Tribalizimi dhe ideja e së vërtetës

Me rritjen e polarizimit të pozicioneve politike, ndoshta diskutimet tona po ndryshojnë vetë konceptimin e së vërtetës
Ekzistenca e objektivitetit në fushën morale është një çështje filozofike e mprehtë. Studiuesit e shkencave konjitive kanë mbledhur dëshmi empirike për të kuptuar se cili është në fakte qëndrimi i njerëzve të thjeshtë ndaj kundërvënies midis relativizmit dhe pandryshueshmërisë të së vërtetës. Me rritjen e polarizimit politik, të diskutosh për të fituar duket një stil diskutimi më popullor se diskutimi për të mësuar, në mënyrë të veçantë në vende diskutimi on line si Facebook dhe Twitter. Hulumtuesit kanë gjetur se stili i diskutimit që zgjedhin modifikon mënyrën me të cilën njerëzit perceptojnë temën për të cilën flitet. Nëqoftëse diskutohet gjithnjë e më shpesh për të fituar, ka shumë të ngjarë që të përhapet gjithnjë e më shumë edhe objektivizmi.
Në një moment kyç të debatit të fundit në fushatën elektorale midis Trump dhe Clinton, Donald Trump i është përgjigjur një pyetje lidhur me Presidentin rus Vladimir Putin.
«Nuk kam respektin më të vogël», ka thënë Trump, duke treguar me gisht Hillary Clinton. «Nga gjithçka që shikoj, Putini nuk ka kurrfarë respekti për këtë person».
Të dy bashkëbiseduesit janë përqëndruar pastaj në tentativën për të përballuar në mënyrë paksa më specifike çështjet politike në lojë. Clinton ka thënë: «Mos ndoshta po sugjeron se qasja agresive që unë propozoj nuk do të shërbente në frenimin e ekspansionizmit rus?».
Dhe Trump i është përgjigjur: «Jo, sigurisht që jam dakord se do ta frenonte ekspansionizmin rus, vetëm se edhe do ta destabilizonte…».
Bëmë shaka. Nuk ka ndodhur aspak kështu. Në realitet, secila prej palëve ka synuar vetëm që ta sulmojë dhe mundë tjetrën. Në të vërtetë, Hillary Clinton ka thënë: «Ehh, kjo është sepse do të preferonte të kishte një marionetë si President të Shteteve të Bashkuara».
Trump nuk ja ka përtuar: «Ehh, kjo është sepse do të preferonte të kishte një marionetë si President të Shteteve të Bashkuara».

Në diskutimin politik bashkëkohor episode si ky janë bërë rregulli, deri në pikën sa që është e lehtë të harrosh sesa janë rrënjësisht të ndryshme nga diskutimet tona e përditshme. Të mendohet si për dy miq që vendosin se ku të shkojnë për darkë. Njëri mund të thotë: «Pse të mos provojmë atë restorantin e ri indian?». Kurse tjetri mbase ia kthen: «Kam lexuar reçensionet dhe nuk i ka kushedi se çfarë. Po sikur të hanim një picë?». «Mirë të vajti në mendje, shkojmë për picë», konkludon i pari. Secili prej palëve me një opinion. Lind një diskutim ku secili paraqet arësye, dëgjon ato të tjetrit dhe pastaj, së bashku, arrijnë një ujdi. Ky lloj dialogësh është shumë i shpeshtë. Në hulumtimet tona i quajmë «të diskutosh për të mësuar».
Por me rritjen e polarizimit politik vërehen gjithnjë e më shumë shkëmbime oratore antagoniste si ai i debatit midis Trump dhe Clinton: jo vetëm midis politikanëve, por midis të gjithëve ne. Në ndërveprime të kësaj natyre, njerëzit mund edhe të propozojnë aresye për pozicionet e tyre, por asnjë prej të dyja palëve nuk është vërtet e interesuar të mësojë nga tjetra. Objektivi i vërtetë është «të bëhen pikë»: me fjalë të tjera, mundja e palës kundërshtare shndërrohet në një aktivitet kompetitiv. Bisedat në mediat sociale japin tashmë një shenjë shumë të fortë të asaj që mund të jetë ana luftarake e diskutimit politik në ditët tona. E quajmë këtë lloj konfrontimi «të diskutosh për të fituar». Divergjencave politike u shtohet animoziteti ndaj anës së kundërt. Hulumtime të kohëve të fundit tregojnë se liberalët dhe konservatorët më të rreshtuar frekuentohen gjithnjë e më pak, e shikojnë palën tjetër negativisht dhe bile do të mbeteshin keq sikur një familjar i tyre do të martohej me një person me ide të kundërta. Në të njëjtën kohë, ngjitja e mediave sociale ka revolucionarizuar mënyrën e konsumimit të informacionit: shpesh lajmet janë të personalizuara në bazë të orientimeve politike përkatëse dhe pikëpamjet rivale mund të përjashtohen krejtësisht nga flluska mediatike që secili krijon për vetvëveten.

Si për t’i përkeqësuar gjërat, në këto platforma është shumë më e lehtë që të përhapen përmbajtje të krijuara që të indinjojnë, gjë që e bën një kullojëse titujsh «kap – klikimin» dhe fake news. Ka shumë të ngjarë që ky mjedis on line toksik po përcahet akoma më thellë dhe ushqen shkëmbime verbale krejtësisht joproduktivë. Në këto kohë rritjeje të tribalizimit ngrihet një pikëpyetje e rëndësishme mbi efektet psikologjike e të diskutuarit për të fituar. Çfarë ndodh në mendjen tonë, kur diskutojmë në një modalitet që synon vetëm ta mundë kundërshtarin? Në hulumtimet tona të fundit e kemi eksploruar pikëpyetjen me metoda eksperimentale dhe kemi gjetur se diferenca midis modaliteteve të ndryshme të diskutimit ka efekte me shtrirje të habitshme. Jo vetëm ndryshon mënyrën me të cilën njerëzit shohin diskutimin dhe kundërshtarët, por ka edhe një efekt më të qenësishëm mbi mënyrën tonë e konceptimit të vetë temës në diskutim.

Objektivistë apo relativistë?
Objektiviteti në moral dhe në politikë është një çështje jashtëzakonisht e mprehtë dhe filozofët e diskutojnë prej mijëra vitesh. Por për t’i kuptuar thelbin mjafton të merren në konsideratë disa bashkëbisedime hipotetike. Le të marrim një diskutim mbi një temë mjaft të përcaktuar, të tipit shkencor apo matematikor. Le të imagjinojmë dy shoqe që punojnë për një problem dhe nuk janë dakord për zgjidhjen.
Mary: «Rrënja kubike e 2197 është 13».
Susan: «Jo, rrënja kubike e 2197 është 14».
Kush e shikon mund të mos e dijë se cila është përgjigja e duhur, por gjithsesi është i sigurtë se ka vetëm një përgjigje objektivisht korrekte. Nuk bëhet fjalë për opinione: është një fakt objektiv dhe kushdo që e mendon ndryshe thjesht e ka gabim.
Le të marrim tani një situatë tjetër. Le të imagjinojmë dy shoqe në pushimin e drekës: nuk bien dakord se me çfarë ta lyejnë bukën.
Mary: «Djathi vegan është shumë i mirë».
Susan: «Jooo, djathi vegan nuk vlen asnjë lek. Ta shpif».
Në këtë shembull, vëzhguesi mund ta shikojë në një mënyrë tjetër: edhe pse kanë mendime të kundërta, ka mundësi që asnjëra të mos e ketë gabim. Nuk duket se ka një të vërtetë objektive. Duke mbajtur parasysh këtë dallim. Le të mendojmë se çfarë ndodh kur diskutohet për çështje të komplikuara politike me implikacione të rëndësishme morale. Për shembull, gjatë drekës, të dy shoqet hyjnë në një diskutim të zjarrtë politik.
Mary: «Aborti është moralisht i gabuar, nuk duhet të jetë i ligjshëm».
Susan: «Jo, tek aborti nuk asgjë të gabuar dhe duhet të jetë krejtësisht i ligjshëm».

Problem për t’u diskutuar është: si duhet konceptuar ky lloj diskutimesh? Ngjan me atë të matematikës, ku ka një përgjigje objektivisht të drejtë dhe kushdo që jep përgjigje të tjera duhet ta ketë gabim? Apo ngjan më shumë me një kundërshti lidhur me pyetje të duhura, ku nuk ka një përgjigje të vetme të drejtë dhe njerëzit mund të kenë opinione, pa e pasur asnjëri gabim? Gjatë viteve të fundit puna lidhur me këtë temë është zgjeruar nga aspekti i filozofisë në atë të shkencave konjitive. Në vend që t’i besojnë intuitës së filozofëve, hulumtuesit si ne kanë nisur që të mbledhin të dhëna empirike për të kuptuar se çfarë mendojnë faktikisht njerëzit lidhur me këtë. Mendojnë se ndoshta ka përgjigje objektivisht të drejta ndaj pyetjeve me natyrë morale dhe politike? Apo kanë një pikëpamje më relativiste?
Në thelb, dekada e fundit e hulumtimeve ka treguar se përgjigja është që problemi është i komplikuar. Disa janë më objektivistë, të tjerë më relativistë, gjë që mund të duket e natyrshme; ama studimet e mëtejshme kanë investiguar mbi diferencat midis njerëve të njëjtës kategori apo tjetrës. Kur u kërkohet pjesëmarrësve në një studim nëse janë apo jo të gatshëm që ta ndajnë apartamentin me një njeri që ka opinione të kundërta lidhur me çështje morale apo politike, objektivistët janë më të prirur të thonë jo. Kur u kërkohet që ulen përkrah një njeriu më pikëpamje të kundërta, objektivistët ulen në distancë më të madhe. Siç ka thënë një herë a Geoffrey P. Goodëin, psikolog i Pennsylvania University, njerëzit që i shohin gjërat në mënyrë objektiviste tentojnë që të përgjigjen në mënyrë më të «mbyllur».
Si ka mundësi? Një mundësi shumë e drejtpërdrejtë është se nëqoftëse njeriu mendon se ka një përgjigje objektivisht të drejtë, atëhere mund të ndjehet i nxitur që të konkludojë se kush e mendon ndryshe thjesht e ka gabim dhe kështu që nuk ia vlen ta dëgjojë.

Kështu ndoshta pikëpamjet e njerëzve lidhur me objektivitetin e trë vërtetave morale kushtëzojnë qasjen e tyre ndaj ndërveprimit me të tjerët. Është një hipotezë e mundshme dhe ia vlen barra qiranë ta thellosh me hulumtime të mëtejshme, por nuk kemi menduar se mund të ketë një tjetër. Dyshonim sidomos për ekzistencën e një efekti që shkon në kahje të kundërt. Ndoshta nuk bëhet fjalë vetëm për faktin se t’i shohësh gjërat në mënyrë objektiviste i kushtëzon ndërveprimet tona me të tjerët; ndoshta mënyra me të cilën ndërveprojmë me të tjerët nga ana e saj mund të influencojë mbi atë sesa aderojmë në një pikëpamje objektiviste.
Të fitosh apo të mësosh?
Për të vënë në provë hipotezën, kemi bërë një eksperiment, ku disa të rritur kryenin bashkëbisedime politike on line. Secili prej pjesëmarrësve regjistrohej në një uebsajt dhe tregonte pozicionin e tij lidhur me një seri temash politike kontradiktore, si aborti dhe ligji për armët. Secili ishte i lidhur me një pjesëmarrës tjetër me ide të kundërta dhe më pas të dy duhej të zhvillonin një bashkëbisedim on line lidhur me një argument me të cilin nuk ishin dakord. Gjysma e pjesëmarrësve është shtyrë që të diskutojë për të fituar. U thohej atyre se duhej të ishte konfrontim tejet kompetitiv, në të cilin duhej të synonin që ta mundnin njëri tjetrin. Ka rezultuar saktësisht tipi i komunikimit që shihet përditë në mediat sociale. Për shembull, ky është transkriptimi i një prej këtyre bisedave.
P1: «Unë besoj 100% në lirinë e zgjedhjes së femrës».
P2: «Aborti duhet të jetë i ndaluar, pasi ndalon një zemër që rreh».
P1: «Aborti lejohet nga ligji në këtë vend, vendi në të cilin banon».
P2: «Zemra rreh qysh në 21 ditë, kështu që është vrasje [sic]».
Gjysma tjetër e pjesëmarrësve është inkurajuar që të diskutojë për të mësuar. Atyre u është thënë se duhej të ishte një konfrontim tejet konstruktiv dhe duhej të kërkonin që të mësonin gjithçka ishte e mundur nga kundërshtari. Toni i këtyre bashkëbisedimeve tentonte që të ishte dukshëm ndryshe.

P3: «Unë besoj se aborti është një e drejtë që të gjitha femrat duhet ta kenë. Kuptoj që njerëz të caktuar zgjedhin që të vendosin kufizime lidhur me kur dhe pse, por unë mendoj se duhet të jetë për çfarëdo arësye deri në një pikë të caktuar të shtatzanësisë të caktuar nga mjekët, në mënyrë që të mos dëmtohet shëndeti i nënës».
P4: «Unë besoj se jeta fillon në konceptim (takimi midis spermës dhe vezës), kështu që për mua aborti është ekuivalent me vrasjen».
P3: «E kuptoj shumë mirë këtë pikëpamje. Si biolog, është e natyrshme që qysh nga ndarja e parë qelizore ka një «jetë» në zhvillim, por nuk besoj se është një jetë mjaft e avancuar sat ë justifikojë abrogimin e abortit».
Nuk është edhe aq befasuese që këto dy tërësi udhëzimesh të çojnë në rezultate të tilla. Por këto shkëmbime opinionesh, nga ana e tyre, na çojnë apo jo që ta mendojmë ndryshe lidhur me natyrën e temës në diskutim? Me mbarimin e bashkëbisedimeve, u kemi kërkuar pjesëmarrësve nëse mendonin se ekzistonte një e vërtetë objektive për temat që sapo kishin diskutuar. Kemi mbetur të shokuar: ato shkëmbime verbal rreth 15 minutëshe e modifikonin këndvështrimin e njerëzve. Pjesëmarrësit qenë më objektivistë pasi kishin diskutuar për të fituar sesa pasi kishin diskutuar për të mësuar. Me fjalë të tjera, konteksti social i diskutimit – mënyra me të cilën njerëzit përkufizojnë qëllimin e diskutimit të kundërvënë – i ndryshonte në fakt opinionet e tyre mbi çështjen e thellë filozofike të ekzistencës ose jo e një të vërtete objektive. Natyrshëm që këto rezultate çojnë në një tjetër pyetje, që shkon përtej atyre që mund të realizohen me një studim shkencor. Cila prej këtyre dy mënyrave të argumentimit do të ishte më mirë të përdoret kur bëhet fjalë për çështje politike kontradiktore?

Në pamje të parë, përgjigja mund të duket e natyrshme: kush mund të mos e shikojë se ka diçka thellësisht të rëndësishme në dialogun konstruktiv dhe diçka thellësisht kundërprodhuese në kompeticionin e pastër e të thjeshtë? Edhe si rregull nëse kjo përgjigje e menjëhershme mund të jetë e saktë, mund të ketë raste ku gjërat nuk janë edhe aq të qarta. Le të imagjinojmë se ndodhemi duke diskutuar me një grup skeptikësh të ndryshimeve klimaterike. Mund të kërkojmë të ulemi me ta, të dëgjojmë arësyet e tyre dhe të bëjmë maksimumin për të mësuar diçka nga gjithçka kanë për të thënë. Por për dikë ky mund të jetë pikërisht qëndrimi i gabuar. Mund të mos ketë asgjë për të fituar në qëndrimin i hapur ndaj ideve që kundërshtojnë konsensusin shkencor. Përkundrazi, impenjimi në një dialog konstruktiv mund të jetë një rast si ai që në gazetari quhet «ekuilibër fals»: të legjitimosh një pozicion ekstrem minoritar të cilit është e gabuar t’i jepet e njëjta peshë sit ë tjerët. Dikush mund të thotë se në këtë rast qasja më e mirë është të diskutosh për të mësuar.
Natyrisht, studimet tona nuk mund të përcaktojnë se cili modalitet diskutimi është «më i miri». Dhe pavarësisht se gëlojnë provat se diskutimi politik bashkëkohor po bëhet më luftarak dhe i destinuar vetëm që të fitojë, rezultatet tona nuk e sqarojnë pse-në e këtij ndryshimi, ama japin një informacion të ri e të rëndësishëm mbi të cilin të reflektohet: mënyrën me të cilën nisim të diskutojmë mënyrën me të cilën konceptojmë vetëm çështjen në diskutim.
Sa më shumë diskutojmë për të fituar dhe sa më shumë dëgjojmë se ekziston një e vërtetë e vetme objektive, aq më shumë të gjithë përgjigjet e tjera janë të gabuara. Përkundrazi, sa më shumë diskutojmë për të mësuar dhe sa më shumë dëgjojmë se nuk ka një të vërtetë të vetme dhe objective, aq më shumë mund të ketë përgjigje të ndryshme, port ë gjitha të vlefshme. Kështu, herën tjetër që do t’u duhet të vendosni nëse të hyni apo jo në një diskutim në Facebook lidhur me kundërshtinë e ditës, kujtohuni se nuk jeni duke bërë një zgjedhje ses të ndërveproni me personin që e sheh botën në mënyrë të kundërt me tuajën. Po merrni edhe një vendim që do të kushtëzojë atë që vetë ju – dhe të tjerë – mendoni lidhur me këtë argument: nëse mund të ketë apo jo një përgjigje të vetme të drejtë.

Matthew Fisher është hulmutues postdoc në Shkenca Sociale dhe i Proceseve Vendimmarrëse në Carnegie Mellon University.
Joshua Knobe është Profesor në Yale University, si në Programin e Shkencave Konjitive, ashtu edhe në Departamentin e Filozofisë.
Brent Strickland është hulumtues në Shkenca Konjitive pranë Institutit Jean Nicod në Paris.
Frank C. Keil është Titullar i Katedrës së Psikologjisë që mban emrin e Charles C. Dilley e Dorothea S. Dilley dhe Docent i Linguistikës dhe Shkencave Konjitive pranë Yale University.

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakUshqimet dhe ilaçet që nuk duhen përzierë
Artikulli tjetërOSBE kundër blerjes së televizioneve nga qeveria me paratë e taksapaguesve