Taksa, 10 milionë euro në vit për të parë TVSH-në

Tarifa e shërbimit për përdorimin e aparateve radio-televizive ka çuar në buxhetin e shtetit vitin e kaluar mbi 1,3 miliardë lekë, shumë kjo e barabartë me 10 milionë euro. Kjo shumë e raportuar nga tatimet rezulton të jetë 200 milionë lekë më e lartë se ajo e vitit 2015 me një rritje 18% krahasuar me faktin e 2015. Rendimenti në grumbullimin e tarifës është përmirësuar së fundmi edhe për shkak të rritjes së efektivitetit të grumbullimit të faturave të energjisë, pasi kjo tarifë grumbullohet nëpërmjet faturave të energjisë. Tarifa e paguar tradicionalisht nga shqiptarët shkon për financimin e veprimtarisë së televizionit publik, i njohur sot si TVSH-ja. Sipas vendimit të Kuvendit të Shqipërisë numër 98, të vitit 2016, RTSH-ja i siguron fondet financiare për nevojat e veta nga burimet e përcaktuara në Ligjin nr. 97, datë 4.3.2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë, RTSH-ja ka burimin kryesor të të ardhurave, tarifa e shërbimit për përdorimin e aparatit marrës të transmetimeve audiovizive në posedimin e personave në territorin e Republikës së Shqipërisë. Tarifa e shërbimit për përdorimin e aparateve televizive është 100 (njëqind) lekë në çdo muaj kalendarik”. Tarifa paguhet nga përdoruesit familjarë dhe nga përdorues të tjerë jofamiljarë. Përdoruesit familjarë paguajnë tarifën vetëm për një marrës televiziv, pavarësisht nga numri i aparateve që kanë në familje. Përdoruesit e tjerë jofamiljarë paguajnë tarifën për çdo aparat televiziv. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) është agjenti për mbledhjen e tarifës së shërbimit për përdorimin e aparateve televizive. Mbledhja e kësaj tarife bëhet çdo muaj.

Artikulli paraprakLiri Berisha: Pse duhet t’i vaksinoni fëmijët
Artikulli tjetërMediat në SHBA: Hetim Ramës dhe Tahirit për lidhjet me krimin