BE, ultimatum Hungarisë për Sorosin

Bashkimi Evropian i ka dhënë Hungarisë një muaj kohë për t’i adresuar shqetësimet për një ligj të arsimit, i cili thuhet se është në kundërshtim me legjislacionin e BE-së.
Nëse Budapesti nuk vepron, blloku do të procedojë me masa ligjore, tha zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Frans Timmermans.
Në muajin prill, Hungaria ka miratuar një ligj, i cili, sipas kritikëve, ka për qëllim mbylljen e Universitetit të Evropës Qendrore në Budapest.
Ky universitet financohet nga filantropisti George Soros, ndërsa nga mbështetësit e kryeministrit hungarez, Victor Orban, shihet si bastion i opozitës liberale.
Në bazë të ligjit, universitetet e huaja duhet të kenë kampus dhe të ofrojnë kurse të ngjashme në vendin e tyre të origjinës.
“Presim një reagim të autoriteteve hungareze brenda një muaji”, tha Timmermans.
“Nëse përgjigjja nuk është e kënaqshme, Komisioni mund të vendosë të shkojë në gjykatë”, tha ai.

Artikulli paraprakDani Alves prezantohet tek PSG
Artikulli tjetërIsh-Presidenti i Brazilit dënohet për korrupsion