Të fala Ramës!

Nga Elona CASLLI

Morali i një pëlqimi

Çdo veprim në jetë përmban një moral të caktuar, duke u nisur që nga një veprim i zakonshëm në jetën e përditshme e deri tek një qëndrim që mbajmë në një situatë të caktuar.

Një nga veprimet që mund të konsiderohet i zakonshëm në pamje të parë, por që në të vërtetë zbulon një pjesë të karakterit të njeriut është edhe akti i pëlqimit të një postimi në facebook.

Në pragun e fundvitit, Edi Rama do të shfaqte një foto bashkë me familjen e tij dhe do t’u uronte shqiptarëve festat.

Nuk dua të merrem hiç me familjen e Ramës, pasi nuk përbën interes thelbësor në temën që dua të trajtoj.

Ndaj do të fokusohem vetëm tek një fakt- Edi Rama u uron festat shqiptarëve.

Në foton ku Edi Rama u uronte festat shqiptarëve mund të shiheshin qartë komente, urime dhe zemra të individëve të ndryshëm, duke nisur që nga stafi akademik i universiteteve e duke përfunduar tek shkrimtarë, gazetarë, artistë dhe qytetarë të “zonës gri” që nuk janë me asnjë parti politike.

Deri këtu jemi krejt të qartë. Lind pyetja- A mund të pranohet urimi i fundvitit nga një individ si Edi Rama?!

Festat e fundvitit dhe atmosfera që këto të fundit krijojnë, nuk e zhbëjnë faktin që kryeqyteti ku jetojmë po shkatërrohet nga kryeministri dhe kryebashkiaku në detyrë.

Festat e fundvitit dhe atmosfera që këto të fundit krijojnë, nuk e zhbëjnë faktin se nga 2013 deri në 2020 kanë braktisur Shqipërinë qindra mijëra shqiptarë dhe për tetë vite kemi një proces sistematik shpopullimi.

Festat e fundvitit dhe atmosfera që këto të fundit krijojnë, nuk e zhbëjnë faktin se Rama futi në parlament një bashkësi horrash aktiviteti i të cilëve datonte që në rininë e hershme me vjedhje, përdhunime, prostitucion, drogë, plagosje dhe vrasje.

Në historinë e parlamentit shqiptar këtë e ka bërë Rilindja nën udhëheqjen e ndritur të Edi Ramës.

Në optikën time ka një dallim mes një socialisti dhe një Rilindasi. Njoh socialistë që nuk kanë votuar më 30 qeshor dhe si për ironi të fatit janë të njëjtët që nuk kanë asnjë reagim në foton e fundvitit të Edi Ramës.

Përballja me Rilindjen dhe shpurën e saj nuk është përballje partiake. Është përballje me perversitetin dhe rrugaçërinë në vetë të parë.

Dhe për ju Rilindas të shqetësuar dhe në ankth kisha një mesazh- Qetësohuni dhe merrni frymë thellë! Nuk do ta shihni emrin tim në listën e kandidatëve për deputet në asnjë parti, pasi sikundër e kam pohuar dhe më parë, nuk hyn as në vullnetin tim dhe as në energjinë time një përfshirje e tillë.

Nëse do ta kisha dëshiruar diçka të tillë, do ta kisha pohuar publikisht, pasi tek e fundit beteja nuk do të kishte qenë aq e vështirë. Pse nuk do të kishte qenë e vështirë?!

Sepse do të vihesha përballë Elisa Spiropalit që ushqehet me Endri Shabanin në mëngjes.
Sepse do të vihesha përballë Ermonela Felajt që kërkon të shohë shalën e Elona Gjebresë në mbledhje parlamenti.

Sepse do të vihesha përballë Blerina Gjylametit që vënien e poçave për ndriçim të një shkolle e quan arritje të madhërishme të qeverisë.

Sepse do të vihesha përballë Vasilika Hysit që çdo rrugaçëri të dalë nga goja e Edi Ramës e quan poezi.

Sepse do të vihesha përballë Evis Kushit që harron se është ministre dhe hyrjen e ministrisë e ngatërron me hyrjen e Partisë Socialiste.

Sepse do të vihesha përballë Mimi Kodhelit që si e çartur do të pohonte se ” Zyshat duhet të jenë beqare që ta bëjnë siç duhet punën,se po patën burrë u merr burri shumë kohë.
Sepse do të vihesha përballë Antoneta Dhimës që nuk harron kurrë të kombinojë maskën me këpucët apo me fustanin.

Ka aq shumë “sepse” në këtë listë sa është e vështirë t’i përmbledhësh të gjitha.

Shkurt, do të vihesha përballë ca grave të dalldisura që hyrjen e parlamentit e ngatërrojnë me hyrjen e gjimnazit dhe dalldisen keq para aparatit fotografik të të famshmit Agim Rama.

Dhe për kujtesë të dashur Rilindas dhe Rilindase, unë nuk shpreh as pëlqimin tim dhe as urimet në postimet e Bashës dhe nuk do ta bëj këtë gjë edhe nëse ky i fundit do të jetë një ditë kryeministër i Shqipërisë. Pse nuk do ta bëj?!

Sepse e quaj të udhës të mbaj një distancë të shëndetshme me çdo kryetar partie në këtë vend.

E nënvizova këtë fakt, pasi shumë prej jush në pamundësi për të mbrojtur Ramën në bëmat e tij, nën petkun e “shoqërisë civile” apo të njeriut “pa parti” shpesh thurni formula morali në emër të drejtësisë apo të lirisë.

Të paktën kini mirësinë të na i kurseni këto formula morali, sepse nuk bëni gjë tjetër veçse përforconi hipokrizinë dhe dobësinë tuaj.

Është më e drejtë të thoni- Do të votoj Edi Ramën për mandatin e tretë, se e mendoj si alternativën më të mirë, se të vishni maskën e apartiakut e cila bie në çast nga komenti, nga urimi apo nga ngushëllimi në faqen e kryerilindasit.

Unë e kam pohuar dhe e pohoj gjithnjë- Mbështes Opozitën e Bashkuar jo si mekanizmin mrekullibërës por si mekanizmin ekzistues që mundëson rrotacionin. Një mandat i tretë është shumë për një njeri normal. Kur flitet për një vrasës me pagesë të një vendi, është mallkim i përjetshëm.

Post Scriptum- Të fala Ramës!

1

2

3

Artikulli paraprakVaksina erdhi! Po më pas?!
Artikulli tjetërDeklarata e fortë e infermieres: Pacientët me Covid-19 marrin oksigjen nëpër korridore, të tjerë presin në ambulanca