Vaksina erdhi! Po më pas?!

Nga Erion DASHO

Po supozojmë se kryeministri dhe ministria nuk po na gënjejnë kësaj here dhe duke nisur nga janari, Shqipërisë do të nisin t’i vijnë vaksina të Pfizer-it deri sa të bëhen 500 mijë doza.

Për ndjekësit e interesuar të faqes, një përshkrim i shkurtër i logjistikës dhe nevojave.
Vaksinat do të vijnë në kuti me përmasat e një valixheje (si arritën në Beograd para dy javësh). Kutitë janë prodhuar nga vetë Pfizer dhe mbajnë 1,000 deri 5,000 vaksina.

Një kuti e tillë e ruan vaksinën për 10 ditë. Kutia ka termometër të brendshëm dhe kur temperatura “ngrohet” në më shumë se -70⁰C, ka nevojë të rimbushet me akull të thatë.

Pasi kutia arrin në destinacion, vaksinat mund të ruhen në temperaturë -2⁰C deri -8⁰C për 5 ditë. Gjatë kësaj kohe ato duhen administruar. Pra, aty ku hapet kutia, duhet garantuar prezenca e të paktën 1,000 personave të gatshëm për t’u vaksinuar, personelit të trajnuar, etj.

Kuptohet se në një vend rrumpallë të drejtuar nga një ministri e paaftë, në këtë zinxhir logjistik gjithçka mund të shkojë keq dhe vaksina të humbasë efektivitetin.

Në çdo hap Pfizer monitoron vendndodhjen dhe temperaturën. Çdo komprometim i cilësisë, rrezikon një ultimatum për të mos e përdorur vaksinën (Pfizer nuk rrezikon që shqiptarët të marrin vaksina të deaktivizuara që më vonë mund të cënojnë reputacionin e firmës).

Në vend që të mburret me kontratën dhe të shajë BE-në, kryeministri bën mirë të kërkojë ndihmë logjistike dhe financiare nga institucionet europiane.

Nëse është e vërtetë se dozat e para vijnë në janar, ora ka filluar të punojë dhe nuk ka asnjë minutë për të humbur…

Përndryshe rrezikon një dështim spektakolar të pashoq…

Artikulli paraprak“Ne punojmë prej vitesh të keqpaguar”, mjeku i njohur thirrje kolegëve: A do të vazhdojmë të jetojmë me frikë?
Artikulli tjetërTë fala Ramës!