Naile Hidri: Kërkoj drejtësi për Besnikun derisa të mbyll sytë

Naile Hidri, nëna e dëshmorit të demokracisë, Besnik Hidri i ka kaluar të 70-at, por ende jeton me shpresën se një ditë Besniku do të trokasë në derë dhe do t’i thotë: “Nënë ku të kam lënë”? Ndërsa flet pa reshtur për djalin e saj, Besnikun, lotët i rrjedhin dhimbshëm nga sytë. Janë lotë nëne, lot që nuk shterrin kurrë për djalin e saj që u shua në lule të rinisë në krye të detyrës.
Naile Hidri ka kaluar shumë vuajtje dhe peripeci në jetë, por vrasja e djalit të saj në mënyrë makabre në krye të detyrës i rëndon në zemër për çdo çast, për çdo ditë… Kjo dhimbje rëndon si një gur në zemrën e nënës që qëndron përherë me sytë nga dera…

Internimi

Naile Hidri është vajzë e fisit Shehu nga Dibra, një nga familjet më të nderuarat dhe më të dëgjuarat në të gjithë Dibrën. Gjyshi i Nailes, njihej si burrë i besës dhe trimërisë, i bujarisë dhe mirësisë. Ka qenë Imam i shtatë fshatrave, kohë në të cilën punoi shumë për çeljen e shkollave shqipe dhe pajtimin e dhjetëra familjeve që kishin rënë në hasmëri. Jo më pak burrëror dhe fisnik se i ati, u bë edhe i biri, Nazmiu. Një punonjës autoritar dhe fjalëdëgjuar në të gjitha krahinat e vendit, ku shërbeu si administrator në mbretërinë e Zogut. Më pas u kthye në fshat dhe iu përkushtua pronës private dhe kujdesit familjar. Çeli edhe dyqan në fshatin e lindjes, Vleshë, duke u shërbyer edhe bashkëfshatarëve në plotësimin e nevojave me ato pak artikuj industrialë, ushqimorë dhe veshmbathjeje që tregtonte. Por, më shumë se për këto, ajo derë shquante për fisnikëri dhe besë. Miqësia dhe respekti i Nazmi Shehut nuk kishte kufi në Malësinë e Dibrës.
Menjëherë pas çlirimit komunistët filluan goditjen ndaj familjes Shehu. Jo vetëm që i shtetëzuan pronat dhe i morën të gjithë pasurinë e vënë me djersë dhe mund, por filluan edhe përndjekjen ndaj tyre. Të gjithë familjen e internuan. Naile Hidri ka qenë fëmijë kur regjimi komunist e internoi në Shtyllas të Fierit.

Lindja e Besnikut

Nailja tregon se lindja e Besnikut ka qenë gëzimi më i madh i jetës. Të gjithë ato vuajtje që kishte kaluar, iu dukën si një ëndërr e keqe, pas lindjes së Besnikut. Ajo thotë se, Besniku ka qenë i dashur që në fëmijëri dhe deri në ditën e fundit të jetës. Besniku kreu shkollën fillore në Shënavlash të Durrësit, 8-vjeçaren në Rrashbull. Të gjithë mësuesit e mbajnë në kujtesë nxënësin e tyre, Besnik Hidri jo vetëm për rezultatet e shkëlqyera në mësime, por edhe për sjelljen e tij shembullore dhe zgjuarsinë e tij. Mësuesi Bajram Gashi i dërgon për çdo përvjetor mesazhe përkujtimi familjes së tij. Edhe në këtë 20-vjetor, ai nuk ka harruar t’i shkruajë dy fjalë familjes së tij. “Me respekt, me nostalgji, me dhimbje e admirim kujtoj ish-nxënësin tim, trimin, heroin, djalin e prindërve model, intelektualin me rrënjë të Kalasë së Dodës, “Heroin e Kombit”, Besnikun besnik”, shkruan mësuesi Gashi në mesazhin dërguar vëllait të Besnik Hidrit në përvjetorin e vrasjes.
Edhe shkollën e mesme Besniku e kreu me rezultate të shkëlqyera. Për shkak të biografisë, ai rrezikohej të mbetj pa vazhduar studimet e larta, por ka qenë drejtori i shkollës dhe disa mësues që kanë trokitur në Komitetin e Partisë, duke kërkuar me këmbëngulje që Besnik Hidrit t’i jepej e drejta e studimit, pasi kishte mbaruar gjimnazin me rezultate të shkëlqyera. Si përfundim atij i jepet e drejta për të vazhduar shkollën e Lartë në Universitetin Bujqësor, të cilën e përfundoi sërish me rezultate të shkëlqyera. Pas përfundimit të shkollës së lartë, ai dërgohet në Kukës për të ushtruar profesionin e tij. Ndonëse larg familjes, ai punon dhe lë gjurmë me punën e tij. Ndërsa në vitin ’90 ishte nga të parët që iu bashkua lëvizjes demokratike në Durrës. “Besniku punoi shumë për demokracinë që në krijimin e PD në Durrës, ku dha një kontribut të çmuar”, thotë Nailja. Ajo thotë se bashkëshorti i saj, Haki Hidri, nuk mundi ta përballojë fatkeqësinë e vrasjes së të birit, Besnikut dhe si pasojë ndërroi jetë para kohe.

Apel ndaj shtetit

Nëna e Besnikut, Naile Hidri i bën apel shtetit që të verë para drejtësisë autorët e vrasjes së të birit. “Kaluan 20 vjet nga vrasja e tij dhe ende nuk është vënë asnjë para drejtësisë. Pse nuk vihen para ligjit vrasësit? Qytetarët e Vlorës janë njerëz mikpritës dhe kanë shprehur dhimbje dhe keqardhje për vrasjen e Besnikut. Ka qenë një grup i vogël që sulmuan institucionet e shtetit dhe e vranë Besnikun e Lekë Çokun”, thotë Naile Hidri.
Ajo thotë se, derisa të mbyllë sytë do të kërkoj nga shteti të verë para ligjit vrasësit. “Prej 20 vjetësh, lotët për Besnikun nuk thahen. Vendi i tij është shumë bosh. Derisa të mbyll sytë, unë kërkoj nga shteti të verë para ligjit vrasësit. Mirë nuk patët mundësi për ta shpëtuar Besnikun, po vrasësit pse nuk i çoni përpara drejtësisë? Dihet se Besniku iku e nuk kthehet më, por nëna e pret me sytë nga dera. Kujtoj fjalët e tij, zërin e tij. Më duket sikur një ditë do të vijë dhe do të më thërrasë: Nënë ku të kam lënë?”, thotë nëna e Besnik Hidrit.

20 vjet nga vrasja makabre e Besnik Hidrit dhe Lekë Çokut, autorët ende të lirë

U mbushën 20 vjet nga vrasja makabre e dy punonjësve të SHIK-ut në Vlorë, Besnik Hidri dhe Lekë Çoku, në kryengritjen e armatosur të organizuar nga eksponentë të PS për të marrë pushtetin me gjak. Makabriteti i njerëzve të etur për pushtet nuk mjaftoi me ekzekutimin e dy punonjësve shtetërorë, por do të shkonte edhe më tej. Të eturit për pushtet, pasi e vranë me granatahedhës Lekë Çokun e morën dhe e dërguan në sheshin para universitetit dhe aty, ish-deputetja e PS, Luiza Hoxha si vampire lyente duart e saj me gjakun e punonjësit të SHIK-ut që po jepte shpirt dhe e pinte atë. Për këtë meritë, Hoxha u shpërblye menjëherë nga PS në zgjedhjet parlamentare të atij viti me mandatin e deputetes.
Megjithëse kanë kaluar 20 vjet nga vrasja makabre e dy punonjësve të SHIK-ut në krye të detyrës, vrasësit ende nuk janë dërguar para drejtësisë. Prokuroria ka patur dhe ka prova mëse të mjaftueshme, si filmime apo edhe dëshmi nga të mbijetuarit për të dërguar prapa hekurave ata që vranë dy punonjësit e shtetit, por nuk ka vullnet për të hetuar kriminelët, pasi pas tyre fshihen elementë që ndodhen në kupolën e PS dhe të qeverisë së sotme.
Dy punonjësit e SHIK-ut në Vlorë, Besnik Hidri dhe Lekë Çoku u vranë barbarisht më 28 shkurt të vitit 1997. Rreth 80 deri 100 veta të armatosur me mitralozë dhe granatahedhës rrethuan godinën e SHIK-ut. Hapën zjarr kundër godinës me mitraloz dhe godina përfshihet nga flakët dhe tymi. Në krahun tjetër të godinës së SHIK-ut, njerëzit që ishin brenda, qëllonin në ajër. Nga turma nuk u vra apo plagos asnjë që ishte aty atë natë. Nga turma qëllohej nga 20 metra larg godinës. Në dhomën ku ndodheshin punonjësit e SHIK-ut kishte vetëm tym e flakë, jashtë kishte gra dhe fëmijë. Ata që qëllonin ishin fshehur pas grave dhe fëmijëve.
SHIK-u u godit me granatahedhës dhe mbetën 2 të vrarë, ndërsa 10 të tjerët shqyejnë një nga dritaret e siguruara me hekura dhe dalin duke iu kacavjerrur kodrës. Atje u dalin disa nga banorët vlonjatë, të cilët i strehojnë nëpër shtëpitë e tyre. Evakuimi i tyre për në Tiranë një nga një do të fillonte vetëm pas dhjetë ditësh. Besnik Hidri ishte hedhur nga kati i dytë dhe ndodhej tek oborri i Shkollës së Marinës, e cila është ngjitur me ndërtesën e SHIK-ut. Në të vërtetë, Besnikun e kishte nxjerrë atje presioni i goditjes nga granatahedhësi. Një kolegu i tij, e merr Besnikun në makinë për ta çuar në spital, por rruga ishte plotësisht e bllokuar nga rebelët e armatosur dhe po t’i shikonin, do t’i kishin vrarë që të dy. Atëherë, ai e dërgoi në Pashaliman. Ishte e pamundur për të bërë diçka për ta shpëtuar nga vdekja. Në orën 4 e 15 mbërrin një helikopter për ta dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, por për Besnikun ishte shumë vonë. Besniku vdes gjatë rrugës për në spital.

Kush ishin Besnik Hidri dhe Lekë Çoku

Major Besnik Hidri
Lindi më 7 shkurt 1966 në Durrës. Në vitin 1993 futet në shërbimin e fshehtë SHIK të qytetit të Durrësit. Më 1994, transferohet në Tiranë dhe më 1995, emërohet Shefi i Kundërzbulimit për ambasadat e huaja në kryeqytet. Ishte specializuar pranë shërbimeve sekrete italiane, turke dhe CIA-s në SHBA. Fliste në italisht dhe anglisht. Ishte i martuar dhe kishte dy vajza. Më 28 shkurt 1997, kur turma sulmoi SHIK-un në Vlorë mbetet i vrarë.
Kapiten Lekë Çoku
Lindi më 13 prill 1961 në Tropojë. Në shtator 1992 futet në shërbimin e fshehtë të SHIK-ut dhe fillon edhe Fakultetin Juridik. Më 1995, emërohet në detyrën e rëndësishme të shefit të Shërbimit të Brendshëm në Rinas. Ishte i martuar dhe kishte një djalë, i cili kur i vranë babanë ishte vetëm 1 muaj. Ai u vra më 28 shkurt 1997. Turma e tërhoqi zvarrë trupin e tij dhe e çuan tek studentët, të cilët ishin në grevë urie.

Rexhep POLISI

Artikulli paraprakSulmohet e dhunohet në mes të Tiranës gazetari Elvi Fundo
Artikulli tjetërRama flet për gratë, por trafikantët e tyre i ka deputetë