Stjepanoviç “kërcënon”: Rezultat ndaj Shqipërisë

Maqedonia vijon përgatitjet për debutimin në kualifikueset e Botërorit 2018 përballë Shqipërisë. Përpara duelit në Loro Boriçi, mesfushori Ostoja Stjepanoviç kërkon që skuadra e tij të shfaqë guxim në Shkodër, për të regjistruar rezultat pozitiv. 31-vjeçari që aktivizohet te Slask Wroclaw në Poloni, ndërsa në karrierë është aktivizuar në liga të rëndësishme, si ajo serbe, në Austri, Kazakistan apo edhe te AEL Limassol në Qipro beson se, atmosfera e mirë që mbizotëron në përfaqësuesen maqedonase do të transmetohet në fushë ndaj Shqipërisë.
“Atmosfera në ekipin përfaqësues është mjaft e mirë dhe do të provojmë ta transmetojmë këtë në fushë përballë Shqipërisë. Objektivi ynë në këto kualifikuese është të përmirësohemi në krahasim me të kaluarën dhe të rikthejmë besimin te skuadra. Jam i sigurt se me guxim sportiv dhe dëshirë për fitore mund të përmirësohemi. E respektojmë kundërshtarin, por jemi të përqendruar te ajo që duhet të bëjmë dhe te detyrat që do të na japë trajneri Angelovski. Duke luajtur me kujdes në Shqipëri mund të arrijmë rezultat pozitiv”.
Maqedonia vijon përgatitjet në Shkup, ndërsa sipas programit të dielën do të udhëtojë drejt Shkodrës. Ndeshja ku Shqipëria debuton në Grupin G kualifikues të Botërorit 2018 do të luhet më 5 shtator, në orën 20:45.

Artikulli paraprakPrenga, flotë droge në Patok, mbrohet nga kreu i policisë
Artikulli tjetërBasha: Ndaj Maqedonisë ta nisim me fitore