Thellohet konflikti mes Autoritetit të Konkurrencës e AMF për sigurimet

AMF kërkoi revokimin e pjesshëm të një vendimi të nëntorit të konkurrencës që i kërkonte Komisionit të Ekonomisë të ndërhynte në treg për zbatimin e sistemit Bonus Malus tek sigurimet, pasi AMF nuk po vepronte prej katër vitesh. Konkurrenca jo vetëm nuk pranoi, por i bën thirrje Komisionit të detyrojë AMF që të nxjerrë aktet e nevojshme ligjore…
Autoriteti i Konkurrencës nuk ka pranuar kërkesën e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për revokimin e pjesshëm të vendimit të nëntorit të konkurrencës “Për masat dhe detyrime për ndërmarrjet e sigurimit dhe disa rekomandime për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare mbi rivendosjen e konkurrencës në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësinë ndaj palëve të treta”.
AMF kërkoi revokimin e pikës II të vendimit, që i drejtohej Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe i rekomandon atij (Komisionit) të detyrojë AMF për marrjen e masave për të siguruar konkurrencën e lirë dhe efektive në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësinë ndaj palëve të treta (MTPL), nëpërmjet nxjerrjes së akteve nënligjore për zbatimin e plotë të sistemit Bonus/Malus për sigurimin e detyrueshëm motorik ndaj palëve të treta, duke diferencuar primet e sigurimit të të siguruarve sipas historikut të dëmeve dhe dëmshpërblimin e drejtpërdrejtë për palët e siguruara që do të rriste ndjeshëm konkurrencën mes shoqërive të sigurimeve.
Në nëntor, Autoriteti i Konkurrencës i rekomandoi Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të detyrojë AMF për marrjen e masave për të siguruar konkurrencën e lirë dhe efektive në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësinë ndaj palëve të treta, (MTPL), ku ndër më kryesoret ishte zbatimi i sistemit Bonus Malus (duke diferencuar primet e sigurimit të të siguruarve sipas historikut të dëmeve).
Konkurrenca iu drejtua Kuvendit, pasi kishte konstatuar se pavarësisht vendimeve dhe udhëzimeve që Autoriteti i Konkurrencës ka dhënë për rritjen e konkurrencës dhe rregullimin e tregut përgjatë viteve, nuk ka gjetur vullnetin për bashkëpunim të rregullatorit AMF, për vënien e tregut përkatës në kushtet e konkurrencës së lirë dhe efektive.
Për shembull, për sistemin Bonus Malus, megjithëse kanë kaluar më shumë se 4 vite, nga dhënia e këtij vendimi (Vendimin nr. 247, datë 09.10.2012 “Për disa rekomandime ndaj AMF në tregun e sigurimeve të detyrueshme motorike ndaj palëve të treta”), situata në tregun përkatës është e njëjtë dhe sistemi Bonus/Malus nuk është bërë efektiv ende.

Kur do të fillojë zbatimi i Bonus Malus

Në shkresën nr. 2853/2 prot. të datës 23.12.2016 që AMF i drejton AK, ajo pranon që “[…] sistemi Bonus/Malus teknikisht do të fillojë të zbatohet menjëherë, pas hyrjes në fuqi të amendimeve të ligjit, por efektet e sistemit, do të vërehen, një vit pas hyrjes në fuqi të tij”.
Vënia në funksionim e këtij sistemi dhe rëndësia e tij në tregun përkatës, rezulton edhe nga vetë Rezoluta e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, datë 15.12.2016, “Për vlerësimin e veprimtarisë së AMF për vitin 2015”, ku ai (Kuvendi) i ka kërkuar AMF të angazhohet midis të tjerave, edhe në këtë drejtim:
– Të verifikohet algoritmi i serverit dhe sistemi i IT, në lidhje me sistemin e shitjes së gjithë tregut, në përdorim të brokerit, i cili tregton TPL, kartonin jeshil dhe kufitaren, për të siguruar konkurrencë të lirë dhe pa pengesa për shkak të këtij algoritmi;
Dëmshpërblimi i drejtpërdrejtë për palët e siguruara;
Në lidhje me rekomandimin e dytë germa (b) e pikës II të Vendimit Nr. 443, datë për dëmshpërblimin e drejtpërdrejtë, Autoriteti i Konkurrencës argumenton, se AMF-ja pavarësisht nga sa sanksionohet në nenin 11 të Ligjit Nr. 10076, datë 12.02.2009 “Mbi sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” dhe respektimi i këtij rregulli i është rekomanduar në të njëjtën kohë edhe AMF me vendimin e Komisionit të Konkurrencës nr. 325, datë 30.07.2014 “Për disa rekomandime ndaj AMF për nxitjen e konkurrencës në tregun e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta”, në projektligjin e propozuar, prej saj, ajo (AMF) e ka parashikuar dëmshpërblimin e drejtpërdrejtë vetëm për dëme në vlerë modeste deri në 100.000 lekë.
Autoriteti i Konkurrencës, argumenton se nga procesi hetimor, që ai ka realizuar në këtë treg, ka rezultuar se kanë qenë vetë shoqëritë e sigurimeve, të cilat kanë marrë përsipër angazhimin për sigurimin e drejtpërdrejtë për pagesën e dëmeve të kryhet nga ana e shoqërive ku është siguruar mjeti motorik, konform rregullimit të parashikuar shprehimisht në nenin 11 të Ligjit nr. 10076, datë 12.02.2009 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.
Ky angazhim i ndërmarrjeve është marrë parasysh nga ana e Komisionit të Konkurrencës, edhe në Vendimin Nr. 324, datë 30.07.2014 “Për marrjen e masave dhe detyrimeve nga ana e shoqërive të sigurimit për rikthimin e konkurrencës në tregun e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta” në të cilin trajtimi i drejtpërdrejtë i dëmit është rekomanduar për të gjitha dëmet pavarësisht nga vlerat e dëmeve.
Konkurrenca, jo vetëm nuk pranon kërkesën e AMF, por ngul këmbë për zbatimin e rekomandimeve të saj.
Në vendimin e fundit, Autoriteti i Konkurrencës ka risjellë në vëmendje të rekomandimeve për Komisionin e Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, që të detyrojë AMF, për vitin 2017 të nxjerrë aktet e mëposhtme nënligjore, në lidhje me:
Zbatimin e plotë të sistemit Bonus/Malus për sigurimin e detyrueshëm motorik ndaj palëve të treta duke diferencuar primet e sigurimit të të siguruarve sipas historikut të dëmeve, për të siguruar konkurrencë të lirë dhe efektive në treg, ashtu siç e kërkon rezoluta e Kuvendit, datë 15.12.2016 “Për veprimtarinë e AMF për vitin 2015”.
Dëmshpërblimin e drejtpërdrejtë për palët e siguruara, për të gjitha dëmet, në funksion të përmbushjes së kërkesave të nenit 11 të Ligjit nr. 10076, datë 12.02.2009 “Mbi sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, si një zgjidhje që do të rriste ndjeshëm konkurrencën mes shoqërive të sigurimeve.

Artikulli paraprakLunacek: Dialogu, në fund, do të thotë njohje e Kosovës
Artikulli tjetërMë të varfër se Kosova, krahasohemi me Afrikën