KE: Shqipëria me perspektivën buxhetore më të dobët në Rajon

Edhe në vitet në vijim, Shqipëria do të vijojë të ketë performancën më të dobët fiskale në rajon, në krahun e të ardhurave, shpenzimeve dhe borxhit publik, të krahasuara me PBB (prodhimi i brendshëm bruto). Një raport i Komisionit Europian për reformat ekonomike të vendeve që aderojnë të anëtarësohen në BE, nxjerr në pah zhvillimet ekonomike dhe fiskale në rajon, në të cilat Shqipëria paraqitet krahasimisht dobët. Shqipëria, edhe në perspektivën afatmesme  2016-2018 pret të grumbullojë 27.3 për qind të PBB-së, ndërsa Serbia, Turqia dhe Mali i Zi synojnë mbi 39 për qind, Maqedonia synon të grumbullojë 31 për qind, ndërsa më dobët në Rajon paraqitet Kosova me 25 për qind të grumbullimeve fiskale në raport me PBB. Por e krahasuar me vetveten Kosova paraqitet mjaft mirë, duke marrë në konsideratë se sistemi fiskal atje ka një histori relativisht të shkurtër.
Për rrjedhojë, Shqipëria vijon të jetë dobët edhe në shpenzimet buxhetore në raport me PBB. Ky tregues nga 30.2 për qind që ishte më 2015 do të ulet më tej në 2018, duke shkuar në 27.8% të PBB (në mënyrë që të ulet borxhi publik), në një kohë që në Malin e Zi  shpenzimet buxhetore janë 42.4 për qind PBB-së. Në Turqi ato janë 40 për qind PBB, në Maqedoni 33.8, në Bosnjë 35.3% dhe në Kosovë 26.6%.
Për shkak të anemisë në të dy shtyllat e arkës së shtetit, të ardhura dhe shpenzime, buxheti i Shqipërisë vuan nga borxhi i lartë. Aktualisht Shqipëria ka borxhin më të lartë pas Serbisë me 72.2% të PBB-së, por në perspektivën afatmesme vendi ynë synon të jetë i treti në rajon, pas Serbisë dhe Malit të Zi për madhësinë e borxhit në raport me PBB. Komisioni Europian vë në dukje se masat rregulluese fiskale në vendet e rajonit janë shpesh të paspecifikuara. Ngadalësimi i rritjes në post-2008 ka prodhuar një recension të dyfishtë për vendet, duke ngarkuar financat publike me borxhe të larta.
Sakaq KE vlerëson se ngurtësia në strukturën e shpenzimeve anohet drejt shpenzimet joproduktive. “Planet e politikave të Serbisë dhe Shqipërisë, të cilat kanë nivelin më të lartë të borxhit në rajon, parashikojnë ambicie të forta drejt konsolidimit fiskal, por në themel të planeve mungojnë masat specifike”, analizon raporti i KE.
Për shembull, Serbia synon të zhvillojë më tej programin e buxhetimit për të përmirësuar analizat e ndikimit dhe monitorimin e ndërmarrjeve shtetërore, ndërsa Shqipëria ka themeluar një njësi të dedikuar të ardhurave brenda Ministrisë së Financave, e cila synon të rrisë rezultatet në arkëtime. Mali i Zi parashikon mbështetje për komunat në ristrukturimin e borxhit të tyre në këmbim të kufizimit të shpenzimeve ndaj tyre.
Po sipas një raporti, jetesa në kryeqytetin shqiptar, një të huaji i kushton më shumë se në Maqedoni, Serbi e Bosnjë. Ndonëse Shqipëria renditet ndër 20 qytetet më të lira në botë, sërish ajo mbetet më e shtrenjta në rajon. Të dhënat jepen në Indeksin e Kostos së Jetesës 2016, publikuar së fundmi nga “Mercer”. Anketa vjetore e Kostos së Jetesës nga Agjencia “Mercer”, për të 22-ën herë këtë vit, rendit nga më i shtrenjti te më i liri qytetet botërore, nga kostoja e shtëpive, transporti, ushqimi, kafeja dhe veshjet etj., (në total 200 artikuj dhe shërbime) dhe i adresohet kryesisht të huajve që punojnë e jetojnë në vende të ndryshme nga ai i origjinës.
Tirana renditet në vendin e 186, mes 209 qyteteve që janë marrë në konsideratë. Beogradi është më i lirë se Tirana për një të huaj dhe ndodhet në pozicionin e 193. Sarajeva është në vend të 195 dhe Shkupi mbetet më i liri në rajon, por edhe ndër 10 më të lirët në botë, në vendin e 199. Raporti i mëparshëm i “Mercer” i cilësisë së jetesës, publikuar në shkurt të këtij viti e rendiste Tiranën në listën e tri qyteteve më të këqija në Europë, për sa i përket cilësisë së të jetuarit.

Indeksi i cilësisë së jetës përkeqësohet, të fundit në rajon

Shqipëria renditet e 80-a në botë 161 nga shtete në indeksin e cilësisë së jetës 2015, publikuar së fundmi nga firma britanike Henley & Partners, duke u përkeqësuar me dy vende në raport me 2014-ën. Shqipëria ka marrë një pikësim prej 32% në 2015-ën, nga 32.3% që kishte një vit më parë. Ky është viti i parë që nga 2012-ta, kur raportohen të dhënat, që ka një përkeqësim të këtij treguesi (sa më e lartë shifra, aq më e mirë është cilësia e jetesës). Në hartë, Shqipëria është në zonën e vendeve me cilësi të mesme jetese, në grupin e parafundit (në fund janë grupet me cilësi të ulët jetese). Ashtu si në pjesën më të madhe të renditjeve të tjera, në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria renditet në fund, duke mbetur madje prapa edhe Bosnjë Hercegovinës, një shtet që ka nivel të ardhurash për frymë të krahasueshme me Shqipërinë dhe vuan nga probleme të shumta etnike. Rumania dhe Bullgaria janë shtetet me cilësi më të mirë jetese në rajon, përkatësisht në vendin e 26 dhe 27, të ndjekura nga Kroacia në pozicionin e 29. Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi renditen njëra pas tjetrës, në vendet 64-66. Bosnja është e 77-ta dhe vetëm pas tyre vjen Shqipëria e 80-ta. Indeksi i Cilësisë së Kombësisë ka renditur 161 shtete, duke i vlerësuar bazuar në fuqinë ekonomike të çdo vendi, shëndetësinë, edukimin, standardin e jetesës dhe nivelin e paqes dhe stabilitetit. Raporti i diferencon kombësitë sipas vendeve, duke marrë në konsideratë se sa e lehtë është për qytetarët që të udhëtojnë pa vizë dhe të jetojnë e punojnë jashtë. Bazuar në këta faktorë, çdo kombësi ka një pikësim midis 0% – 100%. Sa më i lartë është pikësimi, aq më e mirë është cilësia e jetesës. Në vend të parë është Gjermania, me pikësim 83.1%, që renditet lart për shkak të aftësisë për të jetuar dhe punuar lehtësisht në një numër të madh vendesh pa viza; gjermanët mbajnë pashaportën më të fortë me akses pa viza në 177 shtete, sipas Indeksi të Kufizimeve me Viza të Henley & Partners. Kombësia daneze ka cilësinë e dytë më të mirë të jetesës, me pikë 83%, e ndjekur nga Finlanda, me 82%. Nuk është surprizë që vendet e Unionit renditet lart. Shtetet e Bashkimit Europian kanë pasur një rezultat të mirë në sajë të marrëveshjes së lirive të BE-së, që u mundëson qytetarëve të BE-së të lëvizin, punojnë dhe votojnë lirisht në vende të tjera anëtare, sipas një njoftimi për shtyp nga Henley & Partners.

Artikulli paraprakMustafa interesohet të sjellë në Kosovë një kompani të madhe belge
Artikulli tjetër…Socialistëve të abandonuar dhe banditëve, kusarëve e perversëve të Sektit 3-këmbësh