Degët bankare u pakësuan edhe gjatë vitit 2016

Vitin e kaluar, bankat vijuan uljen e numrit të degëve dhe agjencive. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i degëve bankare në fund të vitit 2016 zbriti në 503, nga 518 që kishte qenë një vit më parë. Në vitet e fundit, bankat janë përballur me shpenzime të larta dhe rënie të përfitueshmërisë, sidomos për shkak të nivelit të lartë të kredive me probleme. Kjo ka bërë që ato të shtrëngojnë politikat e zgjerimit të rrjeteve, madje të mbyllin një pjesë të mirë të degëve jo eficente. Që nga viti 2012, numri i degëve dhe agjencive bankare është ulur me 53 njësi. Përveç nevojës për të ulur shpenzimet, tkurrja e rrjetit të degëve do të jetë edhe një domosdoshmëri në modelin e biznesit në afatin e gjatë, duke pasur parasysh rolin në rritje të teknologjisë në shoqëri dhe ekonomi. Zgjerimi i shërbimeve në distancë përmes internetit dhe telefonave të lëvizshëm do ta ulë domosdoshmërinë e një pranie të zgjeruar fizike të degëve bankare. Sidoqoftë, Shqipëria është ende larg masivizimit të shërbimeve bankare në distancë dhe krahasuar me vendet e tjera, ka një depërtim të ulët të njësive bankare. Sipas Bankës Botërore, në vitin 2015, Shqipëria kishte 21.9 degë bankare për 100 mijë banorë, duke mbajtur vendin e parafundit në rajon, para Kosovës. Vendet e tjera kanë një përqendrim të degëve bankare në intervalin mes 25 dhe 30 degë për 100 mijë banorë, me përjashtim të Malit të Zi, ku dendësia e njësive bankare është shumë më e lartë, me 43 për 100 mijë banorë.

Artikulli paraprakTatimet: Tarifat për studentët u rritën me 246% më 2016
Artikulli tjetërShqiptarët po fitojnë më pak