka shkuar në zyrën e gjyqtares Selvije Gjonçaj, duke i lënë kësaj të fundit mbi tavolinë një zarf me shumën financiare prej 5 milionë lekësh.
Nga burimet mësohet se, gjyqtarja Gjonçaj ka pasur në dorë çështjen për gjykim, ku Braho ka paditur ministrinë për dëmshpërblim financiar, pasi sipas tij ka qenë ministria, ajo që ka penguar ndërtimin e një HEC-i mbi lumin Mat.
Padia është regjistruar në emër të kompanisë “Albanian Hidropower 2013”, e cila prej gati dy vitesh po zhvillon gjyq me ministrinë. Nga nisja e këtij gjyqi dhe deri tani janë ndryshuar dy gjyqtarë në këtë çështje, si Emiljano Ruli dhe Elvana Cicolli. Pas përjashtimit të këtyre dy gjyqtarëve, çështja i kishte rënë për gjykim Selvije Gjonçaj, por edhe kjo e fundit tashmë do japë dorëheqjen për shkak se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet se në këtë çështje janë kryer afera korruptive.
Megjithëse procesi gjyqësor nuk ka qenë në daljen e një vendimi përfundimtar, biznesmeni Ervin Braho ka zgjedhur të korruptojë gjyqtaren Gjonçaj, që në fillim. Për të fituar në favor të tij procesin gjyqësor, mësohet se biznesmeni Braho ka takuar në zyrë gjyqtaren Gjonçaj. Në bisedë e sipër 35-vjeçari i shpallur në kërkim i ka lënë në zyrë një zarf me shumën prej 5 milionë lekë të vjetra gjyqtares dhe është larguar. Kundërshtimeve të gjyqtares, thuhet në kallëzim, biznesmeni Braho i është përgjigjur me buzëqeshje. Ai nuk ka pranuar të marrë mbrapsht zarfin me lekët dhe është larguar nga ndërtesa.
Në këto kushte, gjyqtarja ka njoftuar Policinë dhe Prokurorin për Krime të Rënda, ku edhe ka depozituar kallëzimin penal, ku ka treguar me detaje të gjithë skemën e krimit. Për llogari të këtij hetimi nga ana e oficerëve të Policisë Gjyqësore janë sekuestruar paratë, pamjet filmike të Gjykatës ku duket qartë momenti kur biznesmeni Braho hyn dhe del nga zyra e gjyqtares, si dhe kërkesa që sekretarja e gjyqtares i bën në korridor biznesmenit Braho, që të kthehet të marrë zarfin.
Veç kompanisë “Albanian Hidropower 2013” Ervin Braho, zotëron kompaninë “Fada 1” me qendër në Pogradec e cila ka si objekt “Tregtimi i artikujve të ndryshëm industrialë, fruta perime, materiale ndërtimi, artikuj elektroshtëpiake, produkte bujqësore e blegtorale, elektrike dhe mekanike, hotele, motele, nxjerrja shfrytëzim, përpunim, tregtim të mineraleve të të gjitha kategorive si dhe nxjerrje, shfrytëzim, përpunim e tregtim të gurëve dhe zhavorreve.

Artikulli paraprakVjedhja me rimbursimin, Beqaj zhvat 11 milionë euro të tjera
Artikulli tjetërFshesa greke, kthehen dhjetëra emigrantë edhe në Kapshticë