Liri Berisha: Pse duhet t’i vaksinoni fëmijët

Në Ditën Botërore të Autizmit, në Ulqin u zhvillua një konferencë rajonale duke bërë bashkë jo vetëm përfaqësues nga Shqipëria, por edhe nga Kosova e Mali i Zi. Organizatorja e kësaj konference, mjekja Zylfie Duraku, njëherësh edhe kryetare e Shoqatës “Anima”, pasi falënderoi Dr. Liri Berishën për mbështetjen profesionale të këtij eventi me pjesëmarrjen dhe ligjëratat e profesionistëve të Qendrës Rajonale për Autizmin në Farkë tha se, fëmijët autikë të Malit të Zi dhe prindërit e tyre ballafaqohen me probleme e sfida të mëdha. “Ne shqiptarët e Malit të Zi kemi edhe një vështirësi tjetër, siç është barriera gjuhësore. Fëmijët tanë nuk mund të vlerësohen dhe trajtohen në gjuhën shtetërore, por atë amtare pasi këta fëmijë kanë probleme komunikimi dhe vlerësimi i tyre në gjuhën tjetër është i pamundur. Për këtë arsye prindërit kryesisht detyrohen të shkojnë në Tiranë apo Prishtinë për diagnostikimin e fëmijëve të vet, por siç e dimë këtë mundësi nuk e kanë të gjithë. Rrjedhimisht ne kemi nevojë për mbështetje nga të tri qendrat”, u shpreh Zylfie Duraku. Dr. Liri Berisha në fjalën e saj dha mesazhe të forta për prindërit, të cilët duhet të luftojnë me të gjitha mënyrat për të mbështetur fëmijët e tyre dhe të mos lejojnë paragjykimet të gjunjëzohen e të dorëzohen. Ajo foli për shenjat e para të autizmit, për momentet e vështira të përballjes me të në familje, si dhe për fillimin e terapisë. Dr. Liri Berisha, nisur nga prezenca e shumë prindërve me fëmijë autikë në sallë, foli edhe për vaksinën e MMR, e cila akuzohet nga prindërit sot si shkaktare e autizmit. Ajo i përcolli një mesazh të qartë prindërve se pa vaksina, njerëzimi do të ishte shfarosur nga sëmundje të rënda ngjitëse. Sipas studimeve shkencore të kryera deri më tani nuk është provuar asnjë lidhje mes autizmit dhe vaksinës. “Polemika jo të pakta kanë shkaktuar vaksinat, shpikja e të cilave për dekada ka shpëtuar njerëzimin nga sëmundje epidemike me një morbozitet e mortalitet të lartë. Në qëndrimin ndaj vaksinave sot ka disa këndvështrime. Personalisht unë e shoh në këndvështrimin e një mjekeje dhe e konsideroj fillimin e përdorimit të vaksinës si revolucion. Dhe këtë konstatim e them jo sot, e nisur nga mosha ime dhe praktika e gjatë mjekësore, por që në ditët e para të punës time si pediatre kur shefat tanë na detyronin ta fillonim ditën e punës jo në pavijon pranë shtratit të fëmijës, por në morg. Nuk kishte gjë më tronditëse dhe shokuese kur shihnim se si pertusi, meningiti, fruthi, poliomieliti, tetanozi apo sëmundje të tjera pa mëshirë kishin marrë jetët e fëmijëve të vegjël që deri një ditë më parë i kishim në duart tona e i kuronim vetë. Ndërsa sot në sajë të vaksinimit, jo nënat e studentët, por as mjekët e pas brezit tim nuk hasen me këto trauma nuk i njohin këto sëmundje, (veçse në libra) dhe kjo falë mrekullisë së vaksinave. Të gjitha nënat kudo në botë hezitojnë dhe kanë frikë. Edhe unë, jo më si mjeke, por në pozicionin e nënës e shumë shpesh të gjyshes kam hezituar dhe më duket deri diku edhe e frikshme injektimi në dy muajt e parë të jetës i 7 apo 8 vaksinave. Por kur vihesh përpara epidemive me vdekshmëri të lartë apo komplikacione të rënda dhe mbi të gjitha kur e di se ka një shpëtim që është vaksina, nuk mendoj se nëna do të presë pasojat e mosbërjes së vaksinës. Në këto momente që flasim jepen njoftime se raste me fruth, që është një nga sëmundjet më ngjitëse e me komplikacione nga më të rëndat me vdekshmëri të lartë, kanë filluar në disa shtete të Europës dhe pikërisht vaksina që i mbron fëmijët nga kjo sëmundje, frika jonë e ka futur në grupin e vaksinave që akuzohen se japin autizëm. Shqetësimi i nënave ka mbushur konsultoret. Ato kërkojnë me insistim vaksinimin e fëmijëve pikërisht me vaksinën që e kanë refuzuar deri më tani. Pra, vaksinat janë të domosdoshme dhe duhen bërë në moshën e caktuar”, deklaroi Dr. Liri Berisha. Dr. Liri Berisha i përcolli audiencës edhe një lajm të mirë në lidhje me fëmijët shqiptarë me autizëm të Ulqinit. Shumë shpejt, në muajt në vazhdim, Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” do të mbështesë në ngritjen logjistike të një qendre të re diagnostike dhe terapeutike në Shkodër, e cila do të ketë karakter rajonal. Fondacioni do të trajnojë stafin e terapistëve që do të punësohen aty, si dhe do të pajisë ambientet e kësaj qendre me materialet e domosdoshme për terapi siç janë librat dhe metodat. Në konferencë mbajtën referime shkencore edhe 4 përfaqësues të Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, Dr. Ariel Çomo, Juliana Esaj, Prof. Oriola Pampuri, si dhe psikologia Eleana Naçi.

Artikulli paraprakMetalurgët ultimatum Ramës: Na miratoni urgjent statusin dhe moshën e pensionit
Artikulli tjetërTaksa, 10 milionë euro në vit për të parë TVSH-në