Transporti i paligjshëm, alarmi i Shoqatës: Po lulëzon monopoli

Në disa prej linjave ndërqytetase ka lulëzuar transporti i paligjshëm i udhëtarëve, ndërkohë që kjo situatë po favorizohet nga mungesa e kontrolleve rigoroze”. Problematika është ngritur nga kreu i Shoqatës së Transportit Kombëtar Interurban, Kujtim Mema, i cili kërkoi marrjen e masave nga ana institucioneve përkatëse. “Një nga problemet kryesore dhe që ne na shqetëson kohët e fundit, është transporti i paligjshëm, në lulëzim e sipër. Problematikë në këtë transport të paligjshëm janë linjat Tiranë-Vlorë, Tiranë-Durrës, Tiranë-Korçë, të cilat kanë një lulëzim të paparë të transportit të paligjshëm, duke filluar që nga veturat 4-vendeshe e deri tek Sharan e furgona me targa të bardha, me targa të verdha, që vazhdojnë të lulëzojnë. Ne kërkojmë nga organet, ministritë, të vazhdojnë në mënyrë intensive dhe rigoroze kontrollin e transportit të paligjshëm”, tha Mema. Ndërkaq, Mema tha se përgjatë vitit 2018 do të ketë një rinovim të flotës së autobusëve, në masën 20-30%. “Ne kemi bërë pikët tona. Është e kërkueshme për të rritur cilësinë e shërbimit dhe rinovimi i flotës. Ne deri më sot, siç premtuam që para 2 vitesh me fillimin e reformës, kemi rinovuar flotën tonë deri në 40-50% të flotës së transportit. Do të vazhdojmë dhe vitin tjetër të rinovojmë dhe 20-30% të tjera”, u shpreh Mema. Mema përshëndeti edhe vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për shfuqizimin e licencave abuzive të dhëna nga ish-ministri, Sokol Dervishaj, që çuan në mbivendosjen e disa linjave të transportit ndërqytetas.

Artikulli paraprakMilan kundër Raiola për ikjen e portierit
Artikulli tjetërS’ka konsum, vendi në krizën e varfërisë