“The Smart Mind” i Shtëpisë së Bardhë

Njeriu “hije” gjatë fushatës elektorale të Donald Trump, por njëkohësisht edhe regjisori inteligjent dhe i talentuar i saj. Bëjmë fjalë për Jared Kushner, këshilltari më i dëgjuar i Presidentit Trump dhe njëkohësisht dhëndër i tij.
Presidenti Trump pati rastin të shohë konkretisht se ç’është në gjendje të realizojë dhëndri i tij, të cilin e ka përcaktuar thjesht “fantastik”.
Djalë i një familjeje hebraike ortodokse me mjaft influencë të Nju Xhersit, të njohur si ndërtues po aq sa për veprimtaritë e shumta e filantropike, i diplomuar me rezultate maksimale më 2007 në New York University School of Law (një ndër institutet më prestigjiozë amerikanë në këtë fushë), Jared Kushner u martua shumë i ri (sipas traditës ortodokse hebraike), me Ivanka Trump, me të cilën ka tashmë tre fëmijë.
Aftësitë e tij organizative dhe menaxheriali, stili i tij qetë e i rrjedhshëm, intuita e jashtëzakonshme, njohja shkencore e realitetit në të cilin operon, aftësia për të njohur interlokutorin dhe për të ndjekur dialektikën e tij, cilësi këto të spikatura që në kthesën pozitive që u dha aferave të shumta e të komplikuara të familjes nga ka prejardhjen, bënë për vete gjithë stafin e fushatës elektorale të Trump, aq sa strategu i këtij stafi me plot njerëz të aftë e të arsimuar më së miri, Stephen Bannon dhe shefi i tyre Reince Priebus, insistuan pranë presidentit Trump që ta sjellin Jared Kushnerin në Shtëpinë e Bardhë si këshilltar i Presidentit.
Në planin legal nuk ishte aq e thjeshtë: një statut i aprovuar nga Kongresi që në vitin 1967 u pengon nëpunësve publikë në SHBA të punësojnë të afërm në “agjencinë në të cilën punojnë”. Por Kushner, i diplomuar në jurisprudencë, diti si ta interpretojë ligjin e drejtë kundër nepotizmit. Pasi vuri sipërmarrjet e veta në një Blind Trust, për të evituar konfliktin e interesit, Jared Kushner mundi të emërohet këshilltar (Senior Advisor) i Presidentit Trump.
Si mundi Trump, i njohur në rrethet njujorkeze si njeri që nuk i beson kollaj kujt, t’i besojë kaq shumë dhëndrit të tij Kushner?
Besimi s’ka qenë aspak një dhuratë nga ana e manjatit njujorkez. Jared Kushner, me lëvizjet inteligjente të tij e bindi vjehrrin e famshëm t’i besojë atij, hap pas hapi, trajektoren e tërë fushatës elektorale. Shumë nga ndërmjetësimet me eksponentë republikanë, opozitarë të kandidatit Trump dhe bindja me argumente e tyre për ta mbështetur atë, janë vepër e Jared Kushnerit. Vetë zgjedhja e Mike Pence si zëvendëspresident i SHBA është po ashtu realizim i tij.
Shumë investitorë të njohur u trembën, gjatë fushatës elektorale, nga fjalimet, në dukje shpesh kontradiktore, të Trump nëpër mitingje. Kushner u bëri të ditur atyre domethënien mediatike të “kontradiksioneve” dhe u shpjegoi qartë esencën e filozofisë së kandidatit Trump për President i SHBA.
Imagjinoni vetëm ditën kur Trump u akuzua rëndë për antisemitizëm nga i gjithë tam-tami i mediave që në shumicë mbështesnin kandidaten Clinton. Ai sapo kishte publikuar një foto të ish-sekretares së Shtetit me një flamur izraelian me Yllin e Davidit në sfond. Fundi i botës! Trump më në fund paskësh hequr maskën e paskësh nxjerrë fytyrën e vërtetë të antisemitit!!!
Por nuk vonoi dhe Trump, me atë nënqeshjen e tij ironike dhe tallëse për nivelin sipërfaqësor të këtyre mediave e për obsesionin antiTrump të tyre, deklaroi para mediave se, “vajza ime po sjell në dritë një fëmijë hebre”. Kjo për shkak se Ivanka, e lidhur ngushtë në martesë me Jared Kushnerin, ka përqafuar tashmë totalisht edhe fenë e tij hebraike (konvertimi i bashkëshortes apo i bashkëshortit johebre në hebraizëm e sidomos në hebraizmin ortodoks është një procedurë e gjatë dhe e vështirë).
Kështu u shemb edhe qiellgërvishtësi i ndërtuar me rërë i mbështetësve të Clinton mbi “antisemitizmin” e Donald Trump.
E gjithë kjo ngaqë dhëndri “fantastik”, Jared Kushner, e njihte po aq mirë gjuhën, forcën dhe rëndësinë e mediave. Ai vetë ka qenë pronar i “New York Observer”, një e përjavshme mjaft e ndjekur dhe me mjaft influencë e Nju Jorkut.
Elokuenca e tij, logjika e hollë dhe stili i paqmë shkëlqyen në bisedimet me liderin karizmatik të republikanëve dhe kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, deri në atë moment një opozitar i Donald Trump, për shkak të disa deklaratave mediatike të tij në prag të fushatës.
Kush më mirë se një djalë i ri, plot dije e i rafinuar si Jared Kushner, edhe pse me pothuajse asnjë eksperiencë në politikë e sidomos në politikën e jashtme të SHBA, do të mund të kuptonte se jo eksperienca e zonjës Clinton e ca më pak ajo e John Kerry-t, por ajo e kolosit të diplomacisë amerikane e botërore, ish-sekretarit të Shtetit, Henry Kissinger, ishte dhe mbetet një thesar i vërtetë për të ndërtuar politikën e re të jashtme të Presidentit Trump.
Bashkëbisedimi i Kushnerit me të urtin e madh, lexohet qartë në tekstin e diskutimit që Trump mbajti në Komitetin amerikano-izraelian të Punëve Publike, një nga organizatat më prestigjioze të kultivimit të miqësisë dhe të interesave të përbashkët midis këtyre dy vendeve aleate.
Jared Kushner, interlokutor i shkathët dhe bindës në të gjithë hallkat e vështira të procesit të ndjekur nga Trump; gjer edhe ripajtimi me Rupert Murdoch, mbështetës i zellshëm i republikanëve, por kundërshtar i Trump gjer në atë moment.
Ndërmjetësime të tillë nuk janë gjëja më e thjeshtë: prapa Murdoch qëndron një rrjet i tërë mediatik dhe interesash, një vektor i madh forcash vendosja kundër e të cilave do të ishte një luks për fitoren e Trump dhe të republikanëve. “Forcë qetësuese” e kanë përkufizuar Jared Kushnerin ata që e njohin nga afër atë.
Si gjatë fushatës së lodhshme elektorale, ashtu edhe tani që Kushner vazhdon të jetë një ndër këshilltarët më të besuar të Presidentit Trump, spikat karakteri i qetë po aq sa ubikuitar i tij; nga njëra anë një këshilltar i aftë të bëjë të reflektojë vetë Presidentin Trump dhe nga ana tjetër një mediator i shkathët me të gjitha palët. Nuk ka qenë i lehtë, fjala vjen, ndërmjetësimi me fraksione të ndryshme të komuniteteve hebraike, sidomos me komunitetin e Nju Jorkut, i njohur për mbështetjen në mazhorancë që historikisht u ka dhënë demokratëve. Por Jared, jo ngaqë njeh mirë gjuhën dhe interesat e tyre, por ngaqë ka logjikë, të paqme po aq sa e fortë, nuk lë shteg për interpretim të shtrembëruar të esencës së gjërave; ai mundi të bindë shumë prej korrenteve hebraike njujorkeze që të ndjekin e mbështesin pa rezerva Trump. Dhe ashtu ndodhi.
Nju Jork është njëkohësisht sheshi i provës së madhe e tij në jetën e Jared Kushnerit, provë e kaluar me sukses. Sapo kishte mbushur 23 vjeç dhe sapo ishte diplomuar në Harward kur ai vendosi të lërë Nju Xhersin e të hedhë vështrimin nga Nju Jorku. Sipërmarrja e familjes së tij, Kushner Companies, kishte hyrë në një fazë të vështirë. O do të dilte totalisht fitues, o totalisht i falimentuar! Kushner vendosi të rrezikojë: shpenzoi shtatë miliardë dollarë, në mes të krizës së 2008-tës, për blerjen e ndërtesave të ndryshme në kryeqytetin e botës, në Manhatan, midis të cilave, qiellgërvishtësin me numrin 666 në Fifth Avenue (atje ndodhet edhe tani zyra e tij), për shumën marramendëse prej 1.8 miliardë dollarësh, shuma më e madhe e paguar ndonjëherë për një ndërtesë të vetme në Nju Jork. Ky transaksion nuk ishte i thjeshtë. Çmimi ishte tepër i lartë për konjukturën e tregut. Por bankat kredituese i besuan atij, ndërsa fondet e mëdha të pasurive të patundshme rrinin në përgjim të shpalljes së falimentimit nga ana e Kushner. Por ai arriti të operojë e të negociojë bindshëm e pa ndërmjetësinë e asnjë avokati, me të gjitha palët. Kjo bëri që Kushner të njihet në të gjitha qarqet më në zë të Nju Jorkut si njeriu, të cilit i mjafton shtrëngimi i dorës për akorde të mëdha.
Në këtë grataçiel, vetëm pak hapa nga Trump Tower, ai ka tashmë zyrat private të tij.
Tanimë, Jared Kushner i ka lënë prapa aferat personale dhe po asiston me sukses Presidentin Trump në politikëbërjen e tij. Atij i janë besuar, midis të tjerash, negociatat e vështira e të komplikuara për arritjen e paqes midis izraelianëve dhe palestinezëve. Një detyrë e vështirë, veçanërisht për një mediator me prejardhje hebraike. Emërimi i tij në këtë pozicion ka ngjallur shumë diskutime dhe reagime, sidomos në territoret palestineze dhe fraksionet e ndryshme palestineze që e administrojnë atë. Por njohësit e mirë të botës hebraike ortodokse nuk e perceptojnë Jared Kushnerin si të njëanshëm në këto negociata. Kush e njeh mirë atë, si bir i një familjeje që i shpëtoi persekutimit nazist gjatë Holokaustit, njohës i mirë i historisë antike dhe moderne të marrëdhënieve judaiko-arabe, por edhe kozmopolit i përgjegjshëm e i edukuar me frymën e drejtësisë e të progresit, në shkollat më të mira amerikane, nuk mund të mos bindet se ai është njeriu i përshtatshëm për të negociuar si i baraslarguar e i barasafruar me të dyja palët. Gjer edhe kundërshtarët më të dukshëm të Jared Kushnerit arrijnë të afirmojnë se mënyrat e tij janë thjesht “impeccable”, prej një të riu të urtë e që nuk humbet kurrë qetësinë.
Ndërsa për miqtë dhe mbështetësit e tij të shumtë, Jared Kushner është “një John Kennedy bashkëkohor”. Në fakt, në tavolinën e tij të shkrimit, në zyrën e madhe e plot dritë në katin e 15-të të 666 Fifth Avenue, ku eleganca dhe sobriteti janë bashkuar për të përfaqësuar më së miri karakterin e Jared Kushnerit, gjenden shumë pak aksesorë e vetëm dy objekte të veçantë, një fotografi e Kennedy-t dhe kapelja e kuqe e famshme, gaxheti më i shitur gjatë fushatës së Trump, me mbishkrimin në ballë: “Make America Great Again”.

Artikulli paraprakMosbindje civile, s’ka zgjedhje farsë
Artikulli tjetërSulmohet e dhunohet në mes të Tiranës gazetari Elvi Fundo