Sulmohet e dhunohet në mes të Tiranës gazetari Elvi Fundo

Gazetari kritik ndaj qeverisë dhe njëkohësisht drejtuesi i portalit Citynews.al, Elvi Fundo është sulmuar paraditen e djeshme nga dy persona të panjohur. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:30 në Bulevardin “Zogu I”, afër stacionit të Trenit në Tiranë në mes të rrugës dhe në prani të shumë qytetarëve. Dy personat i kanë zënë pritë në rrugë gazetarit dhe e kanë goditur me mjete të forta, duke e shtrirë në tokë dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur për policinë. Fundo është dërguar në Spitalin Ushtarak ku ndodhet dhe është duke u mjekuar për plagët që ka marrë. Mjekët thonë se, “gjendja është e kalueshme, por duhet të qëndrojë në spital për disa ditë”.
Në një prononcim për mediat, Fundo ka rrëfyer se nuk i njihte personat që e kanë dhunuar. “Isha duke ecur kur dy persona më sulmuan. Nuk i njihja se kush ishin dhe nuk e di se pse e kanë bërë. Gjithçka ka të bëjë me punën time si gazetar, por ja kam lënë në dorë policisë për të hetuar dhe zbardhur ngjarjen. Falënderoj stafin që m’u gjend pranë”, është shprehur gazetari Elvi Fundo.
Gazetari Elvi Fundo ka reaguar pas dhunës së ushtruar ndaj tij. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Fundo shkruan se dy persona e sulmuan nga pas me mjete të forta, duke i shkaktuar plagë. Ai shprehet se sulmi nuk është politik, por vepër e krimit të financuar nga klane korruptive mediatike të lidhura me drogën. “Dy persona më sulmuan nga pas me mjete të forta afër zyrës në orën 10 e 30, duke më shkaktuar disa plagosje. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen dhe kurajon. Nuk besoj që është sulm politik, por vepër e krimit të financuar nga klane korruptive mediatike të lidhura me drogën. Inkurajoj dhe mbështes Policinë e Shtetit për zbardhjen e ngjarjes. Ju lutem mos bëni politikë me sulmin banditesk ndaj meje. Republika e vjetër dhe e re mos mbrojnë banditë me pseudonime dhe trafikantë në media… As pole që kërcejnë tek “Rilindja” dhe ju bëhet serenatë nga PD”, shkruan Fundo në reagimin e tij në Facebook.
Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka reaguar për dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Elvi Fundo. Topalli shkruan se ky është një lajm shumë i keq dhe një akt i rëndë. Sipas saj, goditja barbare ndaj njeriut të medias është alarm. Ndërsa u kërkua organeve përgjegjëse të hetojnë dhe çojnë para ligjit ata që guxojnë të ngrenë dorë mbi njerëzit e medias. “Media sot raporton për ushtrim dhune ndaj gazetarit Elvi Fundo. Ky është një lajm shumë i keq. Ky është një akt shumë i rëndë dhe i dënueshëm. Elvi Fundo ka përfunduar në spital, ku me sa duket do të duhet të qëndrojë disa ditë. Goditja barbare ndaj njeriut të medias është alarm. I kërkoj organeve përgjegjese të hetojë dhe të çojë para ligjit ata që guxojne të ngrejnë dorën mbi njerëzit e medias”, shkruan Topalli.
Ndaj dhunës së gazetarit Fundo ka reaguar edhe deputeti i PD, Astrit Patozi. Përmes një postimi për mediat, Patozi shkruan se besimi i porositësve se janë zotër të republikës është një arsye më shumë për të menduar se vetëm një shkundje e fortë do ta shpëtojë këtë vend nga pushteti i banditëve. “Më shumë se dhuna barbare ndaj një gazetari kritik, më dhemb guximi i agresorëve për të sulmuar në mes të ditës dhe në mes të Tiranës. Por, sidomos, bindja e porositësve se janë të paprekshëm dhe se drejtësia nuk do të mbërrijë kurrë tek ata (ashtu siç, në fakt, ka ndodhur deri më sot). Besimi i tyre se janë zotër të Republikës, përveçse acarues, është një arsye më shumë për të menduar se vetëm një shkundje e fortë do ta shpëtojë këtë vend nga pushteti i banditëve, që ka marrë përmasa të frikshme”, shkruan Patozi.
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dënon me forcë dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Elvi Fundo. “Duke i uruar rikuperim të shpejtë kolegut Fundo, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë i bën thirrje policisë që të zbardhë sa më shpejt këtë akt barbar. Autorët duhet të vendosen para ligjit e të marrin dënimin e merituar”, thuhet në reagim.

Artikujt denoncues në portalin Citynews.al, nga Alfred Peza tek Erion Veliaj

Elvi Fundo ka publikuar disa lajme në portalin e tij Citynews.al për abuzimet e zyrtarëve të lartë me pushtetin. Dhuna e ushtruar ndaj tij nuk duhet kërkuar asgjëkundi, përveçse tek puna e tij investigative si gazetar. Ne kemi mbledhur disa nga denoncimet më të forta që Fundo ka bërë gjatë muajve të fundit, jo për të identifikuar urdhëruesit e dhunës shtazarake që u ushtrua ndaj tij, por për të kuptuar se pse Fundo është sot e gjithë ditën viktima e radhës mediatike e një pushteti në degradim.
Dhe kur flasim për këtë, denoncimi i parë që na vjen në mendje i servirur për opinionin publik nga Fundo, është ai për transaksionin miliarder të deputetit të PS-së, Alfred Peza. Në 13 janar të këtij viti, Elvi Fundo publikoi në portalin e tij, shkrimin investigativ me titull  “Ekskluzive-SKANDALI/Deputeti i Rilindjes dhe ish-gazetari Alfred Peza blen 1.1 miliard lekë, 1% aksione të një banke private (Dokumentat)”. Artikulli që shkaktoi një furtunë të vërtetë debatesh politike, aq sa sot Alfred Peza rrezikon seriozisht mandatin e tij si deputet argumentonte sesi ligjvënësi socialist, kishte blerë aksione të Bankës Credins me vlerë 1.3 miliard lekë, me para që ai nuk i justifikonte dot. Çështja sot e gjithë ditën është nën hetim nga Prokuroria e Tiranës.
Por nëse mendoni, se kulminacioni investigativ i Fundos ishte ky, gaboheni. Pak më herët në fund të vitit të kaluar, konkretisht në datën 14 dhjetor, Elvi Fundo publikoi foto ekskluzive të takimit okult ndërmjet Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe prokurorit të Tiranës, Petrit Fusha. Ky i fundit ishte prokurori që po hetonte një çështje mjaft serioze dhe implikuese për Erion Veliaj siç është vdekja tragjike e adoleshentit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës. Në brendësi të artikullit, Fundo e përshkruante me këto fjalë atmosferën e bisedës: “Veliaj dhe Fusha dukeshin në një bisedë ku kryebashkiaku jepte sqarime dhe urdhëra ndaj kryeprokurorit të kryeqytetit, i cili ka në dorë disa hetime të rëndësishme penale për Veliajn dhe ministrat e qeverisë Rama, raporton, Citynews”.
A e dini sesi u mbyll kjo çështje? Citynews pak kohë më pas publikoi një tjetër artikull, ku argumentonte me fakte sesi kryebashkiaku i Tiranës, kishte firmosur 10 milionë dollarë për kompaninë e të afërmve të prokurorit. “Firma “Fusha” është subjekti që ka “fituar” ndërtimin e Sheshit “Skënderbej” në vlerën 8.5 milionë dollarë në datën 27 dhjetor në vitin 2016. Një tender tjetër që është fituar nga firma “Fusha” rezulton në 17 tetor të vitit të kaluar dhe kap vlerën e 1.5 milionë dollarë. Pra, të dy tenderat e fituar nga firma “Fusha” llogariten rreth 10 milionë dollarë. Tenderi i fundit për rikonstruksionin e Sheshit “Skënderbej” është çelur në datën 5 dhjetor 2016 dhe është mbyllur, pra shpallur fituesi në datën 27 dhjetor 2016, tre ditë  pas publikimit të fotove nga Citynews”, denonconte gazetari Fundo.
Po në adresë të Erion Veliaj, Fundo ka denoncuar edhe një seri abuzimesh si me rikonstruksionin e Sheshit “Skënderbej”, masakrën të Parku i Liqenit, dhe rrëfimin e një qytetareje sesi Veliaj i kishte shkatërruar pronën për interesat e të afërmve të bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.
Një tjetër person i afërt me Kryeministrin Edi Rama, që ka përfunduar shpesh në radarin e denoncimeve të Elvi Fundos ka qenë edhe botuesi dhe pronari i UET-së, Henri Çili dhe faktin sesi ai nuk paguante detyrimet financiare ndaj shtetit, një ves i vjetër ky i tij.
Dhe sëfundi, por jo i fundit për nga rëndësia, edhe OSHEE dhe drejtori i saj, Ardian Çela kanë qenë pjesë e denoncimeve të vazhdueshme të Fundos. Kryefjala e këtyre denoncimeve nuk mund të ishte tjetër veçse abuzimi me tenderat që jepen pa teklif nga ky individ.

PD: Sulm banditesk ndaj fjalës së lirë

Partia Demokratike ka dënuar sulmin dhe dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Elvi Fundo. “Partia Demokratike dënon me ashpërsi sulmin banditesk ndaj gazetarit Elvi Fundo. Kjo goditje ndaj fjalës së lirë dhe lirisë së shtypit vjen në kohën, kur qeveria Rama është e angazhuar frontalisht në shantazhe dhe kërcënime ndaj medias me qëllim kapjen e saj totale dhe asgjësimin e fjalës së lirë. Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të zbardhë sa më shpejt ngjarjen dhe të vërë para drejtësisë autorët e sulmit banditesk ndaj gazetarit Elvi Fundo”, thuhet në deklaratën e PD.

Berisha: Rama dhunë fizike ndaj portaleve që nuk i kontrollon!

Ish-Kryeministri Berisha ka dënuar dhunën ndaj gazetarit Elvi Fundo dhe i ka bërë thirrje Prokurorisë së shtetit të hetojë me përparësi këtë ngjarje. Në një postim në rrejtin social Facebook, Berisha shkruan se, Rama shpërthen me dhunë fizike ndaj portaleve që nuk i kontrollon! Goditet gazetari Elvi Fundo!
“Të dashur miq, në një akt banditesk sulmohet dhe goditet nga banditë të qeverisë, gazetari dhe drejtuesi i një portali kritik ndaj Ramës dhe Peleshit, Elvi Fundo.
Ky akt kriminal vjen pas një seri sulmesh të egra verbale të Edi Ramës në veçanti ndaj portaleve që ai nuk i kontrollon. Urrejtja e tij e papërmbajtur ndaj tyre shpërtheu me dhunën fizike në mes të rrugës ndaj gazetarit Fundo, por edhe në fjalën që ai mbajti sot me rastin e 8 Marsit para grave të mazhorancës së qelbësirave, ku sulmoi egër ata që deformojnë, falsifikojnë të vërtetën, duke nënkuptuar me këtë portalet.
Duke i uruar shërim të shpejtë gazetarit Fundo dhe dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë dhunë kriminale të Edi Ramës, i bëj thirrje Prokurorisë së shtetit të hetojë me përparësi lidhjen e banditëve me qeveritarët dhe personalisht Edi Ramën, për të vendosur para ligjit autorët e këtij akti të shëmtuar! sb
“Gazetari kritik ndaj qeverisë, Elvi Fundo është sulmuar paraditen e sotme nga 2 persona të panjohur, të cilët e kanë goditur dhe më pas janë larguar, duke humbur gjurmët. Më pas, Fundo është dërguar në Spitalin Ushtarak ku ndodhet dhe është duke u mjekuar për plagët që ka marrë”, shkruan Berisha.

Luçiano Boçi: Dhuna ndaj gazetarëve tregues i mbytjes së lirisë së mediave

Deputeti i PD, Luçiano Boçi, ka reaguar kundër dhunës së ushtruar ndaj gazetarit Elvi Fundo. Në një postim në rrjetin social Facebook, Boçi shkruan se, dhuna ndaj gazetarëve është tregues ulëritës i mbytjes së lirisë së mediave.
“Mbytja e zërit të medias me dhunë ndaj gazetarëve, është tregues ulëritës i mbytjes së lirisë së mediave. Pas shantazhimeve, blerjeve, ofertimeve, lëvizjeve kot, shkarkimeve të shumë gazetarëve, goditja e Elvit dëshmon që jemi brenda një spiraleje inkriminimi social e politik, ku gjëja më pa vlerë është liria, sidomos ajo e medias.
E kemi parë e ndeshur rëndom këto katër vite në dhjetëra forma.
Skuqit i kërcënuan familjen, Xhajën e detyruan të ikë larg, Hatikës i ndërtuan qindra kurthe e shantazhime, Totën e shkarkuan, Shkullakun e Lelën i larguan. Tani dhunojnë Fundon.
Demokracia jonë po shkërmoqet dita-ditës!
Ndërsa media jonë pa solidaritet, vështron!!!!
Cili e ka radhën???!!! …që të bëjë lajmin e ditës…!”, shkruan Boçi.

Artikulli paraprak“The Smart Mind” i Shtëpisë së Bardhë
Artikulli tjetërNaile Hidri: Kërkoj drejtësi për Besnikun derisa të mbyll sytë