Milan kundër Raiola për ikjen e portierit

Pas zërave të ditëve të fundit se portieri Gianluigi Donnarumma mund të largohet nga Milani, që kanë turbulluar jo pak ambientin kuqezi, ka ardhur sot reagimi zyrtar i klubit. Ka qenë menaxheri Mino Raiola, ai që ka thënë se mund të anullojë kontratën e portierit e Milanin, duke qenë se ndaj lojtarit ka “presion psikologjik”. Ja reagimi i klubit kuqezi: “Gigio është një vlerë e klubit tonë, si në aspektin sportiv ashtu dhe atë financiar. E gjithë kjo është zyrtarizuar në kontratën që palët kanë nënshkruar deri në vitin 2021, ndërkohë që dialogu mes nesh nuk ka munguar kurrë”.
“Milani dhe çdo lojtar i tij është përqendruar për momentin te fusha dhe jo te merkato, pasi për të ka ende kohë. Sot, nuk është koha të flasim për gjëra që nuk kanë lidhje me fushën. Donnarumma gëzon respektin e të gjithëve, kolegëve, trajnerit dhe drejtuesve të klubit”, thuhet në deklaratën e Milanit, që kërkon t’i vërë kapak thashethemeve të ditëve të fundit për largimin e portierit 19-vjeçar.

Artikulli paraprak“Dybala-s i ka humbur entuziazmi”
Artikulli tjetërTransporti i paligjshëm, alarmi i Shoqatës: Po lulëzon monopoli