…Socialistëve të abandonuar dhe banditëve, kusarëve e perversëve të Sektit 3-këmbësh

Nga Prof. Dr. Kastriot ISLAMI

Socialistë të 1991 e në vijim, së bashku me një amalgamë individësh që vetëm socialistë nuk janë, janë thirrur që festën e 12 qershorit 2016, të 25-vjetorit të themelimit të PSSH ta festojnë më 12 korrik 2016 nën drejtimin e një Sekti Trekëmbësh që ka marrë peng partinë e socialistëve dhe qeverisjen e tyre, duke zhvatur pasuritë kombëtare dhe fondet publike. Socialistët vijnë në këtë përvjetor morti, 11 vjet pasi i kanë dhënë “lamtumirën” partisë së idealeve të tyre. Në të vërtetë eliminimi i PSSH, me veprime kontrete, ka filluar më 2005, ndërkohë që Rama hidhte themelet e një Sekti Trekëmbësh, ide të përpunuara që në vitin 2000.
Realisht “sektarët” që kontrollojnë partinë dhe qeverinë festojnë 11-vjetorin e themelimit të Sektit të tyre. Në këtë përvjetor me dy koka, marrin pjesë edhe ish-drejtues të lartë socialistë, që normalisht festojnë sikur të ishin në përvjetorin e 11 të funeralit të PSSH, të cilën ia “vrau” Sekti, që në të njëjtën ditë mbush 11 vjeç. Sekti Klientelist Trekëmbësh është përfaqësuesi i) interesave të ish-nomenklaturës së lartë puniste dhe pinjollëve të tyre; ii) oligarkisë, manjatëve dhe individëve me rekorde kriminale dhe iii) i një “grupimi” me “sjellje e qasje atipike, madje perverse”. Qeverisja Rama, siç e kanë cilësuar tashmë edhe drejtues të lartë të PSSH, pa ideologji, pa koncept, pa strategji e programe zhvillimi, dhunuese dhe policore, antiligjore dhe amorale, konfliktuale me fqinjët dhe zhgënjyese për partnerët strategjikë, s’ka lidhje me interesat e socialistëve, aq më pak me interesat publike dhe aspak me ato kombëtare. Për interesa të mbajtjes së pushtetit personal të Ramës, kjo qeverisje klienteliste e sektare, përtej retorikës proeuropiane, është e gatshme ta orientojë vendin në drejtime të ndryshme nga ato madhore e të rrezikojë marrëdhëniet me fqinjët e partnerët strategjikë nëse i kërcënohet pushteti.

PSSH mbi themelet e PPSH…

Më 12 qershor 1991, në Kongresin e saj të X, PPSH u ballafaqua me 2 opsione: 1) të mbyllte misionin e saj; apo 2) mbi themelet e PPSH të fillonte të reformohej PSSH, për t’u shndërruar në një parti të tipit social-demokrat europian. Pas debatesh midis “reformatorëve” e “konservatorëve” fitoi opsioni “konservator” i dominuar nga ideologët leninistë e marksistë, i “transformimit gradual”. Për rreth 15 vjet, PSSH, nën drejtimin e Fatos Nanos, do të tentohej të reformohej në mënyrë relativisht “liberale”, duke u bërë anëtare e Internacionales Socialiste dhe e PSE. Ky transformim do të “udhëhiqej” nga tri grupime 1) profesorët pa parti e formim perëndimor së bashku me të rinjtë e ardhur nga lëvizja studentore e 1991; 2) intelektualët, ish-anëtarë të PPSH, por me orientim “perestrojkën/gllasnostin” e Gorbaçovit; dhe 3) trashëgimtarët e ish-nomenklaturës së PPSH, me ide e koncepte marksiste dhe ndonjëri me prirje “hapjeje të kufizuar” ndaj “pluralizmit të mendimit”. Gjatë 8 vjetëve të qeverisjes 1997-2005, u shfaqën shenjat e pasurimit të paligjshëm të disa “politikanëve” përmes pushtetit dhe nisi të aplikohej modeli i afrimit të individëve me pasuri të dyshimta nga biznesi apo zyrtarëve të lartë në pozicione kyçe “fitimprurëse të shtetit”. Këto “dallëndyshe të para të oligarkisë” s’do të arrinin të bëheshin ende përcaktues për vendimmarrjet politike të partisë deri në vitin 2005 dhe struktura e PSSH me tri grupime do të vazhdonte të mbetej funksionale. “Çarja” e parë e PSSH do të ndodhte më 2003 me largimin e LSI. Për shkëputjen e kësaj “copëze” Rama ka pasur rol të konsiderueshëm dhe kontribut përcaktues, sepse kështu do të mund të “hiqte qafe” njërën nga dy pengesat, Metën, drejt postit të kryetarit të PSSH. Pengesën tjetër, Fatos Nanon, Rama do ta hiqte në vitin 2005, duke pasur aleatë “dinjitozë” lëvizjen “Mjaft” dhe LSI për realizimin e humbjes së PSSH.

2005, Rama ndërpret reformimin “social-demokrat” të PSSH

Në vitin 2005, PSSH humbet zgjedhjet dhe pas dorëheqjes së Fatos Nanos, në krye të PSSH vendoset Edi Rama, ish-kryetar i Bashkisë së Tiranës, që ndërkohë kishte konceptuar dhe nisur të ngrinte “klientelën/sektin e tij” me tri përbërëse 1) biznesmenët e ndërtimit e të medias që përfitonin leje ndërtimi, tendera e privilegje nga buxheti publik i bashkisë, pra pasuri të dyshimta 2) zyrtarët, inspektorët e “sekserët” e bashkisë dhe 3) mjaftistët e më vonë G99-shat. Ky “rezervat” kishte filluar të formësohej që në vitin 2000 me vendosjen e Ramës në krye të Bashkisë së Tiranës. Viti 2005, përmes “Politikës së re”, do të shënonte hapin e parë të ballafaqimit të projektit të Ramës me PSSH, me synim eliminimin e PSSH dhe formësimin e një Sekti që do të përdorte votat e socialistëve dhe më tej do të drejtonte qeverisjen; e gjitha kjo për të realizuar interesat personale të Ramës, që lidheshin vetëm me fitimin e postit të Kryeministrit dhe ndërtimin e një qeverie tërësisht klienteliste, sektare e oligarkike, pra antisocialiste.

2005-2013, hidhen “themelet” e Sektit Trekëmbësh

Fillimisht Rama do të ndryshonte në themel strukturën e përbërjes së PSSH, duke ia përshtatur atë origjinës, interesave dhe karakterit të tij që lidhej konkretisht me i) origjinën; Rama është një pasonjës dinjitoz i ish-nomenklaturës së lartë puniste ii) interesat; Rama është përfaqësuesi tipik i interesave të pasurimit të paligjshëm dhe iii) pasionet individuale; Rama është individi me aftësi menaxheriale karakteriale dhe sjellje perverse e atipike. Sekti Klientelist i Ramës në vitin 2013 do të rezultonte me 1) ridimensionim/forcim të përbërëses “së trashëgimisë së ish-nomenklaturës së lartë komuniste” përmes afrimit dhe promovimit të “pasonjësve (pinjollëve)” duke ruajtur sa për sy e faqe disa figura të 1991 që kishin rezultuar të paafta të mos serviloseshin apo nënshtroheshin dhe 2) eliminim pothuajse të plotë të grupimit të parë të “profesorëve/reformatorëve” e dobësim ekstremal të grupimit të dytë të “pragmatistëve”. Dy grupimet e eliminuara do të zëvendësoheshin nga i) “këmba” e interesave oligarkike, korruptive e banditeske dhe ii) “këmba” e “mjaftistëve e më vonë G99-shave”. Këto në fakt ishin tri “lobet” në përbërje të trurit të Ramës.

Këmbët e Sektit Trekëmbësh…

Rama ka ngritur tashmë sektin e tij mbi tri “këmbë”. “Këmba e trashëgimtarëve dhe pinjollëve”: në aspektin “ideologjik” (në fakt Rama s’ka asnjë lloj ideologjie e besimi) bëhet fjalë për rikthim të trashëgimisë e praktikave puniste përmes ruajtjes së disa “kufomave” marksiste dhe promovimit të pinjollëve të ish-nomenklaturës së lartë puniste, me synim forcimin e përfaqësimit të tyre dhe “rikthimin” e praktikave e sjelljeve autoritare. “Këmba e interesave oligarkike” e “banditeske”: në aspektin ekonomik e financiar, bëhet fjalë për strukturimin e interesave oligarkike, manjatëve të medias dhe ngritjen e një klientele individësh të pasur e “të fortë”, madje edhe me rekorde kriminale, të gjithë pikat kyçe të qeverisjes; kjo përbërëse i duhet për të garantuar prioritetin pasuror e financiar ndaj kundështarëve të brendshëm e të jashtëm dhe realizuar blerjen e votave dhe trafikimin e mandateve. “Këmba perverse”: në aspektin e reklamës, por mbi të gjitha në funksion të krijimit të një “rezervati” për furnizimin e qeverisë e të administratës publike me individë atipikë e perversë të ish-“Mjaft”-it dhe G99. Kjo komponente “shitet” ndërkombëtarisht si “vlerë bashkëkohore”.

“Këmba” e trashëgimtarëve/pinjollëve të ish-nomenklaturës së lartë….

Rama është trashëgimtar e përfaqësues i denjë i ish-nomenklaturës së lartë të regjimit të kaluar që evidentohet lehtësisht si nga CV e tij, si dhe nga komplekset e përpjekjet e tij gjiganteske për të treguar të kundërtën. Rama është rritur e edukuar në rrethinat e bllokut; shoqëria, miqtë e lidhjet kamaradeske kanë qenë të realizuara në shumicën e tyre me bashkëmoshatarët e Bllokut. Rama është po ashtu i bindur dhe i këshilluar se kjo këmbë ka vlera elektorale të patjetërsueshme për shkak të rrjetit të lidhjeve 50-vjeçare nepotike e influente. Në zgjedhjet e 2013, për herë të parë Rama do të thërriste në koalicion tri partitë komuniste shqiptare që kanë si bazë ideologjike marksizëm-leninizmin dhe praktikën 50-vjeçare të stalinizmit e të punizmit.
Po ashtu, duke filluar nga viti 2009 e pas 23 qershorit 2013, Rama ka forcuar prezencën dhe rolin e pinjollëve të ish-nomenklaturës së lartë komuniste e puniste, në pozicionet e larta dhe pikat kyçe të qeverisë së tij. Kjo përbërëse do të rigjallërohej dhe do të forcohej gjithashtu për të sjellë në pushtet pinjollët e ish-nomenklaturës së lartë e të mesme të PPSH, të cilët Rama i konsideron si trashëgimtarët legjitimë të pushtetit, të cilin e humbën më 1990 baballarët e tyre, disa prej të cilëve ende gjallë, por që nuk mund t’jua linin më në dorë as “reformatorëve” dhe as “pragmatistëve”, të cilët për 15 vjet e kishin “pastruar”, “transformuar dhe reformuar” partinë e tyre të vjetër. Pinjollët apo trashëgimtarët e gjallë marksistë apo disa ish-zyrtarë mediokër punistë, gjykojnë Ramën dhe shpurën e tij si pronarë të “pushtetit” të “dikurshëm”, por të “rilindur” më 23 qershor 2013 që për rrjedhojë u takon të qeverisin vendin aq më tepër që kanë në krye të qeverisë përfaqësuesin e tyre “dinjitoz”.

“Këmba” e “interesave oligarkike” dhe individëve me rekorde kriminale…

Rama ka arritur në 8 vjet që sekti e tij të ketë deputetët më të pasur në Parlamentin shqiptar, por me pasuri të dyshimta të realizuara me lejet e ndërtimit apo fondet publike të Bashkisë së Tiranës gjatë 11 vjetëve që ajo drejtohej nga Rama. Askush s’është kundër të pasurve, por në rastin e sektit të Ramës kjo është një çështje sa morale aq edhe politike e penale. Së pari, shumica e këtyre personazheve (jo të gjithë) e kanë krijuar pasurinë e tyre përmes “lejeve të ndërtimeve”, madje pa qenë ndërtues. Së dyti, një pjesë e tyre e kanë krijuar këtë pasuri të dyshimtë gjatë periudhës, kur Rama drejtonte Bashkinë e Tiranës; dhe në vijim. Ky “grupim mediokër nga formimi dhe obez nga pasuria” përfaqësohet, mbështetet e drejtohet politikisht nga Rama. Publiku percepton se në sektin e Ramës ka shumë oligarkë nga biznesi e manjatë nga media me “veshje politike” dhe disa politikanë të korruptuar me “pasuri oligarkësh”.
Ky grupim nuk është përfaqësues i elektoratit të majtë, pra i socialistëve, i cili përgjithësisht përbëhet nga shtresa me të ardhura të ulëta e të mesme. Kjo ka shkaktuar “krizën e identitetit” të sektit të Ramës që po çon në rrudhje e shpërbërje të tij. Përgjithësisht Rama s’i llogarit pjesëtarët e këtij grupimi si anëtarë të ekipit të tij qeverisës, as si deputetë aktivë, por këto i duhen kryesisht për të blerë votat e zgjedhësve, trafikuar mandatet e deputetëve dhe për të kërcënuar kundërshtarët e Ramës. Në këtë grupim bëjnë pjesë edhe të “fortët”, që vijnë nga “Policia, Prokuroria, Garda e Republikës, Doganat, Tatimet etj.”, si dhe individë me rekorde kriminale, që kanë kryer edhe gjatë qeverisjes së Ramës vepra penale. Procesi i dekriminalizimit të Kuvendit e administratës publike i sugjeruar nga Parlamenti Europian është shprehje e prezencës përcaktuese të “oligarkisë dhe kriminalizimit” në sektin e Ramës.

“Këmba” “perverse”/ekstravagante e mjaftistëve-G99-ve…

Rama, në rolin e kryemjaftistit, e nisi projektin e tij për të ardhur në krye të PS me ngritjen e organizatës “Mjaft”, e cila dihet botërisht se ka dhënë një kontribut të “vyer” për të çuar PS në opozitë më 2005 dhe “eliminuar” Nanon nga kreu i PS, pasi kishte nxjerrë jashtë loje më 2003 Ilir Metën. Kjo organizatë u transformua nga Rama në partinë politike G99 me synimin e vetëm “eliminimin politik” të LSI në zgjedhjet e vitit 2009.
Në amalgamën ish-Mjaft, G99 dhe “kamaradë të Ramës”, i) shumica (jo të gjithë) janë me formim të dyshimtë universitar, ii) disa prej tyre (jo të gjithë) janë me lidhje direkte (pinjollë) apo indirekte nepotike me familjet e larta të ish-nomenklaturës komuniste, iii) jo pak të tjerë janë (jo të gjithë) aktivistë të grupimeve me “sjellje atipike e deri perverse” v) dhe një pjesë e konsiderueshme janë konsumatorë të lëndëve narkotike. Rama si një përfaqësues tipik dhe i denjë i këtij grupimi ka qenë jo vetëm drejtuesi i tyre shpirtëror, por edhe sponsorizuesi politik e financiar i aktiviteteve të tyre; sot të gjithë ata janë në poste kyçe të qeverisë klienteliste e sektare të Ramës. Ky grupim ka rezultuar një mjet në duart e Ramës i përdorur agresivisht për të sulmuar në blogjet e rrjetet sociale kundërshtarët dhe armiqtë e Ramës. Midis personazheve të këtij grupimi ka një konkurrim e xhelozi naive, të cilat i nxit dhe kontrollon vetë Rama. Përfaqësuesit e këtij grupimi i duhen Ramës për gjithçka, madje edhe si kostumi i sektit të tij në kontaktet ndërkombëtare.

11-vjetori i “ditëlindje-funeralit”…

Rama me “sektarët” e tij më 12 korrik 2016 do të “festojë”, ditëlindjen e 11-të të Sektit Trekëmbësh që koinçidon formalisht me përvjetorin e 25-të të PSSH që s’ekziston më realisht dhe në po të njëjtën ditë ka përvjetorin e 11-të të vdekjes. Ndërkohë që Rama gotën e shampanjës do ta trokasë me “sektarët” e tij, socialistët e thjeshtë, të harruar e të lodhur, të papunë e të pezmatuar ndjekin të pashpresë festën e sektit të Ramës dhe përvjetorët e funeralit të partisë së tyre.

Artikulli paraprakKE: Shqipëria me perspektivën buxhetore më të dobët në Rajon
Artikulli tjetërWillems: Korrupsioni vazhdon të mbetet pengesë për zhvillim