Bizneset e Kosovës kundër nismës së Ramës për bashkëpunim doganor

Afërsia gjeografike mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe përdorimi i gjuhës së përbashkët nuk reflektohet edhe në ekonomi. Eksperti i çështjeve tregtare, Ilir Ciko në një intervistë është shprehur se ka një shqetësim të rritur kohët e fundit nga biznesi për nivelin e ulët të bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik mes dy vendeve. Ciko shpjegon se bizneset kosovare janë kundër projektit të qeverisë shqiptare për bashkëpunimin doganor mes dy vendeve. “Bashkëpunimi doganor është një projekt që përfshin edhe vendet e tjera të rajonit, të cilat duke qenë se janë vende më të mëdha mund të kenë fitime më të larta nga ky projekt. Nivelin e ulët të shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve unë e shoh si një kundërreagim të bizneseve kosovare”, deklaron Ciko. Ai shpjegon se mes dy vendeve ka barriera të shumta, që përkeqësojnë klimën e të bërit biznes, ku kryesoret janë pagesat në dogana dhe mungesa e harmonizimit të legjislacionit. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, eksportet tona drejt Kosovës arritën në vitin 2016 vlerën e 16.6 miliardë lekëve, duke shënuar një rënie prej 4.3 miliardë lekësh kundrejt vitit të mëparshëm. Ndërsa importet vlerësohen në 5.8 miliardë lekë, me rritje vjetore modeste prej vetëm 400 milionë lekësh. Duket se ecuria e shkëmbimeve tregtare ka vijuar e dobët edhe gjatë këtij viti. Të dhënat zyrtare të disponueshme janë ato të dymujorit 2017. Për këtë periudhë eksportet tona drejt tregut kosovar vlerësohen në 2.3 miliardë lekë nga 1.7 miliardë që ishin në janar-shkurt 2016; ndërsa importet kanë shënuar vlerën e 860 milionë lekëve, me rritje vetëm 335 milionë kundrejt dymujorit të parë të vitit 2016. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me investimet. Në Kosovë operojnë 903 biznese shqiptare me një total investimesh prej 28.6 milionë euro vitin e kaluar. Kundrejt 2015-ës, investimet shqiptare në vendin fqinj janë ulur me 11.5 milionë euro. Ndërsa në Shqipëri, ofrojnë shërbimet e tyre 600 biznese kosovare, me një total investimesh prej 15.6 milionë euro për 2016-ën. Kundrejt vitit parardhës, vlera e investimeve kosovare në Shqipëri është dyfishuar, por mbetet ende në nivele të ulëta.

Kosovë, bizneset po krijojnë konkurrencë të panevojshme në treg

Në mungesë të një strategjie të mirëfilltë ekonomike, sipërmarrësit në Kosovë vazhdojnë të hapin biznese të një veprimtarie të njëjtë, duke krijuar kështu konkurrencë të panevojshme në treg dhe duke dëmtuar njëra-tjetrën, thonë përfaqësuesve të bizneseve dhe ekspertë të fushës. Numri i përgjithshëm i bizneseve që figurojnë të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, është mbi 150 mijë biznese. Prej tyre, më shumë se 90 për qind u takojnë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Drejtori ekzekutiv në Odën Ekonomike amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se në Kosovë konkurrenca e këtyre bizneseve të shumta me veprimtari të njëjtë, po zhvillohet brenda tregjeve shumë të vogla dhe me një numër të vogël të konsumatorëve që nuk janë më shumë se rreth 2 milionë. “Duke vepruar kështu, duke ndjekur të njëjtat modele të të bërit biznes apo duke investuar në të njëjtin sektor të të bërit biznes, ato vetëm sa e ashpërsojnë konkurrencën në sektor dhe industri të caktuara. Kjo po ndodh si rezultat i mungesës së planeve konkrete të biznesit, mungesës së shfrytëzimit të konsulencës afariste që ende është një pjesë e kulturës së të bërit biznes që duhet të ndryshojë në vendin tonë dhe krejt në fund si rezultat i kreativitetit dhe inovacionit”, thotë Zeka. Kosova si një vend me importin më të madh të produkteve nga vendet e rajonit dhe më gjerë, thonë ekspertë të çështjeve ekonomike, ka nevojë për lloje të ndryshme të bizneseve. Naim Gashi, njohës i çështjeve ekonomike, thotë për Radion Evropa e Lirë se bizneset në Kosovë do të duhej të kopjojnë njëra-tjetrën në fushën e bujqësisë, por jo në veprimtari të tjera që tashmë janë të shumta në vend. “Bizneset në Kosovë do të duhej të kopjojnë njëra-tjetrën në fushën e bujqësisë, pasi tregu në Kosovë është jashtëzakonisht i madh në krahasim me ofertën që ekziston në treg, derisa kopjimi i bizneseve në fushën e shërbimit, turizmit, pishinave, pompave të benzinës është jashtëzakonisht i dëmshëm pasi afarizmi i tyre do të ketë bilanc negativ”, vlerëson Gashi. Një pjesë të fajit për këtë dukuri të bizneseve të së njëjtës veprimtari, sipas drejtorit ekzekutiv në Odën Ekonomike amerikane në Kosovë, Arian Zeka, e kanë edhe institucionet e Kosovës. Sipas tij, institucionet përkatëse nuk kanë krijuar një kornizë të përshtatshme ligjore që të inkurajojnë zhvillimin e hulumtimit dhe rrjedhimisht inovacionit në vend. Po ashtu, edhe në aspektin fiskal, thotë Zeka, nuk ka ndonjë masë stimuluese për kompanitë që do të investonin në krijim të produkteve apo shërbime të reja. “Ministria e Financave duhet të inkurajojë përmes lirimeve tatimore kompanitë që synojnë të investojnë në hulumtim dhe zhvillim, pavarësisht sesa është kjo përqindje e shpenzimeve. Ata duhet të jenë më fleksibil sesa janë aktualisht”, thekson Zeka. Në mungesë të një industrie të zhvilluar të prodhimtarisë, Kosova vazhdon të importojë gati të gjitha produktet, duke filluar nga ato të konsumit deri te produktet strategjike. Vlera totale në vit e mallrave të importuara në Kosovë sipas të dhënave zyrtare, arrin shifrën në mbi 2.5 miliardë euro, derisa eksporti i produkteve të Kosovës në vendet e rajonit dhe Evropës, nuk arrin vlerën mbi 300 milionë euro në vit.

REL

Artikulli paraprakKorrupsioni dhe droga rrezik për destabilizim
Artikulli tjetërTatimet: Tarifat për studentët u rritën me 246% më 2016