Më të varfër se Kosova, krahasohemi me Afrikën

Amerikanët shpenzojnë vetëm 6.4% të të ardhurave të tyre për ushqim, sipas shifrave më të fundit të publikuara nga Departamenti i Shteteve të Bashkuara për Agrikulturën. Në përgjithësi, sa më i zhvilluar të jetë një vend, aq më e vogël është përqindja e të ardhurave që shpenzon për ushqim, siç tregon dhe harta e publikuar nga Forumi Ekonomik Botëror.

Vendet që shpenzojnë më pak

Janë vetëm dhjetë vende në botë që shpenzojnë më pak se 10% të të ardhurave të tyre për ushqim, katër prej të cilave janë në Europë; Mbretëria e Bashkuar është e treta me 8.2% të të ardhurave mujore, e ndjekur nga Zvicra me 8.7%, Irlanda shpenzon vetëm 9.6% dhe Austria 9.9%.
Katër vendet e tjera ndodhen në pjesën tjetër të botës. Amerikanët shpenzojnë të paktën 6.4%, Singapori është i dyti në listë për sa i përket shpenzimeve më të ulëta për ushqim krahasuar me të ardhurat në total, 6.7%. Kanadezët shpenzojnë rreth 9.1% të të ardhurave në ushqim, ndërsa australianët shpenzojnë 9.8%.

Vendet që shpenzojnë më shumë në botë

Nigeria shpenzon më shumë se gjysmën e të ardhurave për ushqim dhe janë nëntë vende të tjera që shpenzojnë më shumë se 40% të të ardhurave për ushqim.
Katër prej të cilave janë në Afrikë, Nigeria 56.4%, Kenia 46.7%, Kameruni 45.6%, dhe Algjeria 42,5%. Katër të tjera janë në Azi, Kazakistani 43%, Filipinet 41.9%, Pakistani 40.9% dhe Azerbajxhani 40.1%. Guatemala është i vetmi vend në Amerikën e Jugut që ndodhet në listën dhe familjet shpenzojnë rreth 40.6% të të ardhurave për ushqime.
Shifrat nuk tregojnë se ushqimi është më i shtrenjtë në Nigeri se sa në SHBA. Në fakt, është e kundërta. Një amerikan mesatarisht shpenzon rreth 2,392 dollarë në vit për ushqim, një nigerian mesatarisht shpenzon gjysmën, 1,132 dollarë. Një banor i Kenias shpenzon 543 dollarë në vit për ushqim.
Megjithatë, mund të ketë diferenca të mëdha brenda vetë shtetit.
Në 25 vitet e kaluara, rreth 20% e familjeve në Shtetet e Bashkuara shpenzojnë nga 28.8% në 42.6% në ushqim, krahasuar me normën 6.5-9.2% të shpenzuar nga familjet e pasura.

Shqipëria, më keq në rajon, krahasohet vetëm me Afrikën

Në raportin e Forumit Ekonomik Global mungojnë të dhënat për Shqipërinë dhe rajonin, por të dhënat përkatëse nga anketat e buxhetit të familjeve japin një panoramë se sa përqind të buxhetit shpenzojnë për ushqime familjet e rajonit.
Sipas INSTAT, në Shqipëri, familjet shqiptare shpenzojnë 48.7% të buxhetit për ushqime, një përqindje e krahasueshme vetëm me vendet e Afrikës. Sipas Anketës së Fundit të Buxhetit të Familjeve, familjet shqiptare rritën më 2015 shpenzimet për konsumin e ushqimeve me 4,4 pikë përqindje në krahasim me 2014-n. Tendenca për të ulur shpenzimet e tjera dhe fokusi drejt ushqimeve është treguesi më i qartë se familjet shqiptare po varfërohen dhe shqetësimi kryesor i tyre është sigurimi i nevojave bazë të jetesës. Ky është një kthim mbrapa, teksa në dekadën e fundit, pesha e shpenzimeve për ushqime kishte ardhur veçse në ulje.
Edhe në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria e ka këtë peshë dukshëm më të lartë.
Sipas Zyrës Statistikore Shtetërore të Maqedonisë, familjet maqedonase shpenzojnë mesatarisht 33.7% të buxhetit për ushqime.
Në Mal të Zi, sipas Monstat, kjo peshë është 34.6%; në Bosnje-Hercegovinë është rreth 34%.
Familjet serbe, sipas zyrës kombëtare të statistikave shpenzojnë 37.7% të buxhetit për ushqime.
Më e lartë është kjo peshë për Kosovën, në 43%, sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Statistikave.
Në vendet e BE-së, sipas të dhënave historike të Eurostat, pesha e shpenzimeve për ushqime ka mbetur në rreth 12%, që nga viti 2005, kur raportohen të dhënat.
Teksa vendi vijon të jetë një importues i madh neto i ushqimeve, në supermarketet shqiptare ndodh rëndom të gjesh produkte që janë edhe më të shtrenjta se supermarketet në Itali për shembull, ndërsa të ardhurat e familjeve shqiptare janë disa herë më të ulëta se ato italiane.

Artikulli paraprakThellohet konflikti mes Autoritetit të Konkurrencës e AMF për sigurimet
Artikulli tjetërPa votimin elektronik, zgjedhjet të papranueshme