Drejtorët që shkelin ligjin për të kërkuar vota për PS

Drejtorë shkollash, spitalesh e drejtorë në të gjitha institucionet e administratës publike në tërësi kanë lënë detyrat që u ngarkon ligji duke dalë në fushatë për PS dhe LSI. Rastet e denoncuara vijnë në qytete të ndryshme të vendit ku shihet qartazi se si funksionarët e administratës kanë braktisur detyrat e tyre duke shoqëruar ministrat e Ramës dhe krerët e tjerë të strukturave socialiste për të kërkuar bashkë me ta votat për PS. Në Kuçovë, ministrja e Zhvillimit Urban, Englantina Gjermeni shfaqet në fushatë në krah të drejtoreshës së një prej shkollave të këtij qyteti. Drejtoresha në fjalë jo vetëm që qëndron gjatë gjithë kohës në krah të ministres, por edhe ka mbajtur një fjalim ku në shkelje të hapur me ligjin u kërkon bashkëqytetarëve të saj që të japin votën për Partinë Socialiste. Siç shihet në foton në krah të shkrimit, drejtoresha qëndron pranë ministres gjatë një takimi elektoral me qytetarë të Kuçovës. Fotoja është publikuar dje nga ish-kryeministri Berisha pas denoncimit të një qytetari. E njëjta situatë denoncohet edhe në Durrës, nga një tjetër denoncim me foto, ku shihet qartë se si ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, shfaqet në krah me drejtorin e ZRPP në Durrës duke bërë fushatë e duke u kërkuar durrsakëve votat për PS, në një kohë kur drejtori në fjalë do të duhej të ishte në zyrën e tij të punës. Një rast i ri i përfshirjes së një zyrtari të lartë në fushatën elektorale të PS-së, partisë në qeverisje, është denoncuar dje publikisht. Bëhet fjalë për drejtorin e ZRPP-së Durrës, Ani Durmishin, i cili shfaqet hapur në fushatë elektorale në krah të kandidates për deputete, Milva Ekonomi, ku dhe është fotografuar. Ish-Kryeministri Sali Berisha, i cili e ka publikuar në origjinal mesazhin e qytetarit, shprehet për këtë rast: “Ndrikulla Milva Ekonomi, fushatë elektorale me drejtorin e Hipotekës së Durrësit! Qytetari dixhital denoncon: Drejtorin e Hipotekës së Durrësit, Ani Durmishi, që po drejton fushatën elektorale të ndrikull Milva Ekonomit në Durrës. Lexoni mesazhin dhe shikoni fotot”, përfundon Berisha, ndërsa publikon edhe denoncimin e qytetarit. “Lidhur me përfshirjen e administratës publike në fushatën politike të Partisë Socialiste në Durrës po ju dërgoj rastin e drejtorit të Hipotekës Durrës, Ani Durmishi. Ky drejtor po drejton fushatën e kandidates Milva Ekonomi në Durrës duke e shoqëruar në çdo takim elektoral”, thuhet në denoncimin e qytetarit. Ndërkohë siç shihet në foton tjetër, drejtori i Burgut të Burrelit është shumë aktiv në fushatën e Partisë Socialiste teksa edhe në faqen e tij në rrjetin social FB fut foto nga pjesëmarrja e tij në tubimet elektorale të PS. Sipas ndryshimeve të miratuara pas marrëveshje Basha-Rama, përdorimi i mjeteve publike, veprimtarisë shtetërore apo i burimeve financiare ose njerëzore, për zgjedhje, me ndryshimet e reja në Kodin Penal, do të dënohet vetëm me burgim, nga 1 deri në 4 vjet. Ashpërsim të dënimeve për të gjitha veprat e tjera penale në fushën e zgjedhjeve, duke i parashikuar të gjitha si krime. Gjithashtu, do të forcohen rregullat për të mbikëqyrur financimin e partive dhe ndalimin e financimeve të paligjshme. Të gjitha këto masa dhe ndërhyrje, bëhen për të garantuar qytetarët shqiptarë nga presionet dhe shitblerja e votës dhe garë të ndershme për partitë politike në fushatën zgjedhore. Shitblerja e votës do të dënohet në mënyrë taksative nga 1 deri në 7 vite burg. Nuk do të ketë masa ndëshkimore si gjoba, por vetëm burg për ata që do të tentojnë tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve shqiptarë. Kjo vepër penale do të jetë e paamnistueshme.

Administrata në fushatë, shkarkohet dhe specialisti i hetimit tatimor

Vjen shkarkimi i dytë nga administrata për akuzën e pjesëmarrjes në fushatë elektorale. Një specialist i hetimit tatimor, oficer i Policisë Gjyqësore, Kliton Bistri është shkarkuar me urdhër të ministres së Financave. “Ministria e Financave bën me dije shkarkimin nga detyra të specialistit të hetimit tatimor, oficer i Policisë Gjyqësore Kliton Bistri, për pjesëmarrje në kundërshtim me ligjin dhe urdhrin nr. 65/2017 të Kryeministrit në fushatë elektorale, duke cenuar rëndë figurën e OPGJ dhe standardet zgjedhore”, thuhet në njoftimin e ministrisë. Shkarkimi vjen një ditë pasi drejtori i burgut të Tropojës u pezullua nga puna pikërisht për shkak të përfshirjes në fushatën zgjedhore të një subjekti zgjedhor.

Artikulli paraprakRama në kuotat më të ulta, sondazhi nga stafi i tij
Artikulli tjetërPezullim lejeve të pushimit për administratën deri më 30 qershor