Trump: Komiteti i Inteligjencës të hetojë përgjimet

Drejtuesi i FBI-së, James Comey i kërkoi Departamentit të Shtetit të hedhë poshtë deklaratën e presidentit Trump se paraardhësi i tij, Barack Obama kishte urdhëruar të përgjohej telefoni i Donald Trump përpara zgjedhjeve të nëntorit 2016, thonë burime të brendshme qeveritare për “ABC News”. Comey ishte i shqetësuar se postimet në Twitter të presidentit – të cilat mendon se janë të pasakta – kanë krijuar përshtypjen se FBI-ja është sjellë në mënyrë jo korrekte dhe paralajmëroi se do t’i qartësonte gjërat. FBI-ja dhe Departamenti i Shtetit i kanë mohuar këto komente.
Trump, i cili nuk ka ofruar asnjë provë për këto pretendimi, ka postuar në Twitter ditën e shtunë se Obama ishte një burrë i keq dhe e krahasoi situatën me ngjarjen e famshme të Watergate. Gjatë një fjalimi të ditës së dielë, sekretari për Shtyp i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer i ka quajtur raportimet në fjalë shqetësuese dhe hetime të motivuara politikisht përpara zgjedhjeve.
Presidenti ka kërkuar që komitetet e inteligjencës së Kongresit që po shqyrtojnë përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016, të shqyrtojnë edhe abuzimin me pushtetin që është zhvilluar gjatë së njëjtës kohë, tha Spicer. “As Shtëpia e Bardhë dhe as presidenti nuk do të komentojnë më tej derisa të zhvillohet hetimi në fjalë”, shtoi ai.
Një zëdhënës i Obamës i mohoi plotësisht dy ditë më parë akuzat e presidentit dhe tha: “Një rregull kardinal i administratës Obama ka qenë që asnjë zyrtar i Shtëpisë së Bardhë të mos ndërhynte me hetimet e pavarura të drejtuara nga Departamenti i Drejtësisë. Si pjesë e kësaj praktike, as presidenti Obama dhe asnjë zyrtar i Shtëpisë së Bardhë nuk ka urdhëruar përgjime për asnjë qytetar amerikan. Çdo sugjerim për të kundërtën është tërësisht i rremë”.
Është prokurori i Përgjithshëm, jo presidenti ai që nënshkruan për mandatet që autorizojnë përgjimet. Në rastet e inteligjencës së jashtme, këto situata duhet të aprovohen nga gjykata FISA – një tribunal sekret me autoritetin për të lëshuar mandate speciale për përgjime elektronike për çdo “fuqi të huaj apo agjent të fuqisë së huaj” që dyshohet se merret me spiunazh apo terrorizëm. Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions është zotuar se do ta distancojë veten nga hetimet e Departamentit të Drejtësisë që lidhen me fushatën presidenciale 2016.
Kjo nuk është hera e parë që Comey, i cili e drejton FBI-në që prej vitit 2013, është vënë nën dritën e projektorëve për sa i përket çështjeve të fushatës presidenciale. Në muajin tetor, vetëm disa javë para ditës së zgjedhjeve, Comey mori një vendim të debatueshëm për të deklaruar se byroja po rihapte hetimin për kandidaten demokrate, Hillary Clinton pasi kishte zbuluar e-mail-e të tjera në serverin privat gjatë mandatit të saj si sekretare e Shtetit. FBI-ja më pas arriti në konkluzionin se e-mail-et nuk kishin asnjë impakt për çështjen.

Presidenti kërkon hetime
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders tha se nuk mendon se presidenti do të pranojë kërkesën e FBI-së për të mohuar pretendimet e tij lidhur me përgjigjet e vitit të kaluar, duke shtuar se nuk ishte ende në dijeni nëse ai kishte folur me agjencitë e zbatimit të ligjit për këtë çështje.
Teksa i përgjigjej pyetjeve të George Stephanopoulos të “ABC News”, nëse Trump do të pranojë ose jo të heqë dorë nga pretendimet e tij, Sander tha: “Nuk besoj aspak”. Sanders tha gjithashtu se presidenti kërkon që Kongresi të hetojë për këto pretendime. “Presidenti kërkon që e vërteta të zbulohet dhe t’i paraqitet të gjithë popullit amerikan përmes Komitetit të Inteligjencës së Shtëpisë së Bardhë dhe ky është procesi që ai ka ndërmend të ndjekë”, tha ajo.
Republikani Devin Nunes, i cili shërben si kreu i Komitetit të Inteligjencës së Shtëpisë së Bardhë, tha gjatë një deklarate në fundjavën e kaluar se komiteti “do të bëjë hetimet përkatëse nëse qeveria e mëparshme ka zhvilluar ose jo aktivitete përgjimi për çdo zyrtar të fushatës së partisë politike”.

Artikulli paraprakZhvillohet Kongresi Popullor në Kinë
Artikulli tjetërQeveria Rama, rritje taksash mbi 450 mijë lekë për çdo familje