Tjetër mushkonjë droge në Lalz, 2 fluturime rreth zonës

Një tjetër avion droge është parë nga banorët e zonës mbi Gjirin e Lalzit pasditen e djeshme. Një prej banorëve ka dërguar fotot e avionit në BalkanWeb, duke fluturuar mbi Gjirin e Lalzit. Sipas banorëve, avioni sportiv ka bërë dy fluturime mbi bregdet në orën 16:00 dhe është larguar. Banorët e kanë fotografuar nga një lokal në breg të detit dhe avioni duket shumë qartë dhe afër tokës.
Sipas banorëve, avioni ka tentuar të ulet dhe është afruar shumë pranë tokës, por pasi është pikasur nga banorët është larguar. Dyshohet se avioni ka tentuar të ulet për t’u ngarkuar me drogë. Ditët e fundit ka pasur shumë raportime për lëvizje avionësh, duke nisur që nga Kavaja e deri në Gjirin e Lalzit.
Një javë më parë, një avion është ulur në Gjirin e Lalzit për t’u ngarkuar me kanabis sativa. Ishte deputeti i PD, Asllan Dogjani që deklaroi në sallën e Kuvendit se, mbrëmjen e së enjtes së 13 tetorit ishte ulur një avion në Gjirin e Lalzit për t’u ngarkuar me drogë. “Një avion në Lalëz për t’u ngarkuar me drogë. Sapo u informuam me foto në rrjetet sociale. Avioni tjetër para ca ditësh, pista në Durrës. Në njërën anë procedohen fëmijë me pak gram hashash dhe në anën tjetër, qeveria krenohet me statistika dhe droga derdhet lumë”, deklaroi Dogjani.
Pas kësaj deklarate ka reaguar Policia e Durrësit, e cila pohon se avioni ka qenë me turistë. Sipas policisë, avioni ka fluturuar nga ora 16:00 deri në 17:00 mbi Gjirin e Lalzit, por nuk është ulur. Po kështu, policia deklaron se avioni kishte plan fluturimi të miratuar nga Aviacioni Civil. Megjithëse policia mundohet në çdo rast të fshehë gjurmët e avionëve të drogës, në zonën e Shqipërisë së Mesme ka të paktën edhe dy pista të tjera avionësh që ngrihen të ngarkur me drogë.
Më i fundit u fotografua të premten më 14 tetor mbi Kavajë.

Pista e Ishmit

Në mesin e muajit shtator një avion me drogë në Ishëm. Ky avion ishte i treti transportues i asaj dite që ngarkohej në pistën e Ishmit. Burimet bënë të ditur se, ngarkesa që mbante në bord avioni kishte 2 ton drogë. Ky ka qenë dhe gabimi i trafikantëve. Ata e kanë ngarkuar avionin më shumë se pesha që ai duhet të mbante. Avionë të tillë mbajnë deri në 1.5 tonë ngarkesë, ndërsa trafikantët e kanë ngarkuar atë me 2 tonë, duke mos arritur që avioni të ngrihej.
Avioni i pilotit italian, Guidi, nuk ka qenë i pari që ka bërë transportin e drogës drejt Italisë. Ai ka qenë avioni i tretë i ngarkuar me kanabis. Dy avionët e tjerë kanë fluturuar para tij dhe nuk janë rrëzuar.
Italiani Guido Guidi ka ulur avionin e tij në Ishëm vetëm për të marrë drogën dhe mjeti i tij fluturues nuk ka pasur asnjë defekt dhe në zonën e Ishmit në Durrës nuk ka pasur asnjë turbulencë ajrore që mund të sillte rrëzimin e tij. Burimet nga organi i akuzës bëjnë të ditur se, pas kryerjes së hetimeve ka rezultuar se avioni është ulur qëllimisht në Ishëm në pistën e përgatitur posaçërisht. Pas hetimeve që ka bërë grupi hetimor në lidhje me gjendjen teknike të mjetit fluturues që u ul në Ishëm, janë pyetur edhe drejtuesit e Aviacionit Civil Shqiptar, të cilët kanë deklaruar se avioni nuk ka pasur asnjë defekt. Fillimisht Guido Guidi tha se, kishte pasur defekt dhe prandaj ishte ulur aty, por më pas pranoi se kishte ardhur për të provuar pistën nga ku do të ngarkohej me drogë.

Operacioni i Europol, sekuestrohen 2.38 tonë kokainë

2.38 tonë kokainë, 529 viktima të trafikuar dhe 312 të arrestuar janë rezultat i operacionit ndërkombëtar “Ciconia Alba” të policive të Europës që ka zgjatur një javë. Në operacionin një javor nga 10 deri në 16 tetor ka marrë pjesë dhe Shqipëria. Aksionet e policisë janë kryer kryesisht në porte, aeroporte.
52 vende dhe 4 ekipe ndërkombëtare kanë marrë pjesë në operacionin për goditjen e një rrjeti të madh trafikantësh në Europë dhe më gjerë. Gjithashtu bashkëpunimi me sektorin privat ka qenë një tjetër arsye e suksesit të këtij operacioni. Operacioni ishte i fokusuar në shkatërrimin e rrjeteve më të rrezikshme kriminale aktualisht aktive, që lidheshin me trafikun e qenieve njerëzore, emigracionin e paligjshëm, trafikut të drogës (kokainë, heroinë dhe drogave sintetike) si dhe në krimet kibernetike (mashtrime me karta pagese – Global Airport Action Day).

R.POLISI

Artikulli paraprakTë përndjekurit: Xhelatët e diktaturës jo në drejtësi
Artikulli tjetërPërmbyten 850 ha tokë në Lezhë, qeveria asnjë ndihmë