Rama në kuotat më të ulta, sondazhi nga stafi i tij

Ka një alarm të pashpallur në Partinë Socialiste. Kryeministri në fushatë është fiksuar keqas mbas sondazheve dhe ka angazhuar më shumë se tri grupe të ndryshme, “ekspertë” të sondazheve zgjedhore.
Kjo sepse, sipas burimeve të “360grade.al”, një sondazh i para pak ditëve ka prodhuar një rezultat që e ka tronditur, kryetarin e PS, sepse pikët e grumbulluara nga PS dhe nga ai personalisht, janë më të ulëtat e të gjitha kohëve dhe janë shumë larg pikësynimeve të tij përfundimtare.
“360grade.al” e zotëron këtë sondazh të fshehtë, por nuk boton dot të dhënat sepse, stafi i kryeministrit mund të mbërrijë te burimi ynë konfidencial.
Kryeministri ka porositur ndërkohë edhe tri sondazhe të tjera dhe është vërsulur në fushatë, duke e personalizuar përsëri atë, me qëllim që të ndryshojë trendin negativ të pasqyruar në sondazhin më të fundit. Gjëja që bie më shumë në sy, është besueshmëria e premtimeve dhe e personit Rama, si një kryeministër që kërkon një mandat të dytë.

Urdhri për sulm ndaj LSI dhe PDIU

Rama duket se është në panik nga rrjedhja e votave, jo vetëm nga pakënaqësia në masë që ka shkaktuar qeverisja e tij, por dhe nga dalja më vete e partive të tjera aleate. Portali, “lapsi.al” ka publikuar një sms të tij që ja dërgon kandidatëve për deputetë ku “kërkon mobilizim më të madh prej tyre, që të luftojnë sa më shumë për fitoren e PS-së”. Në mënyrë të veçantë porosit të vetët që të “peshkojnë” kandidatët e partive të vogla. Sipas tij përfaqësuesit e PS-së duhet t’i bindin këta kandidatë se nuk kanë asnjë shans të fitojnë mandat dhe se “me këtë hanë vota kot nga e majta”.
Më poshtë teksti i mesazhit të Ramës. “Kapni dhe çmobilizoni sa të jetë e mundur kandidatët e partive të vogla! S’kanë asnjë shans të fitojnë mandat dhe vetëm hanë vota kot nga e majta. Përfshihini sa të mundeni në fushatën tonë. Kudo ku flisni, me këdo që flisni, edhe brenda organizatave, jepuni mesazhin që janë vota për të dëmtuar objektivin e PS, duke ndihmuar padashje PD apo LSI në kurriz të PS! Forca! Intensitet maksimal. Ditë-natë! Mobilizoni miq, kushërinj, nipa, mbesa, fis e farë, me telefon, kudo ku i keni, që të luftojnë për PS! Fitore!”, shkruan Rama në mesazhin e shpërndarë tek të gjithë kandidatët. Ky mesazh i Ramës lë të kuptohet panikun e tij për fundin e afërt dhe se objektivi që ka shpallur se do të fitojë 71 mandate deputetësh, është shumë larg realitetit dhe ekziston vetëm në fantazinë e tij. Pas marrëveshjes që ai arriti me kreun e opozitës, Lulzim Basha, të gjitha partitë garojnë të vetme në zgjedhjet e 25 qershorit, jashtë çdo koalicioni paraelektoral. Kjo rëndon pozitat e partive të vogla, por vështirëson akoma më shumë dhe pozitat e Ramës në këto zgjedhje.

Lutja ndaj partive të vogla

Rama bindi disa prej partive të vogla të spektrit të majtë që të dalin në zgjedhje nën siglën e PS-së, për të mos humbur kështu asnjë votë potenciale. Duket se luftën tashmë Rama se ka vetëm me opozitën, por edhe me aleatët e tij, të cilët kërkon t’i nxjerrë përfundimisht nga jeta politike në vend. Në fakt, këtë plan ai e ka pasur që kur ka hipur në krye të Partisë Socialiste në vitin 2005, dhe e vuri më shumë në zbatim kur mori mandatin qeverisës. Parti aleate tradicionale të tij, që nuk arritën të futen në Kuvend, por dërguan jo pak vota në thesin e majtë mbetën me gisht në gojë sapo Rama mori frenat e pushtetit.

Artikulli paraprakFati i koalicioneve në Kosovë pas zgjedhjeve
Artikulli tjetërDrejtorët që shkelin ligjin për të kërkuar vota për PS