Tatimet: Tarifat për studentët u rritën me 246% më 2016

Rritja e tarifave për të studiuar në universitetet publike ka ngjallur jo pak pakënaqësi ndërmjet grupeve të interesit dhe shoqërisë në përgjithësi, teksa kanë më shumë ndjeshmëri në aksesin në arsimin publik. Shifrat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve tregojnë se të ardhurat nga tarifa e regjistrimit në arsimin e lartë gjatë vitit të kaluar arritën në 8 milionë euro (1,079,850,000 lekë), ndërsa më 2015, të ardhurat nga kjo tarifë ishin vetëm 311 milionë lekë ose 2,2 milionë euro.
Madje arkëtimet në këtë drejtim kanë qenë shumë më të larta se pritshmëritë pasi, plani i të ardhurave nga kjo tarifë ishte 380 milionë lekë më 2016, teksa u grumbulluan gati tre herë më shumë. Por të ardhurat nga tarifa e regjistrimit në arsimin e lartë, janë vetëm një nga të katër zërat e tarifave që vilen aktualisht.
Sipas ligjit të ri për arsimin e lartë që u miratua në vitin 2015 numërohen katër tarifa që vilen ndaj studentëve që ndjekin arsimin e lartë. Ato janë: 1- “Tarifa e aplikimit” është vlera monetare që paguan studenti për aplikim në një program studimi. 2- “Tarifa e konkurrimit” është vlera monetare që paguan studenti për të konkurruar pranë institucionit të arsimit të lartë për të fituar në një program studimi, në ato raste kur institucioni parashikon zhvillimin e konkursit. 3- “Tarifa e regjistrimit” është vlera monetare që paguan studenti për t’u regjistruar në një program studimi. 4- “Tarifa e shkollimit” është vlera monetare që paguan studenti për ndjekjen e një programi studimi pranë një institucioni të arsimit të lartë. Këto tarifa përcaktohen nëpërmjet vendimit të Këshillit të Ministrave dhe udhëzimeve të posaçme.

Artikulli paraprakBizneset e Kosovës kundër nismës së Ramës për bashkëpunim doganor
Artikulli tjetërDegët bankare u pakësuan edhe gjatë vitit 2016