Qeveria Rama, rritje taksash mbi 450 mijë lekë për çdo familje

Qytetarëve shqiptarë pritet t’u shtohet barra e taksave akoma më shumë, pas miratimit të dy taksave të reja nga qeveria e majtë, asaj të pronës dhe taksës së administratorit të pallatit. Me një llogari të thjeshtë, rezulton që përmes kësaj takse familjeve shqiptare do u hiqet nga buxheti familjar nga 20 mijë deri në 40 mijë lekë të reja në vit, nga katër mijë që paguajnë aktualisht. Pagesa do të shtohet në faturat e energjisë elektrike ose ujit dhe pritet të jetë e papërballueshme për pjesën e pambrojtur të shoqërisë siç janë pensionistët, ku shumica e tyre paguhen me pensione qesharake që nuk arrijnë më shumë se 150 mijë lekë të reja në vit. Aktualisht, për pronën paguhen rreth katër mijë lekë të reja në vit, të cilat mbahen në faturën e ujit, por qeveria ka menduar që ta pesëfishojë dhe në disa raste të tjera ta dhjetëfishojë koston e një takse për të cilën nuk jep asnjë shërbim.

Taksë për punësim militantësh

Më qesharakja nga të gjitha është taksa për administratorin e pallatit, e cila pritet të variojë nga 1 mijë deri në 3 mijë lekë në muaj. Aktualisht, banorët e pallateve të reja kryesisht e kanë zgjidhur çështjen e administrimit me marrëveshje mirëkuptimi dhe kanë caktuar një kuotë për shërbimet e mirëmbajtjes që kanë të bëjnë kryesisht me ashensorët ose depozitat e ujit dhe pastrimin. Por tani e tutje nuk do të jetë më kështu dhe kjo tarifë nuk do të paguhet vetëm për pallatet e reja, por do të paguajnë dhe banorët e pallateve të para viteve 1990. Tek këto pallate kryesisht nuk është i nevojshëm administrator, pasi shërbimet e tij janë inekzistente. Depozitat janë personale nëpër tarraca kryesisht dhe mungojnë ashensorët. Por edhe këta banorë nuk do i shpëtojnë dot taksës së administratorit, të cilët pritet t’i vendosë bashkia. Madje dhe shumën që do të duhet të paguajnë banorët do të përcaktohet sipas vlerësimeve të bashkisë, por që gjithsesi nuk do të jetë më poshtë se 1 mijë lekë në muaj. Me një llogari të thjeshtë, kjo shumë në vit shkon në 12 mijë lekë të reja ose sa dhjetë për qind e pensionit që ata marrin. Akoma më e rëndë do të jetë kjo barrë për ata persona, nga të cilët nuk përjashtohen dhe shtresat e pambrojtura, të cilët banojnë në komplekse apo pallate të reja ku shuma mund të shkojë deri në 3 mijë lekë në muaj ose 36 mijë lekë në vit. Në këto pallate veç personave që kanë të ardhura të mjaftueshme, banojnë dhe kategoria e njerëzve që i kanë përfituar ato nëpërmjet pronave ose nga puna që të afërmit e tyre kanë bërë jashtë vendit. E gjithë skema duket se është një mënyrë e propozuar nga ana e kryetarëve socialistë të Bashkisë, (Tirana është zona më e mbipopulluar) për të punësuar militantë. Pra, njerëzit do të paguajnë para nga xhepat e tyre për të punësuarn njerëzit e Erion Veliajt si administratorë dhe në ato vende ku këta administratorë nuk duhen siç janë fjala vjen pallatet e para viteve ‘90-të.

Taksa nuk përjashtohet për asnjë kategori

E megjithatë nuk përfundon me kaq. Në faturën e ujit apo të dritave do të shtohet dhe një taksë tjetër, e cila do s’do do të paguhet. Bëhet fjalë për taksën e pronës. Ajo, e cila deri më tani paguhej me një tarifë fikse, e cila nuk i kalon 400 lekë në muaj ose katër mijë lekë tashmë do të vlerësohet në bazë të vlerës së tregut dhe metrit katror sipas zonave. Ekspertët shprehen se në jo pak raste kjo s’do të thotë as më shumë e as më pak, por një dhjetëfishim të taksës aktuale, madje-madje qëllimi i rivlerësimit të pronave të ndërmarra ka qenë pikërisht kjo, rivendosja e taksave. Pra, gëzimit se prona do të vlerësohet më shumë, do i shtohet dhe hidhërimi se do të paguhet më shumë. Në zona të tilla si, ish-Blloku apo TVSH apo të tjerë, ky çmim mund të shkojë deri në 40 mijë lekë në vit. Natyrisht, jashtë kësaj takse nuk do të qëndrojnë as bujqit apo femerët, të cilët do të paguajnë taksë për tokën bujqësore, deri më tani e pataksuar. Taksat vijnë në një moment, kur qeveria po regjistron humbje të mëdha në dogana e tatime. Pra, ato që vjedh nga institucionet që prodhojnë të ardhura po përpiqet t’i kompensojë duke rritur barrën për qytetarët. Në rast se taksës së pronës i shtojmë dhe taksën që do të duhet të paguajmë për administratorët militantë, atëherë shifra mund të shkojë në 50 apo 60 mijë lekë në vit.

Përdorimi i policisë dhe OSHEE për taksat e reja

Revista “Monitor”, para disa ditësh paralajmëronte qytetarët se adresari që po shpërndan Ministria e Brendshme, bashkë me OSHEE-në kishte për qëllim pikërisht vendosjen e kësaj takse. Ja shkrimi i plotë që “Monitor” sillte për këtë qëllim: “Adresari, që Ministria e Brendshme është duke azhurnuar në bashkëpunim me Operatorin e Shpërndarjes, do të prodhojë të dhënat mbi sipërfaqet e banesave në të gjithë vendin, të cilat më pas Ministria e Financave do t’i përdorë për qëllime taksimi, ku me formulën e re të pritshme, taksa mbi pronën do të paguhet mbi vlerën e tregut dhe jo me kuotë fikse. Ministria e Financave ka nënshkruar për këtë qëllim një memorandum me OSHEE për ndarjen e bazës së të dhënave. ‘Censusi’ i OSHEE-së dhe Ministrisë së Brendshme për adresarin e ri të apartamenteve është duke u aplikuar. Është duke u plotësuar një formular nga zotëruesit e apartamenteve në të gjithë vendin. Ai ka për qëllim të evidentojë të dhënat në lidhje me vendndodhjen e objektit, të dhënat për kryefamiljarin, të dhëna për NIPT-in nëse ka biznes. Gjithashtu formulari kërkon të plotësohen të dhënat në lidhje me sipërfaqen e banesës dhe pronarin real të objektit. Në formular kërkohen të plotësohen të dhëna të detajuara në lidhje me stacionin e kontratave të energjisë dhe të ujit. Për energjinë kërkohet nëse keni matës apo jo dhe nëse keni kontratë me OSHEE. Të njëjtat të dhëna do të kërkohen edhe për ujësjellës-kanalizime. Këto të dhëna, pasi të grumbullohen nga kompanitë që ndodhen në terren, do të përdoren nga qeveria edhe për qëllim të kadastrës fiskale që synon të vërë një tatim mbi pronën në bazë të vlerës së tregut dhe jo në kuotë fikse siç aplikohet tani. Duke qenë se fondi i banesave në të gjithë vendin është gati 60 për qind pa hipotekë sipas të dhënave të Censusit të 2011, ky regjistër i ri në lidhje me sipërfaqet e banimit do të ndihmojë qeverinë të taksojë edhe banesat pa hipotekë. Do të pilotohen taksimi i pasurisë sipas kësaj formule në qytetet e Tiranës, Durrësit, Korçës, Fierit dhe më pas projekti do të shtrohet në të gjithë Shqipërinë”.

Artikulli paraprakTrump: Komiteti i Inteligjencës të hetojë përgjimet
Artikulli tjetërKonfindustria: Barra fiskale nga FMN në këmbim të huasë, dëmtoi investimet