Turqia, Irani dhe Iraku kundërshtojnë referendumin kurd

Turqia, Irani dhe Iraku kërcënuan me kundërpërgjigje, nëse udhëheqësit kurdë të Irakut mbajnë referendumin e planifikuar për pavarësi, më 25 shtator.
Ministrat e Jashtëm të të tria vendeve u takuan në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ai irakian, Ibrahim al-Jaafari dhe ai iranian, Mohammad Javad Zarif, rikonfirmohet përkushtimi i vendeve të tyre për integritetin territorial të Irakut dhe kundërshtimi ndaj referendumit.
Udhëheqësit kurdë duan të mbajnë referendumin në rajonin gjysmë autonom kurd të Irakut dhe zonat fqinje, pavarësisht kundërshtimeve të qeverisë në Bagdad dhe të komunitetit ndërkombëtar.
Irani dhe Turqia e kundërshtojnë fuqishëm votimin nga frika se mund t’i nxisë pakicat e tyre kurde të ndahen.
Duke e cilësuar referendumin si “jokushtetues”, ministrat e Turqisë, Iranit dhe Irakut thanë se ai nuk do të ishte i dobishëm për kurdët e Irakut dhe se do t’i vinte në rrezik fitoret e Irakut kundër grupit militant Shteti Islamik.

Artikulli paraprakIraku nis ofensivën për të rimarrë qytetin Havija nga IS-i
Artikulli tjetërBastisje dhe arrestime në Barcelonë