OSBE kundër blerjes së televizioneve nga qeveria me paratë e taksapaguesve

Plani i kryeministrit Rama për të krijuar një partneritet të dyshimtë më i ri me disa operatorëve televizivë private, i cili synon financimin me para publike të këtyre të fundit, ka sjellë edhe reagimin e OSBE-së dhe zyrës së saj në Vjenë. Nëpërmjet një deklarate të shpërndarë dje, përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Shtypit, Harlem Desir deklaron rezerva të forta për këtë nismë, duke bërë thirrje qeverisë që të zhvillojë konsultime dhe të mos përqendrojë paranë publike vetëm te disa operatorë.
“Jam i shqetësuar se ky propozim mund të ndikojë stabilitetin financiar të RTSH-së. Transmetuesit publikë kanë një rol të rëndësishëm në garantimin e informacionit cilësor dhe mbulimit kombëtar dhe duhet të kenë burime të nevojshme për të përmbushur detyrat e tyre.
Çdo sistem i financimit shtetëror për mediat duhet të jetë subjekt i konsultimit publik përfshirë të gjithë aksionerët e mediave. Duhet po ashtu të ketë një objektiv të qartë dhe të gjerë për të gjithë sektorët mediatikë, përfshirë shtypin lokal, atë online dhe print, përmes procedurave dhe kritereve transparente, pa ndërhyrje politike dhe me synimin për të forcuar pluralizmin mediatik”, thuhet në këtë deklaratë.

Gjithashtu OSBE-ja ofron mbështetje në ekspertizë juridike për një ligj që duket se në formën e tanishme, synon monopolizimin përfundimtar të tregut.
Pak ditë më parë Autoriteti i Mediave Audiovizive, njoftoi se ishte zhvilluar një takim konsultativ me drejtues të 6 televizioneve private në vend, ku ka pasur diskutime mbi mundësinë e ndryshimit të ligjit për mediat audiovizive. Në atë njoftim u tha thjesht që fokusi i diskutimit ishte propozimi që të ketë financim publik për vetë televizionet private, me qëllim rritjen e cilësisë së tyre, nxitjen e gazetarisë investigative dhe të pavarur, por pa dhënë shumë detaje. Mirëpo gazeta ka mësuar se pavarësisht konsultimeve pr/ligji është tashmë gati dhe AMA bashkë me televizionet private janë bërë palë. Ligji mban firmën e Aleksandër Frangajt, si kryetar i Shoqatës së Mediave Elektronike Shqiptare dhe në të propozohet që 30 për qind e tarifës që qytetarët paguajnë çdo vit për RTSH të shkojë për televizionet private. Secili nga ne në faturën e energjisë paguan nga 100 lekë të rinj në muaj tarifë për aparatin marrës televiziv dhe në vit kjo tarifë shkon 1200 lekë.

249526

Artikulli paraprakTribalizimi dhe ideja e së vërtetës
Artikulli tjetërE vërteta historike e frankizmit në Spanjë dhe mashtrimet e historiografisë së majtë