Lunacek: Dialogu, në fund, do të thotë njohje e Kosovës

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja e këtij institucioni për Kosovën, Ulrike Lunacek, tha se shumica në Serbi është e vetëdijshme se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. “Persepktiva e Serbisë dhe e Kosovës për mua është e qartë: pajtimi në rajon dhe integrimi në BE”, tha Lunacek për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë. “Normalizim do të thotë se çdo gjë, për të cilën është rënë dakord, duhet të zbatohet, pa përjashtim. Këtë duhet ta bëjnë të dyja palët dhe jo të presin njëra-tjetrën”. “Shumica e njerëzve në Serbi e di se Kosova nuk do të jetë kurrë më pjesë e Serbisë. Edhe Qeveria e Serbisë e di – edhe pse anëtarët e saj përpiqen ta injorojnë këtë fakt – se Bashkimi Evropian, pas Qipros, nuk do të pranojë edhe një vend, kufijtë e të cilit nuk janë të definuar qartë”, tha Lunacek. Ajo po ashtu tha se është optimiste se dialogu do t’i mundësojë Serbisë të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën dhe se kjo, në fund, do të thotë pranim. Ndërkohë  të mërkurën, më 1 shkurt, në Bruksel do të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës e Serbisë në nivelin më të lartë, thonë medie serbe duke u thirrur në burime nga Qeveria e Serbisë. Sipas këtyre burimeve, transmeton Koha.net, delegacionin e Serbisë do ta udhëheqë kryeministri Vuçiç e kryetari Tomislav Nikoliç, ndërsa atë të Kosovës kryetari Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa. Takimi i fundit në nivelin më të lartë ndërmjet dy vendeve është mbajtur në javën e shkuar. Dje ishte njoftuar se në Bruksel do të takohen kryeministra Mustafa e Vuçiç. Në fundjavë kryetari Thaçi bisedoi me kryeministrin Vuçiç për vazhdimin e dialogut ndërmjet dy vendeve.  Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka treguar se çfarë do të bisedohet në takimin e radhësh në Bruksel mes delegacioneve të Kosovës e Serbisë, që pritet të zhvillohet me një shkurt. Tahiri ka thënë se pos temave siç është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, këtë herë do të diskutohet thellësisht edhe për përmbylljen e dialogut që do pasonte me njohje të Kosovës nga Serbia. “Fokusi për fazën përmbyllëse të dialogut do jetë një temë e rëndësishme në takimin e radhës në nivelin e lartë politikë, për të përmbyllur këtë proces me njohjen reciproke mes dy shteteve”, ka thënë Tahiri për Klan Kosovën. “Në këtë kontekst, vlerësoj edhe angazhimet e Qeverisë amerikane, ku administrate e re e shtetit rikonfirmoi përkrahjen për Kosovën, sidomos deklarata e sekretarit të mbrojtjes amerikane Mattis ishte shumë e qartë për Kosovën dhe për dialogun e Brukselit”. Tahiri ka thënë, po ashtu se pret “që ky takim të kontribuoj për zbatimin e marrëveshjeve të pazbatuara dhe se palët të zotohen për zbatimin efektiv dhe pa vonesë të marrëveshjeve që janë në pritje të zbatimit, sidomos marrëveshja për energjinë, drejtësinë dhe asociacionin”.

Artikulli paraprakNë pamundësi të formimit të ushtrisë, Kosova do fuqizojë FSK-në
Artikulli tjetërThellohet konflikti mes Autoritetit të Konkurrencës e AMF për sigurimet