Fati i koalicioneve në Kosovë pas zgjedhjeve

Koalicionet e krijuara para zgjedhjeve nuk garantojnë se Kosova nuk do të futet në bllokadë rreth formimit të qeverisë së re pas zgjedhjeve, parashikojnë njohësit e zhvillimeve politike. Sipas tyre, është e pritshme që pas zgjedhjeve, koalicionet aktuale të ridefinohen. Koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe partinë Nisma, pastaj koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës me Aleancën Kosova e Re dhe subjektin e ri Alternativa, si dhe subjekti politik, Lëvizja Vetëvendosje, konsiderohen si blloqet kryesore politike në këto zgjedhje. Artan Muhaxhiri, analist politik, tha për Radion Evropa e Lirë se spektri politik në Kosovë nuk ka mësuar shumë nga përvoja e vitit 2014, kur Kosova ishte futur në një krizë institucionale prej gjashtë muajve. Edhe procesi aktual zgjedhor, nënvizon Muhaxhiri, nuk garanton se do të përmbyllet me fitoren e mjaftueshme të ndonjërit prej subjekteve garuese, qoftë koalicion, parti apo lëvizje politike, që si e vetme të formojë qeverinë e re. “Edhe koalicioni i PDK-së edhe ai i LDK-së, janë krijuar në mënyrë të improvizuar dhe për këtë arsye është shumë e mundshme që pas zgjedhjeve të kemi probleme në formimin e qeverisë, pasi që është shumë pak e besueshme që ndonjëri prej tyre të fitojë shumicën e domosdoshme për ta krijuar qeverinë”, thotë Muhaxhiri. Koalicionet aktuale janë ndërtuar edhe mbi parimin e ndarjes paraprake të posteve, nisur nga posti i kryeministrit, kryetarit të Kuvendit e deri te ministritë dhe kryesorët e tjerë. Por, të gjitha këto marrëveshje, sipas Muhaxhirit mund të rishikohen pas zgjedhjeve, marrë parasysh se do të jetë vështirë që të fitohen zgjedhjet, sipas parashikimeve parazgjedhore.

Kosova forcon masat për sigurinë gjatë zgjedhjeve

Policia e Kosovës, përmes hartimit të urdhrit operativ policor ka bërë të gjitha planifikimet e saj policore lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit dhe iu bën thirrje të gjithë drejtuesve të subjekteve zgjedhore dhe qytetarëve që për çdo informacion të dyshuar që ndërlidhet me sigurinë të njoftojnë PK-në, në mënyrë që të ndërmerren masat ligjore. Me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor do të angazhohen një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, thuhet në komunikatën e policisë. Planifikimi operativ parasheh implementimin dhe realizimin e operacionit policor në katër faza, duke filluar nga periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, pastaj angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës parazgjedhore 10-ditore, angazhimi dhe garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve si dita Z, si dhe periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit. Policia e Kosovës ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të policisë me KQZ-në dhe  institucionet e tjera të angazhuara në këtë proces, si dhe hartimin e një udhëzuesi për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor. Sipas planifikimeve policore qëllimi i këtij urdhri operativ për këtë proces zgjedhor është krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, sigurimin e qendrave të votimit, këshillave komunale të zgjedhjeve, depove komunale, Qendrës së Numërimit të Rezultateve dhe depove qendrore, përcjellja e sigurt dhe sigurimi i të gjithë materialit sensitiv zgjedhor sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor.

Artikulli paraprakTotti: Do të vazhdoj të luaj futboll
Artikulli tjetërRama në kuotat më të ulta, sondazhi nga stafi i tij