Vendimet e vështira mes Merkel dhe Macron

Pierre Vimont

Nga këndvështrimi francez, zgjedhjet e ardhshme federale në Gjermani janë faza e dytë e një procesi që ka filluar me zgjedhjen e presidentit Emmanuel Macron në muajin maj. Nuk ka asnjë dyshim nga ana franceze për rezultatin e ardhshëm të votës gjermane. Angela Merkel pritet gjerësisht të konfirmohet si kancelare dhe kjo shihet si një mundësi për të shtuar shpirtin pozitiv që është vërejtur ndërmjet Parisit dhe Berlinit që prej muajit maj. Për lidershipin francez, rizgjedhja e Merkelit shihet si mundësi për të ringjallur Bashkimin Europian, projekt që Macroni e ka promovuar që kur u zgjodh president.
Kjo nuk do të thotë se qeveria franceze i injoron detyrimet e saj në front e reformave. Përpara suksesit të tij elektoral, Macroni e kuptonte mirë sa e rëndësishme është balanca politike ndërmjet përkushtimit francez ndaj reformave kombëtare dhe përkushtimit të fortë bashkë me Gjermaninë për integrim të mëtejshëm europian. Gjatë muajve të parë të mandatit të tij si president, Macron nuk ka humbur kohë për të implementuar pjesën e tij të projektit.
Axhenda e tij gjithëpërfshirëse dhe shpesh provokuese për ndryshimin ekonomik dhe social ka qenë një terapi shoku për popullsinë franceze. Macroni ka përçuar edhe masazhin e qartë drejt Brelinit e vendosshmërisë për të ndryshuar kursin aktual të ekonomisë franceze dhe për ta barazuar atë përsëri me ekonominë gjermane. Nisja e implementimit të reformave të punës këtë verë u pa si shenjë e qartë e dëguar Berlinit për seriozitetin e qeverisë së re franceze, ndryshe nga plogështia që është vënë re në të shkuarën.
Kur zgjedhjet gjermane të kenë mbaruar, Franca do të presë të njëjtin përkushtim të fortë nga ana e Berlinit, këtë radhë në favor të integrimit europian. Për Francën, zgjedhjet e vitit 2017 janë dy fytyra të të njëjtës monedhë. Ato ishin parakushti për të bërë ndryshime thelbësore drejt një Europe më ambicioze pas tronditjes që i dha Brexit. Nga perspektiva franceze, skena politike tashmë është gati që Bashkimi Europian të ecë përpara më i fortë se kurrë.
Megjithatë, kur sezoni zgjedhor të ketë përfunduar në të dy vendet, përshtypja e përkushtimit të përbashkët dhe besimit ndërmjet Berlinit dhe Parisit mund të përballet me një realitet të hidhur. Berlini mund të zbulojë se transformimi i plotë i ekonomisë në Francë mund të hasë kundërshti të fortë në të gjithë sektorët e shoqërisë dhe mund të kërkojë një qasje më graduale nga sa ka parashikuar Gjermania. Sa i përket pritshmërive franceze për Europën, ato mund të përplasen me ambicjet më të kufizuara të Gjermanisë, kur të dy partnerët të fillojnë të punojnë me vizionin dhe detajet e reformave të mëtjeshme në Bashkimin Europian.
Për ata që kanë vëzhguar debatin europian në Francë dhe Gjermani, asgjë nuk do të jetë surprizë. Është mëse e qartë prej kohësh se liderët politikë në Berlin dhe Paris i janë referuar të njëjtëve koncepte, si bashkëpunimi i përhershëm i strukturuar i mbrojtjes apo konsolidimi i eurozonës, por me ide thellësisht të ndryshme në përbërje.
Teksa hapen diskutimet ndërmjet të dy palëve pas përfundimit të sezonit zgjedhor, bashkëpunimi i ri franko-gjerman do të ketë nevojë për një dialog më pak sipërfaqësor se ai që kemi parë gjatë muajve të fundit. Do të kërkojë analizë të thellë për llojin e të ardhmes që Berlini dhe Parisi imagjinojnë për Europën; sa fleksibilitet janë të gatshëm t’i injektojnë institucioneve të BE-së; cilët partnerë mund të mbledhin në koalicion për të promovuar idetë e tyre të përbashkëta të progresit; dhe çfarë lloj procesi duhet të favorizohet brenda Bashkimit Europian për të implementuar reformat. Me fjalë të tjera, të dy partnerët duhet të zbulojnë nëse kanë vërtetë të njëjtin vizion dhe të njëjtën metodë pune teksa përpiqen të promovojnë integrimin europian.
Qartësimi i këtyre dilemave sigurisht që mbart edhe rreziqe. Kundërshtitë mund të dalin në sipërfaqe dhe mund të lëkundin riafrimin e mirëpritur ndërmjet Berlinit dhe Francës. Të dy partnerët janë të ndërgjegjshëm se do të përballen me vështirësi. Ata e dinë se faza pas zgjedhjeve do të kërkojë një sqarim më të mirë të rrugës që kanë ndërmjet të ndjekin. Do të ketë presione nga të dy palët për të marrë në dorë drejtimin dhe për të imponuar vizionin e tyre. Teksa koalicioni i ri në Berlin kërkon pak kohë për t’u formuar, homologët francezë të Gjermanisë do ta mbajnë të lartë presionin për të futur sa më shumë nga idetë e tyre në programin europian.
Ky skenar nuk është aspak i ri. Është mënyra tradicionale e funksionimit të bashkëpunimit franko-gjerman. Edhe pse këndvështrimet e ndryshme janë gjithmonë prezente në këtë partneritet, aseti më i madh i tyre ka qenë aftësia e të dy vendeve për të kapërcyer mosmarrëveshjet dhe për të nxjerrë në dritë anët pozitive të divergjencave të tyre. Nëse Bashkimi Europian kërkon vërtetë të jetë një lojtar serioz në rendin e ri botëror, do të duhet të merren vendime të vështira. Liderët francezë dhe ato gjermanë kanë mbi supe përgjegjësinë për të kapërcyer kundërshtitë mes tyre dhe për ta drejtuar Europën përpara. Për të dy, kjo do të jetë sfida më e madhe e muajve të ardhshëm.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakKartelet meksikane dhe kërkesa amerikane
Artikulli tjetërRadiografi e një projekti të BE-së, faliment, vonesa, shpërthim ujërash të zeza